Ka dy rregulla të thjeshta që në përgjithësi janë të njohura dhe aplikohen thuajse në të gjitha fushat. E para, që në pozicionet e vështira nuk ndërmerret inisiativa kur pozicioni yt është i dobët dhe së dyti, asnjë plan i nisur nuk lihet në gjysmë të rrugës…
Të diskutosh për të dyja rregullat e mësipërme, tani që po afrohet 27 janari dhe opozita kërcënon me maksimum, pra me rrëzimin e qeverisë, duket sikur nuk ka vlerë dhe je duke bërë vetëm filozofi.
Nga një kënd tjetër diskutimi, këto rregulla nuk kanë vlerë kur shikon periudhën e 27 viteve pluralizëm dhe mënyrën e rrëzimit të qeverive, të majta apo të djathta.
Me gjithë veçoritë që mund të gjejnë studiuesit në thelbin e tyre (përmendur kjo shpesh deri në bezdi) rrëzimet e qeverive nga të dy krahët e spektrit poltik janë zhvilluar me parullën e njëjtë që formën e thjeshtë e ka në shprehjen ”Kapeni hajdutin”.
Në vitin 1991-92 me parullën që këta kanë vjedhur floririn, e inspiruar nga një englez. ra qeveria dhe bashkë me të edhe sistemi i dkurshëm. Në vitin 1996, një anglez tjetër, i quajtur Gambell, inspiroi parullën “Qeveri gansterësh” dhe qeveria ra. Berisha, në 2001, nxori në pah një parullë tjetër analoge “T’u vëmë rruspat hajdutëve”. Në 2005, parulla po e tillë ishte me “duar të pastra”. Dhe me të njëjtat parulla ndërrimi i qeverive vazhdoi deri në 2013. Kurioze është se dhe vetë socialistët, kur kanë dashur të rrëzojnë qeverinë e tyre, kanë operuar po me të njëjtën parullë. Kujtoni Nanon që zbriti në fushë me “Të bëjmë katarsis”…
Me të njëjtën mënyrë, demokratët kërkojnë të fitojnë edhe në 27 janar. Nga buron kjo shaka e njëjtë, që inspiron edhe të majtët edhe të djathtët për të ardhur në pushtet? Dhe si arrijnë të mobilizojnë turmat duke thënë po të njëjtën gjë?
Në pikëpamje filozofike, gjëegjëza–siç shpjegohet nga filozofët – është e thjeshtë. Ajo e ka origjinën e saj nga Lindja e Lashtë dhe atje parulla lidhej me mungesën e pronës private. Në emër të luftës kundër hajdutërisë, zbriste një turmë nga mali, duke dëbuar udhëheqësinë e vjetër. Pas tre a katër vjetësh me të njëjtën parullë “Kapini hajdutët” zbriste një turmë tjetër. Priteshin vetëm tri a katër koka dhe loja rifillonte nga e para.
A duhet të presim edhe një herë këtë përsëritje “shakaje” në 27 janar?
Nëse ka një farë analogjie me Lindjen e Lashtë në lidhje me mungesën e pronës private, edhe këtu tek ne si atje, edhe mund të thoshe se palët kanë të drejtë. Pas 27 vjetësh pluralizmi ende njerëzit nuk e kanë shumë të qartë problemin e tokës. Pra është në fuqi ligji 7501, pra njerëzit e gëzojnë tokën në bazë të tij, apo ai vetëm thekson se ajo është në përdorim? Pyetja është banale, por vetëm në pamje të parë…
Tentativa për t’i ikur shpjegimit të gjatë të dhënë më sipër, po që realisht do t’i turpëronte të dy krahët e politikës, të shpie në një analizë pak më të qetë se çfarë arrihet në 27 janar…
Në fillim të shkrimit u theksuan dy teza të njohura, nënvlerësimi i të cilave i shpie palët që i nënvlerëson ato në dështim.
A mund të ndërmarrë inisiativa të tipit themelor opozita e sotme, apo pozicioni i saj i sotëm është i dobët dhe ndoshta më i dobët se ai i zgjedhjeve të 2017-s?
Analiza e problemit të çon së pari në marrëveshjen e 18 Majit.
Opozita e sotme ka ende problem me numrat, ashtu si dhe më parë. 150 000 votat e saj që i munguan në krahasim me ato që kishte në 2009, kur bëri marrëveshje me LSI-në, kanë mbetur me kohë te kjo e fundit.
Marrëveshja e 18 Majit midis dy krahëve më të fuqishme të spektrit ishte në formë të pashkruar, por në thelb dukej se kërkonte që votat e LSI-së, që ishin marrë në kurriz së pari të PD-së dhe më së pakti PS-së, të ktheheshin në origjinë.
Basha kërkoi pas 18 Majit me forcë që ato të ktheheshin në shtëpi, por gjatë rrugës për deri në zgjedhjet e qershorit, e ndërroi prapë planin fillestar. Duket sipas gojëve të liga se LSI garantoi që, në mungesë të sulmeve ndaj saj, ajo të bashkëpunonte si dikur në 2009 me PD-në. E kësaj radhe pa kërkuar aq shumë në qeverisjen e vendit se në periudhën që përmendëm.
Hipoteza e mësipërme, që tregon ndërrimin e planit në mes të rrugës, mund të mos ketë vlerë, apo mund të mos jetë e vërtetë. Komentatorët apo dhe kritikët e Bashës, që flasin për shumë gjëra kundër tij, s’e përmendin kurrë këtë pikë. Ndoshta se si dhe në 2009 arkitekti i marrëveshjes ishte Berisha. Ai ndoshta mund të ishte edhe ndërruesi i strategjisë së Bashës në mes të rrugës pas asaj që u arrit në 18 Maj.
Vetë e marr në analizë seriozisht, kur në atë periudhë pashë se Basha hoqi dorë nga sulmet ndaj LSI-së për të hyrë në strategjinë e parë.
Analizat e mësipërme kanë vlerë për të parë thjesht se çfarë mund të ndodhë në 27 janar. Kemi një front opozitar, që nuk e di mirë se në çfarë mund të rrijë bashkë.
Pa ironi, edhe nëse kjo protestë do të shpinte në fitore, pra në rrëzimin e qeverisë ditën e kësaj fitoreje, palët do të shihnin se nuk kishin arritur asgjë për të nesërmen e tyre të përbashkët.
Votat e 2017 janë po aty dhe mungesa e tyre te PD-ja duket aq qartë sa nuk ka nevojë për të llogaritur më tutje.
Edhe në skenarin më pozitiv për opozitën nuk shkohet dot asgjëkundi. Po përse duhet të ndodhë një rrëmujë e tillë në 27 janar?
Pozita në hesap të saj thekson se opozita, e gjendur në presionin e Vetting-ut ka nevojë për gjullurdi, që ta largojë atë sa më shumë të mundet.
Natyrisht që edhe opozita bën propagandë në hesap të saj. Ajo që një njeri normal duhet të marrë në konsideratë, është se në rastin e gjullurdive të mëdha duhet të harrojmë në një farë mënyre bisedimet me Evropën për këtë vit, e ndoshta pak më shumë.
Në një diskutim të problemit nga një kënd më i qetë, duhet të themi se opozita e tanishme është pa plan loje dhe nuk mund të shkojë asgjëkundi me llogaritë e saj.
Ajo ka problem me votat e saj, me aleancën me LSI-në dhe në një farë mënyre edhe me faktorin ndërkombëtar. Ky i fundit, që e ndjek me vigjilencë situatën, mund të shohë apo konkludojë se rrëmuja lidhet me pengimin e Vetting-ut. Nëse ajo ia faturon vështirësitë opozitës, atëherë problemet e kësaj të fundit shtohen.
Nuk kam ndonjë dyshim të madh se 27 Janari nuk e trondit aq shumë politikisht pozitën e qeverisë. Po duke folur kështu, përsëri nuk arrijmë gjëkundi. Partizan i tezës se opozitës së ngordhur nuk i bihet me shqelm, besoj se kjo e fundit duhet ndihmuar t’i artikulojë ndryshe idetë.
A mund ta rifitojë përsëri pozicionin e humbur?
Ka shumë tema që mund ta rifutin atë në lojën e madhe politike. Një do të ishte p.sh. ajo e përmendur më sipër. Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë pas 27 vjetësh për ligjin 7501? Ta legalizojmë përfundimisht duke iu afruar zgjidhjes së problemit real të pronës, apo të vazhdojmë të endemi në historira që na çojnë në episodet e Lindjes së Lashtë që përmendëm më sipër.
Luftra të tilla principiale të shpien përpara, sado të vështira të duken në pamjen e parë. Po ato duhet të jenë vërtet të tilla dhe jo me dozën e hilesë që i ka shoqëruar 27 vjet.
Çështjet që e shpien përpara opozitën nuk lidhen me parullën “Kapeni hajdutin”, temë e cila përkon pastaj në zgjidhje me këngën… “Në ato maja rripa rripa”.
Shqipëria është e lodhur për t’u marrë pafundësisht me një këngë të tillë. Ajo vetëm ia ka shtuar apo përsëritur hallet.
Duke shikuar Bashën që vërtitet nga një qytet në një tjetër dhe duke kënduar po këtë këngë, e kupton se nuk shkohet asgjëkundi po veçse në thellimin e krizës së opozitës.
Për pozitën kjo lloj kënge mund të jetë e mirëseardhur, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ajo e di mirë që prej një kënge të tillë nuk vjen asnjë rrezik më. Po, ndërkaq, për Shqipërinë një opozitë që vjen vërdallë duke kënduar po të njëjtën këngë është një hall i madh, në mos më i madh se hallet e tjera që e kanë zënë. /Konica.al/
Leave a Reply