Ndërsa bëhej gati për të thënë fjalën: “betohem”, prokurorja e Shkodrës Arta Marku pasi kishte siguruar 69 vota, bëri një hap pas, për t’u ruajtur nga një flakadan i hedhur drejt saj në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Më se e tronditur nga agravimi i gjendjes dhe përplasjet mes pozitës dhe opozitës, Marku e kuptoi qartë se njëra palë është kundra saj, ende pa nisur punë. Përfaqësuesit e PD dhe LSI thonë se nuk kanë gjë me prokuroren si figurë, por me procedurën që ndoqi Partia Socialiste për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm. Për momentin opozita, PD dhe LSI, po kapen në dy pika në lidhje me anatemimin e zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm. Sipas saj, është shkelur kushtetuta, pasi në situatë të tillë kur i mbaron mandati kryeprokurorit aktual, ai qëndron në detyrë deri në ardhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm me mandat të plotë, pasi ka kaluar më parë vettingun dhe të ketë marrë propozimin nga KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë). Ndryshe mendon Partia Socialiste që zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm e konsideron në zbatim në përpikëri të kushtetutës dhe për më shumë për këtë çështje janë shprehur edhe juristët e EURALIUS dhe OPDAT, të mbështetur edhe nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Në kakofoninë e interpretimeve ligjore, ku të gjithë mundohen të bëjnë juristin, zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm më shumë se çështje ligjore është politike. Megjithëse e siguroi postin e lartë që pretendonte, Marku e pa vetë me sy që politika është edhe më e egër sa ç’duket. Ajo është gruaja e dytë në historinë e prokurorisë shqiptare që bëhet Prokurore e Përgjithshme. Ndryshe nga paraardhësja e saj që u anatemua rrugës, (nga ata që e kishin propozuar), Marku minimalisht do të paragjykohet politikisht në vijim, sidomos nëse vendos të hapë dosje për ish-zyrtarët e lartë të opozitës. Që në ditën e parë të punës, Marku hyri serioze në zyrën e re të kryeprokurores ku u prit sa për kortezi nga Adriatik Llalla, që e lë atë detyrë plot pas pesë vitesh. Ish-kryeprokurori iku i qeshur para kamerave, por me brengë që nuk e shënoi emrin e tij ndër ata kryeprokurorë që vendosën para drejtësisë zyrtarë të lartë të korruptuar. Më tepër u kujdes në pesë vite që politikisht të luante në dy porta, duke kaluar në sulme sa ndaj mazhorancës, ashtu edhe kundrejt përfaqësuesve diplomatikë, por herë pas herë kur çelte ndonjë dosje hetimore, deri diku gjysmake, tentoi të bënte balancën sa majtas dhe djathtas. Llalla la detyrën edhe pas një deklarate jo të zakonshme të ambasadorit amerikan në Shqipëri. “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”, deklaroi Ambasada Amerikane në Tiranë. Nga e marta e 19 dhjetorit në krye të institucionit të akuzës do të jetë 41-vjeçarja Arta Marku, që u zgjodh me 69 vota të shumicës mes konflikteve të ashpra pozitë-opozitë.
Një zgjedhje e paracaktuar
Zgjedhja e Arta Markut në krye të institucionit të akuzës nuk ishte aq surprizë, pasi prej kohësh media e paralajmëroi përzgjedhjen e saj, duke qenë kandidatja e preferuar nga radhët e deputetëve socialistë. Nuk shkëlqeu as në prezantimin para komisionit parlamentar të ligjeve, kur teksa u pyet për dosjet më të rëndësishme që kishte hetuar, renditi dy raste të “bujshme” të hetimit të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që gjithsesi në fazën finale morën pafajësinë në gjykatë. “Përfaqësoj me dinjitet një brez të tërë të të diplomuarve në shkollën e magjistraturës. I plotësoj të gjitha kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur në këtë post, duke besuar te transparenca. E shoh prokurorinë në kaos dhe kam aftësinë të kthej normalitetin. Prokurorët janë të hutuar, të demotivuar, pasi emërimet nuk kanë lidhje me meritat”, -tha Marku para Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Sipas saj, në sistem ka prokurorë me integritet e moral, që mund t’i japin sistemit shumë. “Do bëj të zbatohen drejt ligjet. Do inkurajoj çdo prokuror që të trajtojë e zgjidhë çdo çështje. Do garantoj mbështetjen time në hetimin e çështjeve. Do bëj të mundur ndryshimin e situatës aktuale që ka të bëjë me ruajtjen e sekretit hetimor”, shtoi Marku. Në të vërtetë nuk iu desh shumë mund për të qenë ajo e përzgjedhura kryesore që do paraqitej në parlament dhe siguronte votat e nevojshme. Qe paracaktuar thuajse që në momentin e parë që u hap debati se kryeprokurorit Adriatik Llalla i mbaronte mandati më 7 dhjetor. Ndoshta “kriteret” kryesore që Markun e bënin të preferueshme, janë dy pika. E para është femër dhe sulmet ndaj saj qoftë edhe për etikë do të jenë pak më të buta dhe e dyta, ishte një prokurore, mban një profil të ulët, duke mos patur në duar dosje të nxehta, apo anatemuar majtas apo djathtas si e njërës apo tjetrës palë. Mediat pranë opozitës qarkulluan lajme me shumicë që kryeprokurorja Arta Marku ishte si fillim një përzgjedhje e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja. Gjithashtu, u tha se Marku kishte shoqe që nga shkolla e magjistraturës anëtaren e komisionit të ligjeve Ermonela Felaj. Arsye për të mos u marrë në konsideratë në një vend të vogël si i yni, që mund të dalësh të njohur edhe aty ku nuk e mendon. Por për të parë se kush është në të vërtetë Arta Marku, kjo do i përkasë së ardhmes, pasi e shkuara nuk premton një “CV” të pasur të prokurores 41-vjeçare.
Dosjet e nxehta
Ka punë për të bërë dhe direktiva për të dhënë, dosjet nuk mungojnë, madje janë me interes mjaft të madh publik. Njëra prej tyre është hetimi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, aktualisht i akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, çështje e hapur më 17 tetor të vitit 2017, pas arrestimit në Katania të Italisë të Moisi Habilajt, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm. Ky është basti i parë për ecurinë e hetimeve të kësaj çështjeje, por që duket se kryeprokurorja e re nuk mund të ketë shumë dorë në dosje, pasi po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Për t’u parë mbetet një hetim më se i ri që mbërriti në institucionin e akuzës ditën që Marku mori detyrën. Ministria e Energjetikës dërgoi në prokurori kallëzimin penal ndaj tre ish-zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Rrugor Shqiptar, përfaqësues të LSI-së. Ata dyshohet për afera korruptive në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Më parë ishin denoncuar edhe nga KLSH-ja, por prokuroria i kishte mbyllur hetimet, në kohën kur akuza drejtohej nga Adriatik Llalla. Gjithashtu, një tjetër hetim që është në fazën e parë mbeten edhe dyshimet për implikimin e Kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako me një grup kriminal, i cili u angazhua në zgjedhjet lokale të vitit 2015 në favor të kandidatit socialist. Opozita pretendon se janë prova të mjaftueshme që vërtetojnë përfshirjes e Dakos, ndërsa socialistët e konsiderojnë një shpifje të pastër.
Janari me pritshmëri…
Ambasadori Amerikan në Tiranë Donald Lu, i përfshirë thellë në ecurinë e Reformës në Drejtësi ka artikuluar disa herë qëndrimin se në janar do të arrestohen “peshqit e mëdhenj”, duke nënkuptuar se zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë do të përfundojnë pas hekurave, për dëmin që i kanë shkaktuar vendit. Pyetja që skeptikët ngrenë dhe që përgjigjen e ka me vete, mbetet se sa do e ketë të mundur një kryeprokurore që të jetë e lirë në ushtrimin e detyrës së saj dhe të hetojë fillimisht dosjet ndaj zyrtarëve të lartë aktual, kur ka marrë në parlament vetëm votat e Partisë Socialiste? Kjo situatë si e përzgjedhura e socialistëve, e bën Markun t’i ketë duart e lidhura, të paktën logjika si funksionojnë institucionet në Shqipëri në këtë hulli kanë ecur gjithnjë. E vetmja shpresë që mund ta bëjë kryeprokuroren 41-vjeçare të çlirohet nga “kapja” e kartonit jeshil, të atyre që e zgjodhën, do jetë një fuqi më e madhe. Ndoshta kjo mund të vijë nga mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA dhe BE. Dyshja Lu-Vlahutin kanë marrë flamurin e Reformës në Drejtësi dhe ndoshta edhe për ego të tyren mund të ushtrojnë “presion pozitiv” që kryeprokurorja e re të nisë me zell çdo hetim për afera korruptive të zyrtarëve aktualë, të të gjitha niveleve. Nëse Marku ka karizmën dhe vendosmërinë e duhur që të tregojë veten që nuk është vetëm një kryeprokurore e përzgjedhur nxitimthi për ca muaj në atë detyrë, e ka vetë në dorë që të shtrojë rrugën e saj për një mandat të plotë si Prokurore e Përgjithshme.(Revista Mapo)
Leave a Reply