ZEFINA HASANI
Isha në premierë, të shtunën mbrëma. Ndjeva, ndërsa po zija vend në karrige, se po hyja menjëherë në habitatin e Ema Andreas, edhe pse ende s’kish nisur të thoshte as edhe një fjalë. Se këtë të bën ajo kur është në skenë, të përthith gjithë vëmendjen, mjaft t’i shohësh sytë e duart në përpëlitjet, siç i komandon ajo, për të hyrë në rol.
E kur hyri totalisht, nxori prej aty ndjesitë e zhytura thellë në nëndijen e saj, kujtimet që edhe pse gjasme të harruara nëpër vorbullën e karrierës, i kanë shenjuar jetën dhe mardhënien me të birin, nxori zërin e saj në këngë trishtimi e në klithma dhimbjesh për gjithçka e ka lënduar e që se ndreq dot më, nxori lotët, uffff ç’lot gruaje që s’gjen dot ekulibrin mes pendesës e kënaqësisë së egos së vet, nxori trupin e zhveshur deri në gjoksin e nënës që dridhet në lemeri, për të riafruar të birin e braktisur vite më parë.
Ema Andrea nxori më të mirën e vet duke u shndërruar në atë pak hapësirë prej “Tulle”, në një forcë e energji, që ta mbërthen e ta mban frymën pezull edhe pasi gjithçka ka përfunduar, edhe pasi je pranë saj duke e përqafuar dhe e përgëzuar tashmë si Emën e zhveshur nga roli.
Jam e bindur që regjisori Dino Mustafiç e ka ditur që do të ndodhte pikërisht kështu. “Equus”, sjellë po prej tij në Teatrin Kombëtar, ishte paralajmëtarja e këtij suksesi tjetër në bashkëpunimin e tij me Ema Andrean.
“Nëna dhe fëmija” e Jon Fosse është drama që duhet parë patjetër, si shfaqja që përzien mjeshtërisht këngën e mallit e vajit, tingullin e pianos në sfond, koreografitë e një teatri modern, (që edhe nëse s’arrin t’i kuptosh të ç’tensionojnë me energjinë që sjellin), me një mori gjendjesh e emocionesh që të shkulin stomakun vendit. Por ja vlen ta marrësh një adrenalinë të atillë!
Leave a Reply