• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
ILIR YZEIRI/ Zoti Makron na bëri të kujtojmë Francën e shekullit që shkoi
Home
Politikë

ILIR YZEIRI/ Zoti Makron na bëri të kujtojmë Francën e shekullit që shkoi

October 17th, 2019 F.autor Blog, Politikë 0 comments

Nga Ilir Yzeiri

Refuzimi i zotit Makron që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos çelin bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian, po kthehet në një përplasje gati personale mes presidentit të Francës dhe këtyre dy vendeve.

Këmbëngulja e tij sa vjen e po bëhet qesharake dhe kundërvënia e tij kundër të gjithëve me idetë për të riparë problemet që ka Bashkimi Europian nga brenda e pastaj të vendosim për zgjerimin, po paraqitin më shumë frustrimin e zotit Makron përballë një vendimi që, në një pikëpamje, është thjesht një akti virtual, krejtësisht formal dhe nuk ndryshon asnjë gjë, qoftë për Europën, qoftë për Francën e aq më pask Për Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut.

Banorët e Shqipërisë dhe ata të Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të lëvizin nëpër Europë si qytetarë të lirë të saj, dhe atyre që do t’u mbushet mendja do të rrijnë të gjejnë ndonjë mundësi për të punuar në ndonjë vend të Europës ose do të ndalojnë më shumë në Francë për t’u hedhur pastaj në Angli. Ky frustrim i Makronit nuk e ndryshon pozicionin gjeografik të Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut  dhe as historinë e tyre. Refuzimi i zotit Makron, gjithnjë e më shumë, po merr formën e një përjashtimi dhe po shfaq dallimin e thellë që ekziston në nënvetëdijen e një pjese të elitave europiane për vendet e Ballkanit apo ato të Lindjes si pjesa e një areali që nuk mund të përafrohet me klubin Perëndimor të Europës klasike dhe të krishterë që u ndërtua në fillim jo për të përfaqësuar gjithë kontinentin, por për të bërë bashkë interesat e pak vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore që shërbenin dhe shërbejnë ende si qendra tërheqëse për gjithë kontinentin dhe me gjerë.

Një filozof i kohëve tona, duke folur për qasjet e disa vendeve europiane ndaj problemeve që shfaqen në Ballkan apo më gjerë, thotë se, në disa raste, diplomacitë e këtyre vendeve, kur duan të marrin vendime të mëdha, i fusin duart në sirtarin me dosjet e shkeullit  XIX.

Kur SHBA-të dhe Bashkimi Europian dënuan njëzëri pastrimin etnik në Kosovë dhe kur të gjitha, pa asnjë përjashtim, edhe me Francën në ballë votuan për bombardimin e Serbisë, pati një entuziazëm të lehtë dhe të gjithë menduan se dosjet e shekullit XIX do të rrinin të kyçura dhe Europa po projektohej drejt së ardhmes dhe se koha e dhunës dhe e luftërave do të duhej të merrte fund. Mirëpo, 11 shtatori i prishi të gjitha ekulibrat. Pas asaj ngjarjeje asgjë nuk është si më parë. Kujtoni maskrat në Ruandë ku kriminelët hutu edhe me ndihmën e armëve shqiptare të shitura nga qeveria e Sali Berishës, siç kujtonte me të drejtë një kolegu ynë këto ditë (Ramadan Gjana –Genocidi në Ruandë, tregtarët shqiptarë të armëve dhe roli i errët i Berishës, TemA 16 tetor 2019), masakruan mbi 1 million tutsi edhe me ndihmën dhe heshtjne franceze.

Në vendin e zotit Makron kjo dosje përvëluese i përplaset në fytyrë atij dhe shtetit francez vazhdimisht. Lufta në Irak, revolucionet në vendet arabe, kriza e tmerrshme në Siri, kjo që po ndodh tani në fund me Erdoganin në veri të Sirisë, dalja e Anglisë nga Bashkimi Europian, djegia e Parisit të zotit Makron për gjashtë muaj resht nga jelekverdhët, krizat e njëpasnjëshme që kanë prekur vendet e eurozonës, të gjitha këto e jutifikojnë frustrimin dhe pafuqinë që shfaq zoti Makron për të marrë vendime që do të linin një gjurmë të lehtë në këto zhvillime. Për fat të keq, nuk është kështu. E vetmja gjurmë që po mundohet të lërë zoti Makron është këmbëngulja për të mos pranuar që dy vende modeste të pajisen me letra që të bëhen pjesë e një klubi shtetesh që e patën themeluar dikur të tjerë europianë të mëdhenj. Protagonizmi që po tregon zoti Makron me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është si një heroizëm pa ide që nuk ndryshon asgjë. Ai ka vetëm një efekt.

Në imazh. Zoti Makron, me këtë këmbëngulje të tij duket sikur është i interesuar që gjithë ata që po e ndjekin këtë spektakël të kujtohen për biografinë e këtyre vendeve. Kjo ka bërë që të shpërthejnë të gjitha retorikat nacional romantike, të nxiten populistët dhe nacionalistët e të gjitha rrymave për të projektuar hartën e një rajoni siç është Ballkani me të gjitha anët negative që ka një organizim shoqëror.

Gjtihë kjo që po ndodh, në fakt, po merr pamjen e një spektakli me pjesëmarrës që konkurojnë në një talent show. Zoti Makron shfytëzon fuqinë e kartonit për të mos kaluar në turin tjetër dy konkurentë jo pse ata nuk e meritojnë, por sepse juria ka probleme vetë dhe se kampionati do të shtyhet. Paradoksi është kaq i madh sa në qoftë që ti e vëren me vëmendje të bën edhe për të qeshur. Pse ?

Ne kemi vendosur që të dorëzojmë disa nga pavarësitë tona, pra kemi hequr dorë nga disa elemente të sovranitetit për t’u bërë pjesë e një grupi më të madh shtetesh që nesër do të marrin vendim edhe për ne duke na kufizuar shumë nga liritë tona, por edhe duke na mundësuar që të përfitojmë nga përvoja dhe nga një bashkim që në punë të buxhetit do të na mundësojë të përfitojmë projekte më të mëdha. Por, kujdes ! Mos harroni Greqinë dhe atë që po paguan Portugalia tani. Që të bëhemi pjesë e kësaj familjeje duhet që të përafrohemi edhe në strukturën e ndërtimit demokratik. Këtu diskutimi është i hapur dhe pa fund. Edhe në këtë pikë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer të gjitha detyrat.

Mirëpo, përsëri zoti Makron mendon se këto dy vende as formalisht nuk duhen përfillur. Ana qesharake e vendimit të tij qëndron pikërisht në faktin se anëtarësimi i Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian do të kërkoj mbi dhjetë vjet. Zoti Makron, me frustrimin e tij dhe me dëshirën për të marrë rolin e protagonistit do të vërë në diskutim këtë Bashkim shtetesh që është sot, dhe që quhet Bashkimi Europian. Mirëpo, në qoftë se Anglia u largua nga kjo familje, nesër edhe Franca, kështu siç duken punët, kush na siguron se mund të kërkojë të largohet. Atëhere ç’kuptim do të kishte ky refuzim i Makronit ?

Pak më sipër përmenda se disa elita politike në Europë, kur vjen puna për vendime të rëndësishme hapin sirtarët e dosjeve të shekullit XIX. Në se është kështu, Shqipëria është me fat. Në atë kohë ka pasur një aleat të madh që ka qenë bota gjermanike dhe SHBA. E njëjta gjë është edhe sot. Shqipëria nuk dëmtohet nga refuzimi i zotit Makron. Përkundrazi, ky refuzim na kujtoi edhe njëherë se sado të stërhollohen politika dhe diplomacia, sirtarët që ruajnë dosjet e shëkullit XIX dhe ato të fillimit të shekullit XX, pra në kohën e krijimit të shteteve kombe, janë për fat të keq në disa raste aktive edhe sot.

Ato dosje më shumë na kujtojnë se çfarë jemi ne për një vend dhe çfarë meritojmë sipas tyre. Nuk ka rëndësi se çfarë bëjmë dhe si sillemi. Klishetë me të cilat vepron nganjëherë diplomacia europiane janë më të rrepta se vendimet e bazuara në realitete konkrete. Për fatin tonë të mirë, dy aleatë të palëkundur të vendit tonë SHBA-të dhe Gjermania jo vetëm që nuk e kanë diskutuar asnjëherë identitetin tonë, por na kanë çmuar edhe për atë që kemi bërë. Është fat që në mënyrë të natryshme dhe historike, orientimi shqiptar që nga kohët e vjetra të historisë ka qenë për nga poli i parë i perëndimit që është ai Euro-atlantik. Ndaj edhe frustrimi dhe nervozizmi i zotit Makron, por edhe shpërfillja dhe bezdia që ka ai me shqiptarët që po i « zaptojnë » Francën është një gjë që jo vetëm nuk na dëmton, por as nuk na gëzon. Thjesht na lë indiferent.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SPARTAK NGJELA/ I vogli Macron le të plasë nga marazi, Franca nuk i bën më dot asnjë gjë Shqipërisë
Previous article MENTOR KIKIA/ Zoti Macron, thuaju francezëve atë që paraardhësit e tu u thanë për Kadarenë e të tjerë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k