Ka nja ca ditë që po dëgjojmë atë ritualin e zakonshëm që ndodh sa herë diskutohet projekt buxheti i vitit të ardhshëm. Në një maratonë diskutimesh që zgjat ndonjëherë edhe njëzetë e katër orë, midis opozitës dhe pozitës, përfundimet dihen që më parë.
Pozita mbështet idenë se projekt buxheti i vitit të ardhshëm e rrit ekonominë e vendit ndjeshëm nga viti paraardhës në aq apo kaq përqindje. Opozita deklaron të kundërtën. Më në fund pas sharjesh e mallkimesh apo propagande të pastër fiton varianti i shumicës që ngre kartonat lart dhe loja mbaron.
Diskutimi i sivjetëm, nuk ka asnjë arsye të dalë nga kuadri i zakonshëm i diskutimeve të përmendura më lart. E reja nga diskutimet e opozitës, është se ky buxhet, nuk shërben veçse për të ricikluar apo pastruar paratë mafies së lidhur me qeverinë. Pikërisht këtu ajo mbështet edhe idenë se përparimi në ca pikë përqindje i ekonomisë kombëtare nga një vit më parë, mund të justifikohet vetëm kështu.
Mendjet e specializuara në fushën e ekonomisë flasin të kundërtën. Nuk mund të ndërtosh buxhetin me këtë vijë logjike të menduari. Në favor të kësaj teze, nuk vlejnë vetëm mendjet që thamë, po dhe ajo e Guvernatorit të bankës.
Po a mjafton aq për ta quajtur të mbyllur problemin? Pra duke shikuar buxhetin apo projektbuxhetin njëvjeçar, vetëm si një mjet taktik i qeverisë së radhës për realizimin e disa objektivave të caktuara për vitin në vijim dhe të vazhdosh punën e dhe ti si gjithë faktorët e tjerë?
Mund ta marrin të gjithë ata që më dëgjojnë apo lexojnë si shënjë megallomanie, një përfundim të thjeshtë, që vjen pas dy minutash vëzhgimi në një qendër tregtare të madhe apo të vogël nëse ajo është e falimentuar, apo mund të qëndrojë në këmbë. Çfarë është kjo përshtypje që mund të formulohet kaq shpejt edhe pa u specializuar në fushën e ekonomisë?
Teza më e thjeshtë që të vjen në mend në vizitat që bën në qendrat tregtare, apo dhe kudo tjetër edhe pa studiuar dispencat e specialiuara të ekonomisë, rrjedh nga pyetja.
Si realizohet mekanizmi kërkesë -ofertë në vendin tonë të bekuar?
Një sy i thjeshtë i hedhur në supermarketet e mëdha të vendeve të përparuara të Europës, në qendrat e mëdha tregtare që shërbejnë për masën e gjerë të popullit, të shpie në një përfundim të thjeshtë.
Çmimi i shitjes së pothuajse të 80 përqind të produkteve të konsumit në ushqime apo veshje, në këto qendra nuk i kalon thuajse asnjëherë nga 1 deri në 60 përqind të mesatares së rrogës ditore të shumicës së popullit punonjës.
Ky çmim është thuajse i detyrueshëm për të respektuar formulën e mësipërme kërkesë-ofertë. Detyrimi për këtë gjë vjen nga një varg arsyesh po aq të thjeshta që këtu i ilustrojmë me një shembull po aq të thjeshtë.
Nëse mesatarja e rrogës së një punonjësi në vendin tonë nuk i kalon të 30 000 lekët e rinj, atëherë, ai nuk mund të harxhojë për të blerë këpucë që shkojnë nga 5000 deri në 15 000 lekë të rinj për të blerë një palë të tilla. Ndryshe kjo do të thoshte që blerësi të harxhonte paratë e 5 deri 15 ditëve punë që ai fiton gjatë muajit. Nëse një gjerman, do të dëgjonte për një shifër të tillë, natyrisht që qeveria e tij, nuk do të rronte asnjë ditë në këmbë.
Po çfarë ndodh realisht, nëse je i detyruar të shkosh në një blerje të këtij lloji që nuk është asgjë tjetër po veçse thyerje e mekanizimit kryesor të kapitalizmit që mbështetet në fjalën magjike kërkesë –ofertë?
Pasoja më e thjeshtë do të ishte mungesa e një faktori tjetër, që quhet procesi i riqarkullimit të mallit. Pra dyqani, apo qendra tregtare, nuk do ta kishte në dispozicion këtë lloj konsumatori për një kohë të gjatë. Pasoja e mëtejshme duket qartë. Asnjeri nuk mund të punësojë njerëz që të prodhojnë këpucë. Kështu papunësia rritet dhe të tërë shikojnë mundësinë e bekuar, t’ja mbathin nga ky vend.
Në të kundërt një gjerman apo francez që punon me mekanizimin kërkesë –ofertë e di shumë mirë procesin e mësipërm dhe prandaj në supermarketet e tyre vlen rregulla që përmendëm më lart.
I vetmi njeri që e realizon në mënyrë perfekte mekanizmin kërkesë-ofertë në treg, është Gabi apo shefi i tij. Në thelb, mund të ketë shumë shefa Gabi, po unë po përmend njërin prej tyre thjesht për simbolikë. Vetëm ai shet këpucë, që shkojnë pikërisht nga 1 deri në 60 përqind të rrogës mesatare ditore të popullsisë. Andaj dhe për këtë arsye themi pa bërë ndonjë gabim të madh.
Vetëm Gabi në Shqipëri, zotëron gati 80 përqind të tregut të produkteve të veshmbathjes.
Nëse Gabi do të ndërhynte në sektorët e tjerë të ekonomisë së vendit, psh në atë të ushqimeve, jam i sigurt se punët e këtij vendi do të shkonin më mirë… Po e rishkruaj prapë, se vetëm ai respekton mekanizmin kërkesë-ofertë, që lejon riqarkullimin e mallit apo ndryshe riprodhimin e tij, apo ndryshe punësimin e njerëzve që prodhojnë këto mallra. Gabi nuk ndërhyn më shumë se në sektorin e veshjeve. Ai ka filluar vetëm të kuptojë, se edhe produktet e tij duhen ndarë në nënprodukte për masën e gjerë që duan veshje të thjeshta, por edhe për shtresën e nëpunësit të vogël e të ndershëm, që do të mbijetojë në bazën e të ardhurave vjetore.
Gabi nuk merr pjesë në punën e shitjes së produkteve ushqimore dhe për këtë arsye mbi kurriz, duhet të mbajmë ose ushqime të prodhuara me sforco mbi bazë hormonesh a gjithfarë ilaçesh që të ndihmojnë artificialisht të arrish mekanizmin kërkesë- ofertë. Mund të gjendesh edhe në një variant më të tmerrshëm. Në ushqime të ardhura nga jashtë që janë në produkt skadence, nga të tjerët ose ne. Këto vetëm sa shtojnë radhët e të sëmurëve me sëmundje, që shpesh janë të tipit kanceroz etj etj.
Duke dalë nga fusha e hidhur e ironisë, le të përpiqemi të arsyetojmë, se çfarë mund të bëhet. Dhe pikërisht nisur nga buxheti, që të tëra palët e anatemojnë apo lëvdojnë me të njëjtin zell.
Pak ditë më parë dhe në vijim, hodha te Konica.al, por dhe në organe të tjera, idenë se buxheti ynë nuk bëhet veçse në mënyrën e vjetër sovjetike të dikurshme. Të tërë paraqisin nevojat që kanë. Ministri i financave, pasi i sheh ato në bazë të ardhurave që mblidhen nga taksat, vë diku gërshërën dhe thotë – deri këtu vëllezër për kësaj radhe. Gjatë vitit, nën lutjen e kryeministrit apo shumicës së deputetëve që rrinë prapa derës së tij, ai ndryshon ndonjë gjë të vogël që në shumicën e rasteve, nuk është gjë tjetër veçse një lëmoshë.
Po si i bëhet?
Duke mbetur përsëri te problemi i këpucëve si shembull, mund të mendojmë në një moment të vetëm si prodhohen këto këpucë, për të kuptuar në radhë të parë si realizohet mekanizmi kërkesë-ofertë, pastaj ai i riqarkullimit të mallit dhe më në fund ai i njerëzve të angazhuar në këtë sektor. Ndryshe ai i njerëzve që punojnë për të mbajtur në këmbë mekanizmin e qarkullimit të mallit.
Dihet se për t’i prodhuar këpucët duhet lëkurë. Ku gjendet ajo?
Kafshët që e kanë, duhen çuar në thertore. Këtu jo vetëm sigurohet si material, por bashkë me të edhe cilësia e mishit që kontrolllon veterineri, çka na siguron edhe mundësinë për eksport, etj. Po më tej na duhet një fabrikë regjeje lëkurësh, e faktorë të tjerë për të mbyllur procesin. Tërësia e këtyre faktorëve, bëjnë që këpucët të arrijnë të shiten brenda mekanizmit kërkesë-ofertë, e të sigurojnë veshjen normale të popullit.
Ti po tallesh, mund të thotë njëri që lexon këto radhë. Ne kemi me mijëra pika therje dhe thertore. Ministri paraardhës i bujqësisë lëshonte alarmin, pse duheshin mbyllur shumica e pikave të therjes, që linte njerëzinë pa punë, etj etj. Ajo që ai harronte, si shumë të tjerë, ishte pikërisht fakti, që se pavarësisht gjthë elementëve që i kemi me shumicë, lëkurët e fabrikat e rregjes, lëkurën në shumicë e blejmë jashtë dhe këpucët e shitura tona, bëjnë tmerrësisht shtrenjtë.
Një lexues i vëmendshëm i Konicës, më thoshte, se kemi shumë fabrika regjieje lëkurësh, e prapë nuk e mbyllim ciklin. Një akoma më i vëmendshëm, më përmendte shembullin e Turqisë, që kishte nxjerrë një ligj të posacëm që lëkurët e Kurban Bajramit i faleshin Turkish Airlinesit, që të përparonte në sektorin e saj.
Duke e mbyllur këtë shënim. Shqipëria ka me shumicë faktorë që mund të bëjnë një prodhim të organizuar që t’i shërbejë plotësimit të fjalës magjike kërkesë-ofertë, apo thelbit të kapitalizmit që po ndërtojmë. E megjithë këto faktorë, hallkat që përbëjnë zinxhirin nuk mbushen thuajse në asnjë vend.
E gjitha kjo do të thotë që nuk mund ta bëjmë buxhetin si dikur, apo ndryshe, siç e kam theksuar diku tjetër në mënyrë vertikale. Vendi duhet të shohë ta bëjë ndryshe nga periudha sovjektike. Bërja e buxhetit në mënyrë horizontale, do të thotë që qeveria dhe ministritë të kuptojnë si mbyllen hallkat e një zinxhiri, me të cilat arrihet një prodhim i caktuar, që pastaj të realizojmë mekanizmin kërkesë –ofertë.
Deri atëherë, mendoj se në krye të punëve duhet vënë Gabi, dhe praktika e atyre që bëjnë fakultetin e ekonomisë, do bërë te dyqanet e Gabit dhe për këtë të fundit do parë mundësia të bëhet ministër financash. Besoj do kemi rezultate më të mira se ato që shohim në praktikë.(Konica.al)
Leave a Reply