• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Tërmeti ka përmbysur fabulën politike
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Tërmeti ka përmbysur fabulën politike

December 14th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Skënder Minxhozi

Pak ditë më parë prokuroria dha verdiktin e saj për çeshtjen Babale, ose ndryshe ngjarjen që në vitin 2018 përfshiu vëllain e ministrit të brendshëm të asaj kohe Xhafaj, e që asokohe tronditi të gjithë politikën shqiptare. Prokurorët kërkuan burg me kusht për politikanë e gazetarë, si dhe për vetë Babalen.

E patë sa pak vëmendje tërhoqi ky akt i telenovelës së famshme politike? E patë sesi ky lajm, në kushte normale i zhurmshëm dhe plot potere, u struk mes kronikave të zonave të tërmetit të 26 nëntorit?

Të njëjtin fat duket se po gjen, fjala vjen, edhe një lajm tjetër i shumëpritur: ngritjen në 20 dhjetor të SPAK, njësisë speciale që pritet të hetojë zullumet e politikës dhe të tjerëve rreth saj. Askush nuk e ka aty mendjen. Dhe arsyeja, në të dyja rastet, por edhe në tema të tjera dikur të “famshme”, është një dhe vetëm një: lajmi i madh është tërmeti! Gjithçka orbiton rreth 26 nëntorit, të gjithë, shqiptarë, të huaj, politikanë, klerikë, aktivistë, mediat, ekspertët, deri edhe aktorë, këngëtarë e sportistë, kanë zbritur në fushën e mbushur me rrënoja nga tërmeti.

Tërmeti shkatërrimtar ka ridimensionuar si me magji fabulën politike në Shqipëri. Kanë pushuar sherret mes palëve, ka humbur në “drejtim të paditur” idea e zgjedhjeve të parakohshme, janë harruar protestat, kanë humbur vlerë dhe peshë akuzat korruptive ndaj ministrave e deputetëve, është mpakur e tkurrur procedura e shkarkimit të Metës dhe bashkë me të, edhe disa tema të tjera, deri para tre javësh tepër serioze e të nxehta. Duket sikur në shkundjen kombëtare që prodhoi tërmeti, axhenda politike pësoi më shumë plasaritje se pallatet e Plazhit të Durrësit.

Gjithçka e përkohshme, mund të thotë me të drejtë dikush. Edhe pak ditë paqe, dhe kalorësit do t’i kthehen sportit të dashur të duelimit. Pse jo, edhe kështu mund të jetë. Sepse 30 vjet tranzicion kanë treguar se instikti për konflikt, etja për tension dhe përplasje, është e ngulitur thellë në adn-në e elitës tonë politike. Edhe këto javë pas tërmetit, kur Lulzim Basha ka bërë gjënë më normale duke ulur tonet dhe tërhequr skalionet e sulmit në seli, shumëkush ja quan për dobësi këtë gjest mëse të lavdërueshëm. Politika si akt dhune mbi kundërshtarin, është një model edhe më solid e më sprovuar, se pallatet që i rezistuan 8,5 ballëve të tërmetit.

Megjithatë duket e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që jeta politike të vijojë këtej e tutje qejfpaprishur, edhe pas një ngjarjeje të tillë që ka rrafshuar pallate, biznese, shkolla e shtëpi, në zonën më të banuar të Shqipërisë, në zemër të hapësirës së saj më të zhvilluar ekonomike. Ndoshta është e saktë të thuhet se tërmeti i ka dhënë tashmë, megjithëse kjo ende nuk duket qartë, një drejtim të ri edhe axhendës politike që na ndan nga zgjedhjet e vitit 2021.

Dhe këtu, në datën e mbajtjes së zgjedhjeve, duket se fillon edhe risia që ka sjellë goditja sizmike që pësoi Shqipëria e vogël në 26 nëntor. Para tërmetit konsiderohej si një mundësi konkrete ulja në tryezë e Ramës dhe Bashës, për të negociuar ndër të tjera, edhe një rikthim tek kutitë e votimit. Me qëllimin për të balancuar boshllëkun që opozita ka lënë në Kuvend dhe pushtetin vendor. Me rrënojat e tërmetit nëpër këmbë dhe një plan financiar rindërtimi që parashikohet goxha i rëndë për supet e ekonomisë shqiptare, duket se një mundësi e tillë është për t’u riparë nga fillimi. Ndoshta nuk ka rënë, por e sigurtë është që ka ndryshuar formë dhe dinamikë. Refuzimi i deritanishëm i opozitës për t’u ulur në tryezën e rindërtimit, mund të sjellë ngurtësimin e Ramës për një marrëveshjeje politike, me justifikimin se zgjedhjet janë një “aksesor” që Shqipëria s’mund t’ja lejojë vetes, në momentin që vendi duhet të rindërtojë atë çka shkatërroi tërmeti.

Një temë tjetër e nxehtë e dikurshme, sot nuk djeg më si më parë. Konflikti me Metën, edhe pse i vazhduar këto ditë përmes modifikimit ligjor të formulës së betimit të zyrtarëve të zgjedhur, e ka humbur dramën e një vitit më parë, kur Presidenti bllokonte emërimet e reja në qeveri, në mesin e protestave studentore.

Edhe reforma në drejtësi po hyn nga “dritarja” e jo nga dera, në këto javë thellësisht të shkundura nga vala e tërmetit të 26 nëntorit. Pas pak ditësh do të fillojë funksionimin SPAK, struktura që të gjithë e kanë pritur, për të filluar të mësojnë korrupsionin e shumëpërfolur të zyrtarëve. U zgjodh prokurori i ri, të cilit gjithashtu, para se t’i kërkonin dënime politikanësh, i kërkuan të hetojë mbi tërmetin.

Viti 2020 po afrohet nën hijen e rëndë gri, të asaj që ndodhi mëngjesin e 26 nëntorit në Durrës, Thumanë, Laç, Krujë, Shijak e Tiranë. Ishte një minutë fatale që duket se do t’i japë formë për shumë e shumë muaj  jetës politike, ekonomike e sociale të Shqipërisë. Një nga ato ngjarje që e presin si me thikë kohën. Jemi të dënuar të jetojmë me fantazmën e tërmetit edhe për shumë muaj, të shpresojmë jo vite!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ALBERT P. NIKOLLA/ Basha si Shabani te novela "Djepi arit" e Koliqit!
Previous article ADRIATIK DOÇI/ Monika, pallati dhe filxhani

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k