• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Voltanat nuk janë zgjidhja
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Voltanat nuk janë zgjidhja

August 29th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Skënder Minxhozi/

Planet e kryeministrit Rama për të përzgjedhur një numër zyrtarësh të administratës në Shkodër në bazë të gjinisë, kanë hedhur dyshime mbi kriteret dhe mekanizmin e rekrutimit dhe promovimit të drejtuesve të institucioneve shtetërore. Më i fundit ka dhënë dorëheqjen, i shtyrë nga kjo nismë e kreut të qeverisë, një drejtor i hetimit tatimor i cili kishte vetëm dy muaj që ishte emëruar në atë detyrë.

Shumëkujt do t’i kujtohet sesi në vjeshtën e vitit 2017 kryeministri vendosi t’i përzgjedhë 12 prefektët e rinj, mes shtresës së ish-ushtarakëve, duke e justifikuar veprimin e tij me shkallën e përgjegjshmërisë dhe korrektesën që e karakterizon këtë kategori personash. Ashtu si në rastin e prefektëve, edhe sot kur flitet për emërimin e disa drejtorëve lokalë, vështirë se do të ketë një mekanizëm publik që të na thotë se cila është shkalla e përfitimit real nga kjo lëvizje, e cila në terminologjinë e të drejtave civile kategorizohet si “diskriminim pozitiv”. Pra, promovimi i një pakice në dëm të shumicës së mbetur.

Që Edi Rama beson se gratë janë më rezultative dhe të pakorruptueshme sesa burrat, kjo është një tezë e vjetër e tij. Është gjithashtu edhe një nismë e lavdërueshme drejt barazisë gjinore, në një vend maskilist e të prapambetur sa i përket rolit dhe vendit të grave në të gjitha nivelet drejtuese të administratës e shtetit.

Por si çdo gjë e sforcuar dhe e panatyrshme, edhe kjo puna e grave drejtuese të Shkodrës ngjan më shumë si një goditje me efekt, si një gjest sugjestionues që kërkon të vjelë simpatinë e publikut me pak shpenzime, sesa si një politikë e pjekur dhe e mirëmenduar e një qeverie që ecën me plan dhe vizion. Sepse përtej momentit të parë të simpatisë, tek çdokush që e mendon pak më thellë atë që sheh e dëgjon, lind natyrshëm pyetja në dukje naive, por çarmatosëse: pse duhet të jesh grua që të jesh i aftë dhe i përshtatshëm për të qenë drejtor?! Pse u dashka të përjashtohet e gjithë kategoria mashkullore, vetëm për shkak se tradita na jep një listë të gjatë burrash autoritarë, të dhunshëm dhe të paditur, që kanë prerë majtas-djathtas, e që kanë bërë rrush e kumbulla paret e shtetit?! A mund të jetë ky lloj përgjithësimi, standarti më i saktë i vlerësimit të personave që duhen promovuar?

Kemi pafund shembuj burrash dhe grash të zotët, siç kemi një infinit shembujsh të tjerë, kur kanë qenë të pazotët, servilë dhe të anonimë të dyja kategoritë bashkë. Një shtet që bazohet tek merita, tek hierarkia e vlerave dhe jo të “fintat” e driblimet e momentit (si kjo puna e pushimit kolektiv të burrave nga puna), i ndan drejtë dhe siç duhet postet dhe detyrat. Përndryshe, nga aradha e gjatë e burrave “barkderra” dhe të korruptuar që gjallojnë në të gjitha katet e shtetit, do të biem në breshërin e grave të paditura, arrogante e servile të shefave. Të preferosh gratë apriori, do të thotë të demotivosh ndër të tjera pa të drejtë qindra djem të rinj të shkolluar këto 20 vjet brenda ose jashtë me rezultate të larta, por që për një “tekë kromozomesh”, s’mund të gjejnë dot punë në atdheun e tyre.

Asnjëra nga gjinitë e racës njerëzore nuk është e imunizuar nga e keqja. Kështu thonë edhe militantet më të forta të feminizmit sot në botë. Barazi trajtimi, barazi të drejtash. Jo si në Shkodër, ku nën hijen e Voltanës në ikje, po na thuhet të bëhemi gati ta presim zgjidhjen nga një listë grash që po zëvendësojnë masivisht burrat nëpër zyrat e qarkut. Voltanat nuk janë zgjidhja.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ANALIZA: Pse të inkriminuarit vazhdojnë të hyjnë në politikë?
Previous article AUREL BORIÇI/ Lotët për Amazonën… plehrat për Lanën

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k