• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ S’ka faj Qazimi, nëse të ka lënë benzina rrugës
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ S’ka faj Qazimi, nëse të ka lënë benzina rrugës

March 31st, 2020 F.autor Blog 0 comments

Kemi patur shumë shpesh këto 30 vjet, mësues që kanë bërë shitësin e frutave, ish-ushtarakë që kanë këmbyer valutë poshtë bankës së shtetit, gjeologë që kanë punuar muratorë apo inxhinierë që janë bërë shoferë taksish. Sot mësuam se paska edhe infermierë që nga halli, kur kanë mbetur pa punë, paskan punuar edhe në stacionet e karburantit. Deri këtu asgjë e re në qiellin tonë shqiptar.

Por që një infermier-pompist krejt i panjohur, të përdoret trashë për të balancuar një nismë humanitare shumë të përgëzuar, për të ndihmuar me mjekë e personel ndihmës Italinë fqinjë në këto kohë të zymta, kjo ishte një gjë e re. Një shpikje nga halli në fakt, e atyre që reagimet në kor pozitive, të politikës e medias italiane, i kanë parë si humbje politike personale.

Pierpaolo Sileri, zëvendësministër i shëndetësisë, kirurg dhe akademik i njohur në Itali, është ndoshta zëri më kualifikuar për të përgënjeshtruar fabulën me pompistin Qazim. I ndodhur në aeroportin e Romës, bashkë me ministrin e jashtëm Di Maio, për të pritur mjekët e infermierët, ai deklaroi se ishte emocionuar teksa kishte parë mes tyre dy studentë të tij.

Le të vijmë tek sherri banal shqiptar për pompën e benzinës së Qazim Ismailit. Së pari dhe më e rëndësishmja, që Shqipëria e vogël të ndihmojë simbolikisht Italinë e madhe dhe të mirëpritet nga kjo e fundit, duhet të jetë një motiv i ligjshëm krenarie për cilindo shqiptar. Jo vetëm për atë gjysëm milioni bashkatdhetarësh që jetojnë atje dhe që e ndjejnë të parët temperaturën mes dy shteteve, por edhe për ne të tjerët, që kemi parë tek Italia një fqinj të mirë, të sinqertë dhe dashamirës.

Dërgimi i mjekëve e infermierëve shqiptarë në frontin më të vështirë të luftës kundër pandemisë së Covid 19 mund veçse të përshëndetet, qoftë edhe pa dëshirë ose edhe me shtrëngim buzësh a sforcim. Është një nga ato momente kur nuk ke mundësi të bësh diçka tjetër, përveçse të thuash një fjalë të mirë.

Së dyti, që kjo nismë të banalizohet e përbaltet, me një histori fatkeqe personale të njërit prej infermierëve që shkuan në Itali, kjo është diçka krejt vulgare dhe e padrejtë për ne si shqiptarë, por edhe për ata që mirëpritën ndihmën tonë modeste. Pasi ka punuar 18 vjet si infermier mes Shqipërisë dhe Italisë, Qazim Ismaili është detyruar të bëjë një zanat tjetër “më vulgar”, pompistin në një stacion benzine në Vorë. Arsyet e tij familjare për këtë vendim janë bërë tashmë të njohura në media. Çfarë ka këtu për të ngritur një tymnajë propogande  nga ato më pavlerat?

Çeshtja ështe jo nëse Qazimi është apo jo i specializuar për të bërë infermierin, por që të gjendej një fabul çfarëdo për të anatemuar, mpakur e banalizuar nismën e qeverisë shqiptare. Një provë nga ato më të prekshmet e flagrantet, për të kuptuar sesa dëshpërimisht është kërkuar për ta dëmtuar sadopak këtë operacion humanitar, me efekt të fortë imazhi në Itali e jashtë saj.

E megjithatë e vetmja batutë që të vjen ndërmend kur sheh zellin me të cilin një pjesë e medias dhe opozitës u kap pas këtij rasti, është se “ç’faj ka Qazimi, nëse të ka lënë benzina në mes të rrugës”!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ALBIONA SULO/ “Të martat me Morin”
Previous article MERO BAZE/ Përpjekje për të krahasuar Tit Vasilin me Qazim Ismailin

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k