Vendimi i parë provoi se sita e Vettingut qenka aq e hollë sa të nxjerrë bashkë me krundet e zahiresë 27 vjeçare të Gjyqësorit edhe pluhurin e pasurisë së pajustifikuar, e jo më pasuritë marramendëse të justifikuara jo rrallë herë me argumente telenovelash.
Sot gojët e liga kundër Vettingut duhet të heshtin përgjithmonë dhe të lënë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Komisionerin Publik, Vëzhguesit Ndërkombëtar të ONM dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të bëjnë detyrën që u ka ngarkuar Kushtetuta dhe Ligji.
Për hir të të vërtetës, në gjykimin dhe vendimin e parë të Vettingut unë nuk pashë ndonjë linçim apo denigrim publik dhe as gjyq popullor të tipit punist ndaj askujt… Përkundrazi, duke e stigmatizuar në gjuhën popullore unë pashë një gjykim të tipit modern “ja sheshi – ja mejdani “, me rregulla loje të përcaktuara qartë në kushtetutë dhe në ligj dhe të ditura paraprakisht nga palët.
Pala që doli në mejdanin e Vettingut me duar në xhepa humbi;
Pala që mbrojti me seriozitet interesin publik, me dokumenta dhe shkresa me vulë fitoi!
Por mbi të gjitha fitoi drejtësia, fitoi e vërteta.
Nga sot politika në Shqipëri është e dënuar ta shohë vettingun me pozitivitet, ta mbështesë me vullnetin e duhur politik dhe ti japë procesit besimin e duhur; ndërkohë që garanti ndërkombëtar po e bën detyrën si duhet, siç ia ka paraparë Kushtetuta e ligji…
Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të uroj zbatimin konkret dhe korrekt të Reformës në Drejtësi dhe të Vettingut si zembreku i kësaj reforme.
Leave a Reply