• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
Teatri Kombëtar është “Toka jonë”!
Home
Blog

Teatri Kombëtar është “Toka jonë”!

April 23rd, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

STEFAN ÇAPALIKU

Në vitin 1953, ende djalë i ri. Kolë Jakova shkruan dramën “Toka jonë”. Drama vihet në skenë një vit më vonë. Premiera e saj u dha me 16 janar të vitit 1954, nën regjinë e Pandi Stillu. Dhe dhjetë vite më vonë, më 1964, do xhirohet si film nga Hysen Hakani. Drama “Toka jonë”, në shestimin e saj  tematik e problemor, fokusonte fenomenin e reformave komuniste në bujqësi fill pas Luftës II Botërore, shpronësimet e fshatarëve të kamur apo kulakëve dhe shpërndarjen e pronës së tyre, të rrëmbyer me dhunë, te fshatarët pa tokë apo argatët.

Kam përshtypjen se aso kohe, por fatkeqësisht as më vonë, askush nuk e vuri re, madje as kritika, se Kolë Jakova kishte shkruar një vepër aq të mirë, sepse ishte mbështetur mbi një strukturë solide dramatike, duke e dekontekstualizuar atë. Ai, si njeri thellësisht i kulturuar që ishte, edhe pse komunist i thekur, kishte shkruar një vepër, struktura narrative e së cilës ngjante si dy pika uji me “Hamletin” e Shekspirit.

A nuk kthehet Hamleti nga studimet në Kështjellën e Elsinorit në Danimarkë?

A nuk kthehet Murrashi nga lufta në fshatin e vet, buzë lumit Mat?

A nuk mëson Hamlet nga fantazma, se të atin ia ka vrarë i ungji, Klaudi?

A nuk mëson Murrashi nga Meti dhe shokët e tjerë se të atin, Gjokën, ia ka vrarë Tuç Maku, sivëllai i tij i gjakut?

A nuk mëson Hamleti se Klasudi ia ka vrarë të atin për t’u martuar me të ëmën, Gertrudën, dhe për t’i marrë kurorën, mbretërinë?

A nuk mëson Murrashi se Tuçi ka molestuar Loken dhe do të marrë tokat e familjes?

Pra, duket sheshit se veprimi skenik ka të njëjtat predispozita dramatike në të dyja veprat.

Nëse Hamleti kërkon të verifikojë atë çfarë i ka thënë fantazma, nëpërmjet një inskenimi të një grupi aktorësh, Murrashi e verifikon nëpërmjet mbledhjeve të Këshillit Popullor.

Nëse Hamleti do ta marrë hakun i vetëm, Murrashi kërkon ta marrë nëpërmjet Partisë.

Dhe në finale, që të dy vriten. Toka ndahet dhe kaq mjafton që të gjithëve t’u kenë mbetë në mendje batutat e fundit të LokeMarie Logorecit: “Shiko Marë, sa e bukur asht toka jonë!”.

Mirëpo, në fakt, dhe pavarësisht nga fundi optimist i Kolë Jakovës, me vrasjen e Hamlet-Murrashit, vritet edhe projekti hamletian, ai më i bukuri, më i miri, më i drejti. Vritet projekti për të vendosur drejtësi dhe rend.

A ka një njeri në këtë botë, që nuk do donte të ishte një ditë të vetëm HamletMurrash? Fatmirësisht, letërsia e madhe botërore është e mbushur me personazhe të tillë dhe fatkeqësisht, në të gjitha veprat e mëdha dhe të mira, projekti hamletian dështon…

Kaq shpesh dështon projekti hamletian dhe në mënyrë kaq të përsëritur dhe simetrike, sa që në vitin 1979 dramaturgu i madh gjermanolindor Heiner Muller, shkroi veprën e famshme në shtatë faqe “Hamletmakina”. “Hamletmakina” mund të konsiderohet si një pamflet kundër iluzionit vrasës, në kohën që njeriu mund të mbetet i pafajshëm, sepse siç ka thënë edhe FrankMichael Raddatz: “Qëllimi i Mullerit është që përmes paraqitjes së dështimit të karaktereve të tij, të prezantojë një ringjallje themelore të marrëdhënieve sociale”.

Heiner Muller e nis kësisoj tekstin e tij: “Isha Hamleti. Po rrija te bregu dhe flisja me valët e shkumbëzuara blablabla. Prapa meje, rrënojat e Europës. Ranë kambanat për funeralin shtetëror: vrasësi dhe e veja çift. Me hap rreshtor, ofiqarët ndjekin pas arkivolin e Kufomës së Lartë, duke vajtuar me kujë në këtë xhenaze të mjerë”.

Dhe në fund të këtij reflektimi, do dëshiroja t’ju ftoja të gjithëve ju të dashur lexues, që të ndaleni për një çast e të imagjinonit sesi kur të jetë shembur ky “Teatri jonë” i “Tokës kombëtare”, një djalosh shqiptar do të jetë kthyer nga studimet, nga studimet që sapo i ka nisë, e do t’i vijë përnatë vërdallë kullave, me shpresën se do i dalë një fantazmë diku nga dritarja e katit të dyzetekatërt të kullës së katërt, për t’ia treguar të vërtetën…

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MONIKA STAFA/ Sundimi i së drejtës dhe kur paraja gjendet në rrezik
Previous article Korridori shiit i Iranit drejt Mesdheut: Midis legjendës dhe realitetit

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k