• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Thirrja e pasinqertë për Vetingun e politikës: Ftoni më mirë Papa Françeskun!
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Thirrja e pasinqertë për Vetingun e politikës: Ftoni më mirë Papa Françeskun!

September 6th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Skënder Minxhozi/

Tundimi për të ekspozuar xhepat e një politikani, është një dëshirë e vjetër e çdo votuesi, në të katër anët e botës. Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky sport kombëtar i numërimit të lekëve të politikës. Opozita sapo ka njoftuar se do të paraqesë një projektligj për nisjen e Vetingut në rradhët e deputetëve, ministrave e zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit. PD pretendon se po i hyn një tjetër nisme të suksesshme, siç qe Dekriminalizimi, i cili megjithë tepritë dhe naivitetet që kishte brenda, krijoi një impakt për largimin nga parlamenti të disa deputetëve me shumë emra në gjendjet civile, këtu dhe jashtë vendit.

Përtej faktit se të përzesh nga politika disa persona rastësorë dhe pa asnjë kontribut në jetën parlamentare është shumë e ndryshme nga vetimi i burrave e grave që kanë drejtuar e drejtojnë vendin, vetë nisma për një Veting të politikës në këtë moment fut ujë dhe ka shijen e një akti kalimtar presioni mbi qeverinë. Dhe ja pse.

Politika me të gjithë emrat e saj të rëndësishëm e të parëndësishëm ka qenë aty prej 30 vjetësh. Ka qenë formalisht e kontrollueshme dhe e dënueshme nga mali i lartë i ligjeve, rregulloreve, verifikimeve dhe shqyrtimeve të të gjitha llojeve. Korpusi ligjor i Republikës së Shqipërisë lejon sot të dënohet, në letër, çdo kundravajtje a shkelje e kujtdo qoftë. Përfshirë dhe politikanët. Ka qenë aty kjo ngrehinë ligjesh kur kanë lindur piramidat financiare, kur janë vjedhur zgjedhjet, kur janë djegur gazetat, kur është pilotuar sipas qejfit buxheti i shtetit, kur janë ndihmuar miqtë e klientët e të gjitha palëve, kur janë dhënë koncesione e PPP të dyshimta, apo edhe kur janë vrarë njerëz në bulevard, në prezencën e një dyzine kamerash televizive a gazetarësh, e mijëra personash rreth e rrotull.

A ka ndodhur ndonjë akt sado i vogël vetimi për të gjitha këto? Jo! Dhe arsyeja ka qenë dhe mbetet ajo e përjetshmja: s’ka pasur “burrë nëne” të dënojë një politikan shqiptar! Përjashto burgun e Nanos (të cilin e ka harruar tashmë edhe ai vetë), sistemi i drejtësisë që na ka sunduar këto tre dekada, me bekimin dhe votën e politikës, ka ndalur çdo tentativë ndëshkimi për zullumqarët në majë të piramidës së shtetit e politikës.

Propozimi i fundit i opozitës për të kryer Vetingun e politikës, vetëm sa e shton mjegullën dhe hipokrizinë e një akti që duhej të kishte nisur në fakt shumë kohë më parë. Një pyetje për zotin Basha, meqë pretendon se ka hedhur një hap të madh: kush do t’i vetojë deputetët, ministrat, ish-ministrat, kryeministrat e presidentët që na kanë qeverisur?! Cila është ajo strukturë që do e ngrejë këtë gur Sizifi? Dhe çfarë tagresh ligjore speciale do të ketë?

Sipas pozicionit të sotëm zyrtar të opozitës, “drejtësia kontrollohet nga Edi Rama”. Është përsëritur aq shpesh kjo akuzë, saqë tani tingëllon e çuditshme dhe demagogjike që të hidhet propozimi për kontrollin e thellë të politikës, ndërkohë që institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë marrë ende formë dhe janë thellësisht të paragjykuara nga njëra palë. Çfarëdo që të ketë brenda projektligji i opozitës për Vetingun e klasën politike, problemi i instancës (apo instancave) që drejtojnë procesin dhe marrin vendimet për pastërtinë ose pisllëkun e një politikani, mbetet i pazgjidhur. Kush kontrollon kontrollorin, thotë shprehja e vjetër!

Nuk ka qenë e pamenduar nisja e reformës në drejtësi nga katet e “ulëta” të shtetit, tek sistemi i drejtësisë. Sepse pa një panel gjyqtarësh e prokurorësh të aftë, të ndershëm e rigorozë, katet e larta të politikës do të kenë imunitet të përjetshëm, siç edhe ka ndodhur deri më sot. Duhej pastruar drejtësia, që të sillej në gjendjen dhe standartin e përballjes me korrupsionin dhe pushtetin e politikës. Rrugët e tjera janë të gjitha hipokrite e të pamundura, tamam si ato komisionet hetimore parlamentare që shkaktojnë sherre pafund, por pa të vrarë e të plagosur. Edhe nisma aktuale e opozitës, duket si një luftë me fishekë manovre. Nga ata që të bëjnë me bojë, por që nuk të marrin jetën.

Të pretendosh të pastrosh politikën me komisione ad hoc a shpikje artificiale që anashkalojnë ligjin dhe sistemin e drejtësisë, do të thotë të prodhosh tym në vend të zjarrit. Sepse përtej gjykatave e prokurorive, veç në thirrshim Papa Françeskun e Dalai Lamën që të venë vulën mbi dëftesën e pastërtisë së klasës së sotme politike shqiptare. Të tjerët, kushdo qofshin ata, thjesht s’munden…

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTUR ZHEJI/ Një luftë politike e paralajmëruar po vjen, re të zeza grumbullohen…
Previous article EDUARD ZALOSHNJA/ Përse duhet shumëfishuar gjoba për celularin në timon

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k