• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
LORENC VANGJELI/ Dashuritë e shkuara që qahen sot, është koha që vritet në kohën e Coronavirusit
Home
Blog

LORENC VANGJELI/ Dashuritë e shkuara që qahen sot, është koha që vritet në kohën e Coronavirusit

April 14th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Për të kuptuar psikologjinë, por dhe humorin e një shoqërie, shpesh mjafton të ndjekësh shijen e saj dhe të njohësh heronjtë e saj të adhuruar. Shqipëria e viteve 80-të ishte e dashuruar marrëzisht me shenjën në fytyrën e Tony Montanës dhe shkëlqimin e tij të zymtë, me cigaret dhe revolverin e komisar Cattanit apo me dramat e familjes Forrester dhe dashuritë e Ronn Mossit. Shqipëria kërkonte arratinë nga izolimi dhe ca pak filma që kapërcenin barrierën ishin gjithçka që nevojitej, qoftë si mënyrë jetese, qoftë si pasarelë mode, qoftë si ëndërr për të jetuar në jetën e dikujt tjetër me shumë më shumë fat. Nuk ka lumturi më të madhe se një grimë gëzimi e vjedhur në kohën e fatkeqësisë dhe këta personazhe filmash kult për kohën, ishin grabitja e luksit të asaj kohe.

Ishte një kohë kur gjithçka vinte nga ana tjetër e Adriatikut, ishte vetë ëndrra; në përpëlitjen e saj bardh e zi, Shqipëria kishte dhe një jetë tjetër që vinte nga ngjyrat e ëndrrës italiane, herë me portretin e Domenico Modugnios e herë me tingujt e Domenica In.

Oktapodi, “La Piovra” ishte një nga filmat e adhuruar të viteve 80-të në Tiranë. Diktatura e lejontë me kënaqësi serialin të shfaqej në Tiranën nën tirani, por publiku nuk e shihte si luftë me pushtetin e mafias, por si udhëtim në një botë lirie. Ku kishte ngjyra, kishte klube e makina, kishte dashuri, verë e para. Pjesa tjetër që drithëronte vetë italianët, në Tiranë shihej vetëm si një “contorno”, pa të cilën edhe mund të bëhej më mirë. Ishte hera e parë dhe e fundit që në Tiranë, një polic dhe një prokurore shiheshin si heronj. Që duheshin si dashnorë. Që merreshin si modele.

Ishte një paradoks i madh dashuria shqiptare për Cattanin apo Silvia Contin, në një kohë kur polici shqiptar ishte sfurk i diktaturës dhe prokuroria ishte një nga majat e saj më të mprehta. Ka shumë mundësi për të shpjeguar këtë paradoks të shkuar, por ja vlen më shumë të nënvizohet arsyeja se pse kjo dashuri e dikurshme, nuk është projektuar në këto 30 vjet tranzicion drejt demokracisë. Kur Shqipëria ka marrë nga Italia edhe farën e ligë të mafies, edhe modelin e të bërit demokraci mes krizash që sëmurin vetë sistemin.

Një polic i pasur apo një njeri i pasur në sistemin e drejtësisë, eshtë minimalisht produkt i korrupsionit të padalluar dhe të pandëshkuar. Në tre dekada, të ishe pjesë e drejtësisë, ishte një investim i jashtëzakonshëm vetjak. Posti dhe jo paga afronin e afrojnë një stil jetese që është dukshëm shumë i paekuilibruar dhe i paarsyetuar në shumicën dërmuese të rasteve.  Kjo gjë nuk shqetësonte askënd: të gjithë ishin mësuar me një fakt të tillë, njëlloj si me pritjen e ndryshimit të stinëve. Publiku nuk e quante një gjë të madhe shfaqjen e hapur të pasurisë së vjedhur dhe mbartësit e parave të pista nuk kishin asnjë dëshirë për t’i fshehur ato. Përkundrazi, moda diktonte që pasuria e vjedhur të ekspozohej. Ata nderoheshin nga publiku, respektoheshin, shiheshin si model, por në çdo rast, ata nuk duheshin. Edhe kur dora ju jepte paratë e bakshishit, zemra i mallkonte që mos i hanin gëzuar.

E njëjta gjë me pothuaj gjithë kastën drejtuese të policisë, që nga shefat e komisariateve dhe drejtorët e policisë e deri tek polici me motor i qarkullimit rrugor, kush më shumë e kush më pak, por gjithkush nga ta, jetonte shumë më mirë sesa lejonte rroga modeste. As ata nuk meritonin vëmendje dhe mirënjohje nga publiku. Përveç rasteve kur vriteshin. Atëherë shpalleshin dëshmorë dhe nderoheshin. Ndonëse askush nuk e thoshte dhe nuk e thotë se edhe mes tyre,  ka nga ata që ishin po aq të ligj sa dhe ata që i kishin vrarë. E nëse version shqiptar i Cattanit dhe Silvia Contit janë një segment, kulmi mbi ta që formon trekëndëshin e absurdit shqiptar, është në politikë. Në fillim të këtyre tre dekadave, ata që hynë në politikë vishnin bluza leshi, por kishin diploma profesorësh. Sot ata janë zëvendësuar në shumicë nga tipa që vishen si fashionistë, por nuk kanë as lesh në kokat e tyre të leshta. Edhe këta duhen për interes dhe duartrokiten me hipokrizi për interesin. Por në raste tmerrësisht të rrallë, janë modeli që duhet. Ndaj sot Tonny Montana i suksesshëm nga droga dhe Ronn Mossi i “rrjeteve sociale”, i kanë vrarë të dy, edhe komisarin, edhe prokuroren. Duke i qeshur me gaz Stambolli dhe duke i qarë me lot Bosfori nga serialet turke me formë Evrope dhe shpirt Azie, që vrasin kohën në kohën e Coronavirusit.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTAN META/ A jemi Shkodra e kulturës, traditës dhe qytetarisë?
Previous article MIRA KAZHANI/ Hey Silvia! Adieu

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k