Në vijim të këtij komenti dëshiroj të ndaj me lexuesit një arsyetim mbi normën e fitimit në 20 sipërmarrjet me normat më të larta të kthimit, që marrin mbrapsht si fitim më shumë se 50% të të ardhurave të realizuara gjatë vitit, të analizua në numrin e fundit të revistës “Monitor”. Arsyetimi im mbështetet në dy abstragime kryesore: e para, të dhënat janë zyrtare dhe të raportuara nga vetë kompanitë, pra do të pranojmë legjitimitetin e tyre dhe, së dyti, do të arsyetojmë sikur sipërmarrjet në fjalë kanë pak a shumë të njëjtin nivel të evazionit fiskal/fshehjes së taksave apo ndryshe informalitetit në veprimtarinë e tyre.
Pra, të dhënat e ofruara janë të bashkëmatshme dhe dallimi ndërmjet tyre qëndron në faktorë të tjerë që lidhen me burimet e kapitalit fillestar apo të avancuar më vonë për ristrukturim e modernizim, me aftësitë menaxheriale, me sjelljen e konsumatorëve, etj. Pra, jo pa qëllim lashë jashtë marrjes në konsideratë në arsyetimin tim si shkak për diferenca në normën e fitimit dhe qenien e këtyre sipërmarrjeve në “top-listë” sa i takon kësaj norme efektin e konkurrencës në tregjet respektive. Le të përpiqemi të hedhim pak dritë në këtë aspekt.
Gjithashtu, për qëllime metodike, emrat e kompanive nuk janë subjekt i diskutimit dhe analiza ime e mëposhtme mbështetet në krahasimin e bizneseve që kanë siguruar mbi 50% fitim vjetor me sektorët apo nënsektorët e veprimtarisë së tyre. D.m.th. do të përpiqem të shoh pozitën e këtyre sipërmarrjeve shumë fitimprurëse në kontekstin apo ngjashmërinë me biznese të tjera të së njëjtës fushë veprimtarie. Le t’i marrim me radhë disa nga veprimtaritë e analizuara nga “Monitor”.
1. QENDRAT TREGTARE
Nëse ka ndonjë fushë biznesi në të cilën Tirana dhe Shqipëria në tërësi është e saturuar (tejngopur) janë qendrat tregtare. D.m.th., sipërfaqja e këtyre qendrave për 1000 banorë është krejt e ngjashme me vendet përreth, madje është e krahasueshme edhe me disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Europës, në të cilat ka një fluks prej disa miliona vizitorësh/klientësh në ditë…
Ajo që i bashkon këto sipërmarrje në vendet perëndimore është norma e fitimit, që nuk dallon shumë nga njëra sipërmarrje të tjera, d.m.th. atje forcat e tregut kanë bërë punën e vet, sepse tregu është e lirë në kuptimin ligjor, institucional dhe shoqëror të fjalës… Në fakt, qysh dy vjet më parë, atëherë kur Tirana Ring Center dhe Toptani Complex Center nuk ishin ndërtuar ende, “Monitor” vërente se “…përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë mëse një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit.
Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 200 m² për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë. Kuptohet lehtë se ndërtim edhe i 11 i kullave shumëkatëshe në kuadër të betonizimit të paralajmëruar të Tiranës do ta ndryshojë dukshëm këtë panoramë. Gjithsesi, diferenca duhet parë e lidhur ngushtë me burimet e kapitalit dhe pak ose aspak e lidhur me veprimtari ekonomike normale e, aq më pak me zhvillimin ekonomik e shoqëror të dëshirueshëm të vendit.
Gjithashtu, të dhënat tregojnë se sipërmarrje të caktuara kanë ndjekur ciklin e biznesit dhe njëkohësisht kanë synuar edhe segmente të caktuara të klientelës, gjë që u ka siguruar edhe avantazhe në treg. Vlen të theksohet se rendja drejt qendrave të reja tregtare dëshmon për motivim nga shkaqe joekonomike apo biznesi, dhe se gjithë bizneset që po orientohen drejt këtyre sektorëve pa produktivitet të lartë dhe pa ndonjë vlerë të shtuar në ekonominë tonë kombëtare.
2. SHITJE, BLERJE, DHËNIE/MARRJE ME QIRA TË PRONAVE TË PALUAJTSHME
Zakonisht kjo fushë veprimtarie, përveçse shfaqet me diferenca të vogla në normën e fitimit, ka si karakteristikë që kushtëzohet dukshëm me fazën e zhvillimit të tregut specifik (sa i ngopur është), me lulëzimin e ekonomisë, pra me një rritje ekonomike që u mundëson familjeve të investojnë kursimet e veta për përmirë- simin e kushteve të strehimit dhe të banimit, etj. Në rastin tonë, ky treg është ndër më të tejngopurit, numri i popullsisë ka shënuar rritje negative qysh nga viti 2012, investimet e emigracionit kanë pësuar rënie të dukshme, etj. I vetmi faktor “favorizues” në gjallërimin e këtij tregu janë paratë me burim veprimtarinë kriminale të drogës, por që ekonomikisht është faktor deformues i konkurrencës, jo vetëm në këtë treg, por edhe në tregjet e tjera të lidhura me të dhe ekonominë kombëtare në tërësi…
3. KOMPANITË KONCESIONARE
Pavarësisht fushës së veprimtarisë, sipërmarrjet koncesionare janë pa dyshim forma më e dukshme e grabitjes me ligj të pasurive kombëtare dhe fondeve buxhetore të vendit, d.m.th. e sigurimit të superfitimeve “të ligjshme”, por që dëmtojnë konkurrencën në tregjet e së njëjtës fushë veprimtarie, rrëmbejnë shuma të mëdha fondesh buxhetore, madje në disa raste edhe filluar fare veprimtarinë e “propozimit të pakërkuar” me fitim shumë të kërkuar dhe të garantuar nga qeveria dhe Kuvendi në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, etj.
Kështu, një numri koncesionesh në sektorin energjetik, Enti Rregullator përkatës dhe vetë Kuvendi u kanë garantuar blerjen e energjisë me një çmim të garantuar që reflekton investimin e vetëdeklaruar të këtyre sipërmarrjeve. Mjafton një auditim i thjeshtë i këtyre investimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (për makineritë e importuara) apo në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (për numrin e të punësuarve në periudhën e investimit, shpenzimeve për inovacione, trajnime, etj.) dhe shumë prej tyre do të detyroheshin të rinegocionin çmimin e shitjes me shumicë për ta përshtatur me kushtet ligjore të kontratës koncesionare.
Por, më kryesorja mbetet hapja e tregut dhe detyrimi i tyre për të konkurruar në treg, si kudo në botën përreth nesh. Për llojet të tjera të koncesioneve (në shëndetësi, përpunimin e mbetjeve urbane,. etj.) nuk po ndalem më gjatë pasi i kam trajtuar disa herë në mjetet e ndryshme të informimit. Ajo që mund të thuhet është se këto koncesione apo të ashtuquajtura “partneritete publike-private” nuk janë gjë tjetër veçse tenderë publikë pa konkurrencë në treg; kryesisht në favor të kompanive “offshore” apo kompanive “guaskë”, mbas të cilave kanë interes vendimmarrës dhe ligjëvënës të rëndësishëm të shtetit; për 10, 20 apo tridhjetë vitet e ardhshme, duke rritur koston e shërbimit të ofruar për qytetarët dhe rritje të pakontrolluar të borxhit publik për vitet në vijim, duke krijuar mundësi përfitimi të shpejtë dhe të garantuar për klientët e qeverisë së radhës.
Mjafton të lexohen raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të dekadës së fundit për të kuptuar se sa larg ka shkuar cenimi i interesave publike, duke përdorur ligjin. Në literaturën mbi korrupsionin këto forma njihen si forma të “kapjes së shtetit” në të cilat ka interes jo vetëm oligarkia vendase dhe lobet e biznesit, por edhe mafia e vendeve fqinje të BE-së, dhe për këtë arsye janë subjekt i hetimit penal me përparësi, pavarësisht kohës se kur kanë ndodhur. Fshehja mbas vendimmarrjeve kolegjiale të qeverisë apo “komisioneve të vlerësimit të ofertave”, etj., nuk shpë- ton nga ndëshkimi mbulesat politikë të vendimmarrjeve të tilla.
4. SIPËRMARRJE TË NDËRTIMIT
Ashtu si për shitjen, blerjen, dhënien/ marrjen me qira të pronave të paluajtshme, edhe sektori i ndërtimit kushtëzohet, nga njëra anë nga saturimi i tregut, ndërsa, nga ana tjetër, nga dinamika e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Ndërkaq, duke marrë parasysh se në këtë sektor operojnë një numër i madh kompanish, mendoj se norma tejet e lartë e fitimit – “enorme” – reflekton pa dyshim burimin e kapitalit ose/edhe tolerimin nga aparati fiskal i vendit. Të dhënat tregojnë se ky sektor aktualisht po thith gjithë kapitalin e lirë, por që në pjesën më të madhe nuk dihet se nga vjen…
5. SUBJEKTET E LOJËRAVE TË FATIT
Nuk është më sekret, sepse fakti që dy grupimet kryesore politike të vendit kanë përmbushur cikle të plota qeverisjeje ka provuar qartë se sulmet e fushatës ndaj parregullsive fiskale, favorizimeve të oligarkëve të caktuar, apo keqpërdorimit të pushtetit, etj. synojnë të ndikojnë në grumbullimin e parave të nevojshme për fushatën e radhës, por edhe të “ushqyerjes” së rrjeteve korruptive të partive politike, pra riorientimin e fluksit të parave drejt tyre…
Modeli i lojërave të fatit është dëshmia më e dukshme për këtë qëllim. Nuk besoj se na nderon si vend fakti që në Tiranë dhe jo vetëm, ka më shumë ambiente të biznesit të lojërave të fatit sesa kopshte fëmijësh apo shkolla të arsimit te detyrueshëm dhe rritja “enorme” e fitimeve të deklaruara të tyre lidhet me varfërinë dhe jo me pasurinë, me korrupsionin politik dhe jo me mirëqeverisjen e, mbi të gjitha, me futjen në qarkullimin ekonomik/zbardhjen e parave të drogës…
6. KONTRATAT ME SIPËRMARRJET ME PRONËSI SHTETËRORE
Norma e lartë e fitimit të deklaruar në sipërmarrjet, që kanë kontrata me sipërmarrjet me pronësi shtetërore është dëshmia më e mirë e vendimmarrjeve klienteliste në procesin e prokurimit publik, e përqendrimit të parave publike në pak duar, të përzgjedhura në mënyrë preferenciale, e për rrjedhojë e rritjes së korrupsionit që shoqëron vendimmarrjet për fondet publikë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe sipërmarrjet që operojnë në kushte monopol apo të krijuara nën ndikimin e interesave financiare të drejtuesve politike për të ofruar shërbime që krijohen posaçërisht apo që mbarten në operatorë ekonomikë privatë mbi baza jo konkurruese.
Vlen të theksohet se për një numër arsyesh, një pjesë e të cilave lidhen me paaftësinë e administratës shtetërore, por edhe me interesat korruptive, sponsorizimet e fshehta pa kaluar në buxhetin e shtetit, krijimin e vendeve të preferuara të punës apo bordeve drejtuese për militantë partiakë, etj., gjatë dekadës së fundit janë injoruar edhe principet mbi të cilat krijohen tarifat për shërbimet publike, duke u dhënë atyre natyrën e taksave të tërthorta për shërbime publike të natyrës monopol. Për fat të keq, kjo ka ndodhur në shumicën e shërbimeve publike dhe në këtë fushë është përfshirë edhe pushteti vendor, edhe agjencitë kryesore publike të vendit.
Si rezultat, në disa sektorë sigurohen “të ardhura dytë- sorë” në shuma të mëdha si në ZRPP, targimin e makinave, etj., në disa sektorë të tjerë ndikohet sektori privat të rrisë tarifat e veta për të njëjtat shërbime, etj,. në raste të tjera vendosen taksa që nuk kanë kuptim (p.sh taksa lokale për arsimin), etj.. E përbashkëta e tyre është përkeqësimi i dukshëm i nivelit të jetesës së familjeve shqiptare për këtë shkak, sidomos i atyre me të ardhura të ulëta dhe në nevojë.
Mospranimi, nga ana e Qeverisë, i përcaktimit të minimumit jetik, reflekton jo vetëm largimin e politikave publike nga interesat themelore të qytetarëve, por edhe ndikimin në rritje të oligarkisë dhe lobeve të biznesit mbi vendimmarrjet strategjike të saj. Në analizën e “Monitor” përmenden edhe universitete private që rezultojnë me normë të lartë fitimi, gjë që komprometon si deklarimet zyrtare të “shndërrimit të tyre në një të mirë publike”, por tregon edhe dobësitë e mbikëqyrjes së tyre, mosfunksionimin e bordeve dhe pozitën tejet të pafavorshme të studentëve të këtyre universiteteve që kanë qenë të detyruar të regjistrohen në to.
Gjithsesi, themelore mbetet mungesa e konkurrencës midis universiteteve private, shfrytëzimi i tregut të ndarë ndërmjet tyre dhe dobësitë e mbikëqyrjes, sidomos në drejtim te certifikimit të cilësisë së shkollimit në këto shkolla të larta, të ashtuquajtura “universitete”. Në të dhënat zyrtare të viteve të fundit ka edhe paradokse të tilla, siç është rasti i OSHEE-së, e cila siguron me fitimet më të larta në vend dhe nuk ka në plan të ulë çmimet, e mbi të gjitha nuk paguan taksat, d.m.th. është edhe debitori më i madh në Tatime…
Si konkluzion, mund të thuhet pa frikë se sipërmarrjet me normë fitimi mbi 50% të të ardhurave të realizuara gjatë vitit janë vetëm kompanitë koncesionare dhe sipërmarrjet që fitojnë shumë nga tenderët publike, d.m.th. ato fusha veprimtarie private që paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe disa kompani të ngritura posaçërisht për shërbime të ndryshme, të cilat më parë ofroheshin nga vetë utilitetet publike si; shpërndarja e energjisë, apo ujësjellësit, të cilët kanë numër të kufizuar punonjësish, por që sigurojnë superfitime. Në të njëjtën kohë, ekonomia jonë kombëtare duket se është nën një presion të madh për futjen në qarkullim të parave me origjinë të dyshimtë kriminale (parave të drogës), gjë që paralajmëron rreziqe të reja e të panjohura më parë në të ardhmen e afërt.
Leave a Reply