• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Një kasetë me ca të vërteta brenda
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Një kasetë me ca të vërteta brenda

November 17th, 2020 F.autor Blog 0 comments

E vërteta e parë, le ta themi që në krye të herës, është se sherri në distancë i kasetës së masakrës së Krushës, mes kreut të opozitës Basha dhe autorit të saj Melaim Bellanica, nuk do të jetë gropa ku do të mbytet karriera e liderit demokrat. Lulzim Basha ka kaluar shumë gropa, edhe më të thella se kjo, për shkak se në këtë vend mbizotëron e qetë dhe e plotfuqishme kultura e mosndëshkimit. Ndaj Bashës sot po aplikohet një fushatë diversive, që lidhet me një të shkuar që vetë Lulzim Basha e ka fshehur në mënyrë fanatike. Askush nga ata që i rrinë pranë sot në parti, nuk e di me saktësi se çfarë ka bërë Basha në UNMIK 18 vjet më parë dhe sa reale janë akuzat që janë ngritur kohë pas kohe ndaj tij, në lidhje me këtë periudhë të errët.

Prandaj diversioni i sotëm me kasetën e Krushës mund të krijojë vetëm një disponim negativ ndaj Bashës në Tiranë e Prishtinë, në këto kohë gjyqesh ndaj UÇK, por jo ndonjë furtunë nga ato me pasoja fatale për një politikan që edhe pa këtë ngjarje, e ka plot dollapin me “skeletet e së shkuarës”. Kundërshtarët e Bashës po bëjnë sot bukë me miell të ndenjur, e kjo përcakton edhe përmasat reale dhe peshën që një histori e tillë do të ketë në javët e ardhshme. Basha as do të votohet, as do të mbesë në opozitë për këto që po fliten sot. Janë të tjera halle që ai ka në lidhje me ardhjen në pushtet, shumë të kompekse se kaseta e Melaim Bellanicës.

E vërteta e dytë është se sot nuk po gjykohet e peshohet versioni i fakteve që jep një shqiptar i Kosovës, ndaj një politikani të Shqipërisë. Sot po gjykohet, e ky është një element shumë peshë në këtë debat, natyra konspirative, e fshehtë, mohuese deri në absurd e një politikani ndaj të shkuarës së vet.

Lulzim Basha mohon gjithçka, ai nuk ka qenë aty, nuk ka dëgjuar gjë, nuk njeh askënd, nuk merr përsipër asgjë, nuk ka qenë madje fare ai për të cilin flitet, por një tjetër në vend të tij! Basha është modeli tipik i politikanit shqiptar, i cili, në mungesë të një instance supreme prove, e kjo do të ishte gjykata, mohon gjithçka sepse e di që nuk do të ketë kurrë një arbitër që t’i thotë që po gënjen. Kush mban mend, e kujton se herën e fundit që e thirrën zyrtarisht në gjykatë, ja doli të përvidhet derisa gjyqi u mbyll për tejkalim afatesh.

Në këtë sens, nuk është e rastit që ndaj tij po luhet me një sukses relativ edhe ky diversion politik, të cilin e dinë sesi do të përfundojë edhe ata që po e shtyjnë nga prapa perdeve. Është gjetur Basha për këtë lloj diversioni, sepse dihet qe ai nuk do të thotë kurrë një fjalë për të sqaruar një herë e mirë të vërtetat e tij. Është gjetur një person që nuk flet, prandaj edhe diversioni ka gjasa të vazhdojë.

E vërteta e tretë është se mbi gjykimin  e dënimin real të klasës tonë politike, Bashës së djeshëm apo qeveritarëve të sotëm e të nesërm, triumfon rregullisht kultura e diversionit, përfoljes, thatheshemit, në vend të shqyrtimit konkret të fakteve. Notojmë mbi një kënetë akuzash të paprovuara në adresë të njerëve të fuqishëm të këtij vendi, akuza të cilat, ashtu si këneta, myken me kalimin e kohës, pa u verifikuar, pa u hetuar dhe eventualisht, dënuar. Kjo i humbet vlerën dhe peshën fjalëve, sado të rënda që të jenë, pasi në morinë e asaj që thuhet e shkruhet, e keqja e ka të lehtë të fshihet. Tamam si në rastin e asaj që ka ndodhur në Kosovë e Shqipëri gjatë konfliktit të vitit 1999, ku mungesa e një hetimi rreth rolit të protagonistëve të atij momenti, prodhoi vetëm tym e jo zjarr.

Një shembull mjafton në lidhje me atë kohë të zymtë për të ilustruar këtë kulturë mosndëshkimi: thyerja e embargos së naftës me ish-Jugosllavinë nga pala shqiptare në mesin e viteve ’90! Asnjë hetim, asnjë ndëshkim, megjithëse ne si shtet palë i OKB e kishim të detyrueshme ta zbatojmë atë rezolutë që ndalonte furnizimin e makinës ushtarake të Beogradit me karburant.

Prandaj, kur këtë mal shkeljesh, para dhe pas konfliktit në Kosovë, e vendos përballë akuzës emocionale, e pse jo të sinqertë të një të mbijetuari të masakrës së Krushës ndaj kreut të opozitës në Tiranë, shanset që të gjendet e vërteta janë minimale. Kaseta e Bellanicës mund të ketë plot të vërteta brenda, por ne as kemi dashur dhe as duam t’i gjejmë ato!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BLEDI LUMANI/ Bellanica-Basha: Kur viktima kthehet në të akuzuar, ndërsa i akuzuari në viktimë
Previous article ARSEN HOXHA/ Z. President! Me Kaçin me kujtove sigurimsin e Hotel Tiranës

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k