• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
AFRIM KRASNIQI/ Shumica e qeverisë iku, show u garantua, mediat morën lajm e qytetarët ushqim për biseda kafenesh, por sfidat reale mbetën
Home
Politikë

AFRIM KRASNIQI/ Shumica e qeverisë iku, show u garantua, mediat morën lajm e qytetarët ushqim për biseda kafenesh, por sfidat reale mbetën

December 28th, 2018 F.autor Blog, Politikë 0 comments

Nga Afrim Krasniqi

Në dhjetor 2017 kryeministri pati lajmëruar se 2018 do të ishte viti i sukseseve dhe reformave të mëdha, duke e bazuar pritshmërinë tek rezultati elektoral dhe tek kabineti “më i mirë që kemi pasur ndonjëherë”.

Pas një viti, 66% e qeverisë së shtatorit 2017 është shkarkuar. Ish ministrit të brendshëm Xhafaj iu bashkuan edhe tetë ministra të tjerë, midis të cilëve edhe një ministre me vetëm një vit në detyrë. Në politikë asnjëherë shkarkimet nuk vijnë nga suksesi, por nga dështimi.

Në dhjetor 2017 PS ishte në qiellin e shtatë, fituese absolute në zgjedhje, e vetme duke shijuar tepsinë e pushtetit.

Në dhjetor 2018 PS është e vetmuar në pushtet, e lodhur nga mbi-pushteti dhe në krizë identiteti, duke eksperimentuar të gjejë rrugët e daljes prej saj.

Ndryshimi i fundit i kabinetit nuk lidhet vetëm me mallkimin tradicional të mandatit të dytë, ai është veprim i imponuar nga pafuqia për ndryshim, pafuqia për reforma, pafuqi për të mbajtur premtimet dhe po ashtu, pafuqia për të “ndërtuar shtet”, sipas sloganit elektoral të 2018.

Çfarë ka ndodhur që brenda 365 ditëve mazhorancë e vetme që fitoi më shumë deputetë në mandatin e dytë sesa në mandatin e parë, siç tha vetë kryeministri, është “mpirë”, “administrata është mbushur nga hajdutët, parazitët dhe gjithfarëlloj fundërrinash që vazhdojnë të cenojnë drejtpërdrejtë qytetarin duke tundur lloj-lloj famujsh që nga flamuri i PS, tek flamuri i krushqisë, flamuri i vëllazërisë, tek flamuri i radhës”, “kemi humbur lidhjet me qytetarët”, “na ka kapur sëmundja e tepsisë”? dhe mbi të gjitha, cila është zgjidhja ndaj fenomeneve të tilla?

Kryeministri mendon se zgjidhja është partia dhe ndryshimet në kabinet, – “një parti rruge” siç tha ai, dhe ministra të rinj me energji të reja.

Në fund lexoi listën, – ikën 8, erdhën 8+1, duke rikthyer postin e marrëdhënieve me Kuvendin. Ikën ministrat me 5 vjet mandat, por edhe 1 me vetëm 1 vit mandat, 2 të tjerë u paralajmëruan për shkarkim në qershor, dhe nga lista e vitit 2017 mbeti vetëm kryeministri, Majko, Gjonaj dh Xhaçka, kjo e fundit, e kërcënuar me shkrirjen e forumit të grave “komuniste” që ajo drejton, siç Rama e cilësoi.

Përgjigja është shumë më e thjeshtë sesa labirinti i fjalëve që kryeministri përdori. Shqipëria vijon prej më shumë se një viti të mos ketë qeverisje, mazhorancë është në nivel të njëjtë arrogance me mazhorancën e djathtë që rrezoi më 2013, skandalet financiare me miliona euro kanë përfshirë ekipin e tij më të afërt, protestat e studentëve, banorëve, grupeve të interesit, etj, vijojnë të jenë headline në media dhe vendimet kryesore të vetë qeverisë janë në funksion vetëm të një pakice oligarkësh.

Fati i madh i mazhorancës është se dobësia e opozitës dhe pafuqia e saj për tu reformuar. Në rrethana të tjera, me një opozitë cilësore e konkurruese, asnjë mazhorancë e tillë nuk do të mbijetonte.

Duke perifrazuar përsëri kryeministrin, kur dy muaj më parë deklaroi publikisht se politika është lojë shahu, – aktet e tij të ditëve dhe orëve të fundit, kanë pikërisht këtë filozofi, – lojën e shahut.

Ai largoi një numër ushtarësh të panevojshëm dhe i zëvendësoi me të rinj, kaloi përgjegjësinë tek vartësit dhe siguroi veten e tij, ofroi vendimmarrje simbolike si emërimi i dy emrave pa profil politik e publik si ministra “patriotikë” dhe investoi kështu të tërheqë vëmendjen nga problemet reale, paralajmëroi shkarkime të tjera duke i dhënë vetes më shumë fuqi sesa i njeh Kushtetuta, deklaroi punësime të reja pa ligj e konkurs, duke rrëzuar tezën “në bëjmë shtet” që tu ofrojë disa karamele politike studentëve protestues, forcoi linjën vertikale personale pa pasur nevojë më për dëshmitarë, ndryshoi tërë elitën e vjetër politike në PS dhe i ngarkoi deputetit më aktiv në parlament detyrën që të shuajë zemërimin e militantëve në parti përmes koordinimit midis ministrive.

Fundi i lojës? Ka një praktikë shqiptare nga vitet ’30 që në politikë njihet si “teoria e shfryrjes periodike”, sipas të cilës, shefi i madh i ndryshon ministrat çdo vit, dhe kështu, qytetarët e pakënaqur u japin kohë disa muaj ministrave të rinj të mësojnë detyrën dhe kur vjen koha të provohen, edhe ata zëvendësohen. Një cikël ndryshimesh sipas teorisë së lojës së shahut, që sakrifikon gjithçka në funksion të një qëllimi të vetëm, qëndrimi në pushtet, dhe më pas, përmes këtij qëllimi, kontrollin mbi gjithçka.

E njëjta situatë po përsëritet edhe sot, në kushtet e reja, tek partia e të varfërve që bën mbledhje, rrëzon e krijon qeveri tek hoteli i një prej oligarkëve më të pasur në vend, – klient i saj. Një simbolikë që flet shumë për pafuqinë reale për ndryshim.

Në hotelin ku do të ngrihen ca kulla të reja shumëkatëshe, brenda 60 minutave u ndryshuan ca ministra, erdhën ca të tjerë. As analizë, as standard vlerësimi, reflektim, as platformë, as alternativë, thjesht emra, fjalë dhe akte simbolike, – tipike për lojën e shahut në politikë.

Skena është kaq absurde sa ata që u shkarkuan apo u emëruan e morën vesh live në ERTV, ndërkohë që media, politikanë, qytetarë e diplomatë po harxhojnë orë kërkim për të mësuar emrat, fotot e CV-të e ministrit të jashtëm apo të financave, – dy poste që në çdo vend e qeverisje serioze duhet të jenë standardi më i lartë i legjitimitetit, aftësisë dhe besimit publik.

Shumica e qeverisë iku, show u garantua, mediat morën lajm e qytetarët ushqim për biseda kafenesh, por sfidat reale mbetën pa pergjigje, problemet reale mbeten pa zgjidhje, reformat e premtuara mbetën në letër dhe shpresa për t’i dhënë fund tranzicionit mbeti edhe më tej utopi.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ENDRI KAJSIU/ Kur opozita thotë me zërin e "emigrantëve", atë që se tha dot me zërin e studentëve
Previous article ENVER ROBELLI/ A u largua Ditmir Bushati nga posti për shkak se kundërshtoi ndarjen e Kosovës?

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k