• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Llogari e mbetur rrugëve
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Llogari e mbetur rrugëve

August 25th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nga Skënder Minxhozi/

Rruga drejt Vlorës këto ditë vere nuk është më e volitshmja për ata që kanë bërë plan t’i kalojnë pushimet diku në bregun e Jonit. Trafiku është i rënduar, rrugët janë plot vapë, pluhur e makina, aksidentet dhe “skifterat” në timon janë të kudondodhur. Kështu ka qenë edhe vjet e parvjet, përveç faktit që tashmë, bashkë me ata që shajnë e shfryjnë në shqip, dëgjohen edhe një gjysëm dyzine gjuhësh sllave a latine. Rruga drejt parajsës ka çmimin e saj.

Destinacion apo ndalesë turistike, merreni si të doni, Vlora do të mbledhë të premten qeverinë shqiptare, në një takim të fundit veror. Dhënie llogarie, ka qenë njoftimi që ka dalë rreth takimit të thirrur nga kryeministri Rama në Vilën qeveritare pranë Ujit të Ftohtë. Një rast i mirë për t’u parë, por edhe një okazion për të folur për një ndër gangrenat e kësaj vere: rrugët. Nëse ka një element, në punën e një qeverie, që është çdo ditë në sytë e publikut, këto janë rrugët. E kur i shtojmë këtij publikut tonë “votues”, edhe disa qindra mijë shqiptarë Kosove, Maqedonie, por edhe italianë, francezë, gjermanë e polakë, “juria” e vlerësimit bëhet ndërkombëtare.

Edhe këtë verë, destinacionet turistike u përballën me një gjendje të përafërt rrugësh, me atë të vitit të shkuar. Më në fund rruga Lin-Pogradec mori shtresën shumëpritur të asfaltit, por ende nuk mund të quhet e përfunduar, edhe pse ka nisur të ndërtohet në vitin e largët 2010! Tetë vjet për të ribërë 21 kilometra rrugë. Por para se të shkosh nga Tirana në Pogradec, duhet të kalosh nga autostrada Tiranë-Elbasan. Përtej kodrës së rënë mbi autostradë, e cila dëshmon cilësinë mizerabël me të cilën u ndërtua ky objekt vite të shkuara, banorët e Tiranës pyesin sot me të drejtë se edhe sa vite do të duhen, që rreth-rroutllimi i TEG-ut të bashkohet me autostradë me tunelin e Krrabës?! Është një segment rruge qesharak që është bërë legjendë për të gjithë ata që marrin rrugën nga kryeqyteti drejt Lindjes.

Një tjetër nyje gordiane e pazgjidhur prej më shumë se një dekade, është bajpasi i famshëm i Fierit, të cilin nga halli e kanë mësuar përmendësh disa qindra mijë njerëz që rropaten drejt plazheve të Jugut. Ashtu siç kanë mësuar të bëhen gati për rradhë të gjata dhe pritje, sa herë u bie të kalojnë nëpër qytetin e Vlorës, drejt Rradhmiës e Orikumit.

Rrugët janë elementi ndoshta më i dukshëm i punës së një qeverie. Natyrshëm që ekonomia, energjia, arsimi, siguria e shëndetësia etj kanë vendin e tyre të palëvizshëm. Porse kjo lista e vjetër, madje e “lashtë” e rrugëve të pambaruara, nuk mund të mos jetë një rrethanë serioze reflektimi edhe në llogaridhënien edhe në një lokalitet si Llogaraja që ndodhet mu në buzë të rruge të mbingarkuar nga mëngjesi në darkë.

Mediat dhe kafenetë e Tiranës kanë nisur dansin e emrave të ministrave që largohen në shtator. Është një modë që kthehet çdo vit bashkë me vjeshtën e që më së shumti ka për qëllim të sjellë disa klikime më shumë (dikur thonim disa kopje gazetash të shituar më shumë). Edi Rama ka më shumë arsye sesa titujt e gazetave e klikimet e portaleve, për ta riparë kabinetin e tij. Në një mjedis ku ky proces ka kohë që e ka humbur dramaticitetin dhe fatalitetin e tij, ndryshimet në qeveri nuk trondisin më askënd, përveç ministrave të larguar.

Viti elektoral që po troket, përkon me një ritëm të ulët të punëve në vend dhe një apati që nuk është fare e vështirë të perceptohet. Vakumi që opozita ka lënë në pjesën e saj të diellit, është e qartë se ka prekur edhe aftësinë e qeverisë aktuale për të reaguar dhe për të punuar me një boshllëk përpara. Shumëkush në të majtën shqiptare po mësohet me idenë se zgjedhjet dhe qëndrimi në pushtet, janë një standart i arrirë dhe se çeshtja është vetëm sesi të vritet koha në dispozicion. Të gjithë përqeshin opozitën, ndërkohë që garën me të e kanë mbyllur qysh verën e shkuar, e tani garojnë me vetveten.

Ky është në fakt shpërdorimi më i madh që një qeveri mund t’i bëjë mandatit të vet. Qeveritë i kemi votuar të qeverisin, duke marrë përsipër punët më të vështira. Punët e lehta jemi mësuar t’i bëjmë vetë. Një vit pas zgjedhjeve të 2017, qeveria Rama duket se ka nevojë të ndryshojë marshin e të shkundë ndryshkun. Ndryshe nuk është më edhe aq e sigurt se e ka në xhep fitoren, cilido qoftë rezultati. Shumë disfata vijnë përmes duartrokitjesh, thotë një proverb.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article JOHN MCCAIN/ Mbrojtja e rendit liberal botëror
Previous article MERO BAZE/ Përse LSI është shpresa e vetme e Berishës!

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k