• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Fadromat e Unazës se Re dhe modeli i zhvillimit të Shqipërisë
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Fadromat e Unazës se Re dhe modeli i zhvillimit të Shqipërisë

November 30th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Pas rreth një muaji protestash për projektin e Unazës së Re, banorët duket se po fillojnë të binden për të lejuar shembjen e mbi 300 ndërtimeve ku kanë jetuar prej vitesh. Fadromat po gërryejnë, bashkë me muret e kalbura të shtëpive e dyqaneve, kioskave e barangave, edhe rezistencën e asaj pjese të komunitetit të Unazës së Re, që kërkon kompensim të plotë financiar për ndërtimet pa leje ku ka jetuar prej dekadash. Pak po i shërben kësaj kauze lokale edhe politizimi i egër që i ka bërë projektit opozita, pasi siç shihet lodhja dhe bjerrja e protestave po e bën më të lehtë sesa mendohej punën e ARRSH dhe firmës ndërtuese të autostradës.

Ajo që po shohim këto ditë tek Unaza e Re është vetëm episodi i rradhës i betejës së shtetit me ndërtimet e paligjshme. Është thënë shpesh se në gjithë Shqipërinë ka rreth 400 mijë të tilla dhe se ky fenomen përbën një pengesë serioze, në rrugën e zhvillimit të vendit, fuqizimit të ekonomise, bujqësisë, turizmit dhe thithjes së investimeve të huaja. Për herë të parë, pas disa ndërhyrjeve kryesisht në bregdet dhe zona të caktuara informale, shteti po ndërmerr shembje masive në këmbët e kryeqytetit. Kjo që po ndodh nuk ngjan me shembjet në Shkozë apo ato të dhjetra apo qindra kioskave, dyqaneve e shtesave të pallateve nëpër Tiranë. Unaza e re e kryeqytetit po fillon të hapë trasenë e saj mbi një mizëri ndërtimesh, të cilat padyshim llogariten në disa mijëra (rreth 3500 sipas disa shifrave), kur projekti të jetë përmbyllur.

Kjo që po shohim është pra, vetëm një pjesëz e asaj që pritet të ndodhë në vitet në vijim. Beteja për 300 ndërtimet e para të shembura të Unazës së re, është në fakt përpjekja për të imponuar një model të caktuar, një raport të parë konkret mes shtetit dhe pronarëve të ndërtimeve pa leje. Jo se kjo nuk ka ndodhur aty-këtu më parë, jo se kuadri ligjor nuk egziston prej vitesh, por sepse impakti social, ndjeshmëria e kësaj sifde aktuale, masiviteti dhe afërsia e saj me Tiranën, e kanë kthyer këtë projekt në “lakumesin” e forcës së shtetit dhe të imponimit të ligjit, edhe në rrethana kur diçka e tillë krijon impakt social jo të vogël.

Nuk është aspak e këndshme të nxjerrësh plaçkat, apo të mbyllësh biznesin këto ditë të ftohta dimri. Secili nga ata që kanë një shtëpi tek Unaza e Re, e cila këto orë po shembet nga fadromat, po kalon një dramë personale therëse dhe të vështirë për veten dhe familjarët që ka pas. Dhimbja e atyre njerëzve, të cilët pas 20 vitesh të qeta banimi në ato shtëpi, i kujtojnë ato të ligjshme dhe detyrimisht të kompensueshme, është e vërtetë dhe jo e rreme.

Megjithatë shteti nuk ecën përherë sipas ndjesive dhe emocioneve të një pjese të shtetasve të tij. Liria ime përfundon aty fillon liria e të tjerëve, thotë shprehja e njohur. Tirana, e bashkë me të e gjithë Shqipëria, s’mund të zhvillohen sipas logjikave dhe interesave momentale të politikës, e as sipas interesit të komuniteteve të caktuara. Ata që ndërtuan një dekadë më parë kuadrin ligjor për ndërtimet pa leje në Shqipëri, ishin njëkohësisht edhe ata që nuk i zbatuan kurrë ligjet që shkruan, e zeza në të bardhë. Dhe e bënë këtë sepse votat e Unazës së Re, e të gjitha zonave të tjera informale në vend, i panë si serbatorë votash për t’i përdorur në funksion të pushtetit të tyre. Kjo llogari meskine ka qenë një bonus i padrejtë që politika i ka bërë shkeljes së ligjit.

Ky është një model i prapambetur, hileqar dhe anti-zhvillim. Banorët e prekur nga projekte si ky i Unazës së Re duhet të kenë të gjithë empatinë e shtetit, por nuk duhet të kenë shtetin si pjesëmarrës në shkeljen e ligjit që ata kanë bërë, duke ndërtuar pa leje. Banesa sociale, kredi të buta e gjithfarë formash të tjera suporti duhen studiuar këtej e tutje, jo vetëm për Unazën e Re, por për shumë e shumë raste të ngjashme në të gjithë territorin. Sepse njollat e ndërtimeve abuzive janë prej shumë vitesh gangrena që pengon sa e sa projekte zhvillimi, sa e sa vende të reja pune, rrugë, vepra sociale, projekte industriale, turistike e bujqësore.

Me ndërtimet pa leje duhet një qasje afatgjatë dhe parimore. Është kjo njëra ndër ato sfida që shteti shqiptar e ka përballur në mënyra të improvizuara, të pabarabarta dhe për pasojë joligjore. Triumfi i ligjit tek Unaza e Re është shembulli i parë i fortë i fuqisë së shtetit, për të imponuar fuqinë e ligjit. Gjithçka tjetër është më pak e rëndësishme.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ÇAPAJEV GJOKUTAJ/ Turpi kombëtar që merremi çdo fund nëntori, me datën 29
Previous article ENVER ROBELLI/ Europa nuk na do se “jemi shqiptarë” e “myslimanë”. Jo!

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k