• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
BATON HAXHIU/ E vërteta njëmiliardëshe e Edi Ramës
Home
Politikë

BATON HAXHIU/ E vërteta njëmiliardëshe e Edi Ramës

February 18th, 2020 F.autor Blog, Politikë 0 comments

Pak ditë pasi ndodhi tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri, u ula në një para-zyre të shkatërruar nga dridhjet tektonike, bashkë me Edi Ramën, për të realizuar një intervistë. Gjatë intervistës, Rama përmendi diçka që zakonisht nuk pret ta dëgjosh nga politikanët. Kur e pyeta se si gjeti Shqipërinë, në sytë e tij, vet udhëheqësit të saj, u duk katastrofa që shkaktoi natyra.

“U ndjeva i vetmuar”, më tha.

Për një kohë të gjatë kam realizuar intervista me Ramën, por nuk mbaja mend ta kem dëgjuar ndonjëherë të flasë për ndjenja, aq më pak për vetminë. Nuk e kujtoj askënd ta ketë pyetur arrogantin e damkosur si të tillë nga ata që nuk e njohin, apo e njohin veç nga përplasjet në studiot televizive me gazetarë dhe analistë të cilët, për fat të keq, përballjet me Ramën i përjetojnë si sfida personale.

Në Shqipëri dhe Kosovë jam mësuar të shoh udhëheqës fetarë të sillen si politikanë, e të dëgjoj politikanë që flasin si udhëheqës fanatikë. Por, Rama i asaj dite në sallën e hartave te shkatërruara të Shqipërisë dhe gjendja e tij e vetmisë, ishte befasi si rrëfim publik.

Kur gjithçka ndodhej nën pushtetin e shkatërrimit, vetmia mund të vinte nga presioni i rrethanave fatale. Por, duke parë atë që vijoi si një shfaqje me akte të panumërta rrugëve të zonave të dëmtuara dhe të kryeqyteteve të botës në kërkim të parave të rikonstruksionit, vetmia e Ramës ishte frika nga vetmia e Shqipërisë përballë dëmeve katastrofike.

Duhet të lëvizësh, qoftë dhe i vetëm – përkundër se në shoqëri demokratike veprohet kolektivisht. Edhe pse shoqëria reagoi, andej e këndej kufirit, por brenda të mundshmes që u duk si e pamundur.

Fakti që reagimi përbashkues i shoqërisë shqiptare nuk u kopjua edhe nga politika, konfirmoi edhe në kushte tragjedie cektësinë tragjike të kundërshtarëve të egër të Ramës.

E humbën edhe një rast të papërsëritshëm për t’u bërë relevantë dhe e lanë kryeministrin e tyre – aq të urryer – vetëm përballë malit të gërmadhave. Pa zgjidhje të qartë për rikonstruksionin, por edhe pa kundërshtarë.

Derisa kërkohen zgjidhje, bashkë me to kërkohen edhe fajtorë. Në Shqipëri dhe Kosovë kam dëgjuar politikanë tek e fajësojnë edhe Zotin, ndërsa kundërshtarin politik e barazojnë me dreqin.

Në një mënyrë të çoroditur, ambienti politik në botën shqiptare në vazhdimësi i ngjason një lëvizjeje avangarde në art, që në fillim të shekullit të kaluar kishte nxjerrë krye. Surrealizmi.

Ishte fusha pa kufij e artistëve të cilët u arratisën prej konturave të “normales”. E vërteta u bë absurde, realiteti u bë subjektivitet total dhe raporti mes objektives e subjektives ishte një dhimbje e pashërueshme.

Surealizmi na tregon se çfarë shihet nuk është ajo që duket dhe çfarë është më se e dukshme nuk është ajo që shohim. Në Shqipëri kjo nuk aplikohet si art, por si kulturë konflikti, që në politikë ka gjetur edhe njerëzit më sensacionalë të gënjeshtrës. Të vërtetat janë vetëm për t’u përmbysur dhe mjegulluar. Të arriturave u shkruhet se janë dështime. E sakta dhe e pasakta krijojnë raporte tensioni në mes vete, derisa realiteti që shihet i shkruhet realitetit që thuhet.

Por, e vërteta e djeshme në Bruksel është mbi katet e larta të surealizmit politik të ambientit shqiptar. Arritja e Edi Ramës që të sigurojë mbi 1 miliard euro nga komuniteti ndërkombëtar si ndihma për rindërtimin e vendbanimeve të shkatërruara dhe rikuperimin e dëmeve që tërmeti la prapa, nuk mbulohet dot me titujt e zakonshëm të “dështimit”.

Fushata kishte nisur për të mbledhur, në rastin më të mirë, para për mbulimin e 40 për qind të dëmeve të shkaktuar nga tërmeti. Kjo shumë miliardëshe është 100 përqindëshi i dëmeve.

Në reagimin e tij të parë, Rama tha se ishte i shokuar. Por, nëse ai e mori shpejt veten nga shoku që la tërmeti pas vetes, kundërshtarët e tij mbetën të shokuar dhe kanë harruar t’i falënderojnë miqtë e shumtë të Shqipërisë. Sepse, në fakt, kanë kuptuar dhe janë shokuar nga e vërteta: Miqtë ndihmuan Shqipërinë, jo Ramën, por ndihmën e tyre shokuese e solli në Shqipëri Rama në luftën e tij me vetminë.

Ky është fakt.

Nuk ka nevojë më.

Rama i siguroi paratë për Shqipërinë.

#TiNukDoJeshKurrëVetëm, që u krijua si titulli i një show politik të jashtëzakonshëm të afërsisë me njerëzit gjatë javëve të errëta pas tërmetit, u shndërrua në kartëvizitën e një njeriu të vetëm që i fuqizoi marrëdhëniet me miqtë e huaj në përmasën që e befasoi edhe atë vet.

Sigurisht, opozita njëdimensionale (hiq korrektësinë e Lulzim Bashës në fillim) do të zgjohet dhe do vazhdojë me pretendimet stereotipe të krijimit të mjegullës, edhe pse kësaj radhe – për shkak të qartësisë së numrave – vetmia e Ramës në majë do të jetë edhe më e madhe. Kurse zëri i humbur i kundërshtarëve të tij, gjithashtu.

Prandaj Edi Rama është kryeministër.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BLEDI LUMANI/ Për eurot me “helm” që mblodhi Rama
Previous article FLOGERT MUÇA/ 17 shkurti i Bashës përballë 17 shkurtit të Ramës

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k