Samiti i ardhshëm i Këshil lit të Bashkimit Europian do të jetë vendimtar për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Plani ishte – dhe ende është – që krerët europianë do të diskutojnë seriozisht për zgjerimin, për herë të parë që prej vitit 2014. Por ekziston një rrezik i madh që çështjet e emigracionit që kanë kapur se fundmi qeverinë gjermane, por edhe ndarja që është e dukshme midis vendeve të Bashkimit Europian në lidhje me migracionin, do të largojë përsëri vëmendjen politike nga çështja e zgjerimit. Ky do të ishte fat i keq.
IMPLIKIME PËR SIGURINË EUROPIANE
Duke pasur parasysh ndarjet dhe ngatërresat politike dhe etnike ne rajon, lënia e Ballkanit jashtë strukturave euroatlantike, mund të paraqesë kërcënime reale për sigurinë europiane. Armiqësitë e vjetra etnike dhe sfidat e një tranzicioni të pafundme, të shoqëruara edhe me tendenca të reja shqetësuese të përkeqësimit demokratik, si edhe rritja e ndikimit problematik të disa vendeve të huaja në rajon, mund të përbëjnë fatkeqësisht një recetë të gatshme për ripërtëritje konfliktesh në Ballkan.
Vakum i pushtetit, i krijuar nga mungesa e një angazhimi të qartë politik të Perëndimit në rajon ka çuar në ” lodhje ndaj reformave” dhe kthime “mbrapsht” në shumë fusha në rajon. Kjo, nga ana tjetër, zgjeron edhe më tej hendekun institucional dhe ekonomik të Ballkanit me vendet e Europës Perëndimore. Ditët e ardhshme, dy vende – Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – presin hapjen e negociatave të BE, pas edhe rekomandimeve pozitive të Komisionit të BE-së në raportet e progresit të publikuara në prill. Duhet bërë më shumë.
Kjo reflekton se është arritur progres në rajon, por nevoja për të vazhduar reformat, sot është më e fortë se kurrë. Për Shqipërinë, hapja e negociatave, pas disa vitesh tashmë në dhomën e pritjes së BE, do të dërgojë mesazhin e duhur për të vazhduar me reformat e nevojshme institucionale. Hapja e negociatave gjithashtu do të ndihmojë në qetësimin e klimës toksike politike ne vend, një veçori e dallueshme e politikës shqiptare që nga fillimi i tranzicionit.
Për ish-Republikën e Maqedonisë, menjëherë pas marrëveshjes historike me Greqinë, e cila i dha fund mosmarrëveshjes 25- vjeçare në lidhje me emrin, mbështetja e BE dhe drita jeshile në procesin e integrimit është më e nevojshme se kurrë. Duke pasur parasysh shoqëritë gjithnjë e më të polarizuara dhe pesimiste në Ballkan, nëse njerëzit në Maqedoni do të ndiejnë (mendojnë) se nuk po marrin asgjë në këmbim nga Perëndimi, ekziston një rrezik i mundshëm dështimi (referendumi popullor për marrëveshjen e emrit).
Kjo gjë do të ishte e dëmshme jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin. Për të qenë të qartë, hapja e negociatave nuk do të thotë ndonjë caktim date të synuar për pranim në BE, por ato janë të rëndësishme për të dërguar një mesazh politik të fortë në rajon. Kjo është më e rëndësishme në këtë moment, pasi një dritare e mundshme duket se u hap me strategjinë e re të Komisionit të BE për një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Ky ka qenë ndoshta edhe dokumenti më optimist që nga Samiti i Selanikut të vitit 2003. Por, përkundër të gjitha pritshmërive, Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Sofje disa javë më parë, ishte çdo gjë tjetër, por jo një Selanik
2. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë probleme për të zgjidhur. Megjithatë, mbajtja e joshjes së BE-së (forcës tërheqëse) në rajon është kritike. Për të qenë të sigurt, lojtarë të tjerë -si Rusia, Turqia apo dhe Kina – po punojnë shumë për të mbushur boshllëqet. Duke vepruar si përfitues oportunistë, ata janë të prirur të përdorin dobësitë ekzistuese të brendshme institucionale.
SHQETËSIMET E BE-SË
Në mënyrë të kuptueshme, disa vende të BE-së gjithashtu kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me nivelet e larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional në Ballkanin Perëndimor, por edhe sfidat me çështjet e migracionit nga rajoni. Hapja e negociatave me BE nuk do të thotë që standardet të zvogëlohen. Por do të ishte një sinjal i fortë i solidaritetit me rajonin – dhe një shtytje e vërtetë besimi (dhënie dore) për reformatorët në vendet e ndryshme të Ballkanit.
Vetëm procesi i integrimit në BE do të mbajë Ballkanin Perëndimor në rrugën e duhur, duke u marrë seriozisht me çështjet e transparencës, sundimit të ligjit dhe llogaridhënies. Ka edhe një rrezik tjetre, që mungesa e angazhimit politik të BE-së do të keqpërdoret nga disa liderë të Ballkanit Perëndimor për të ndalur vazhdimin e reformave aq të nevojshme. Samiti i BE-së në ditët e ardhshme mund të jetë një “deal ose jo” për të ardhmen Europiane të Ballkanit Perëndimor. Do të ishte gjithashtu një provë e vërtetë edhe për vete BE-në, fituesen e çmimit “Nobel për Paqen”.
Me nivelet e të ardhurave për fryme rajonale deri në 5,000 dollarë, të barabarta me vetëm 13% të të ardhurave mesatare të BE-së, perspektivat për ndonjë konvergjencë të shpejtë me Perëndimin janë të zymta. Në këtë situatë, shumica e qytetarëve po konsiderojnë të largohen nga vendet e tyre. Rrjedhja e vazhdueshme e trurit nga Ballkani Perëndimor së shpejti mund të bëhet një sfidë e re sigurie. Kjo është një çështje që duhet të merret seriozisht nga një fitues i Çmimit Nobel.
Leave a Reply