Në festën e vitit të ri 1925 në ambasadën e SHBA, femra më e bukur e Shqipërisë së shekullit XX sfidoi Kanunin dhe Ligjin Islamik, duke kërcyer e zbuluar pa ferexhe e burka, nën ritmet e muzikës modern. Ky akt sinjalizoi ardhjen e një epoke të re. Intriga e pashembullt e pushtetit , pasioni I fshehtë përvëlues dhe enigma e madhe e një vrasjeje misterioze marrin udhë…
Gati një vit më parë Alfred Peza do ta nxirrte nga arkivat këtë histori për ti dhënë jetë në një roman. Historia e një gruaje që do të trazonte jo vetëm zemrën e Mbretit Zog, por edhe historinë e Shqipërisë duke shënjuar me aktin e vallëzimit të saj udhëtimin e Shqipërisë drejt perëndimit, do të tërhiqte vëmendjen e lexuesve, që pak kishin dëgjuar për Sara Blloshmin. Romani Sarah botimet mapoedion u kthye në librin më të shitur në Panairin e Librit pak muaj më parë, dhe në librin më të përfolur nga kritika. Për të folur mbi këtë roman, por dhe sfidat e letërsisë së re shqipe sot Alfred Peza ka qënë I ftuar në gjimnazin “Partizani” në kuadër të takimeve “shkrimtari në shkollën time”.
Duke folur me nxënësit Peza u shpreh se kjo histori dashurie tregon civilizimin dhe një qasje të hershme të Shqipërisë ndaj perëndimit. Me këtë libër ai jo vetëm i ka dhënë një jetë të përjetshme Sara Blloshmit, mbesës së Ismail Qemalit por ka nxjerrë në pah dimensionin e vërtetë të Mbretit Zog, një figurë kontradiktore në mënyrën sesi historia jonë e ka trajtuar. Kuriozë mbi figurën e Sara Blloshmit, Peza u ka treguar nxënësve detaje mbi jetën e saj pas largimit nga Shqipërisë. Sipas tij, ajo u martua me Vandeleur Robinson (1902-1990) i cili ka qënë bashkëshorti i gazetares së njohur Clare Hollingworth. Ai është autor i librit “Shqipëria rruga drejt lirisë”, botuar në Londër më 1941. Sara ka lindur në Stamboll, në vitin 1904. Ajo ishte fëmija i tretë i kolonelit Vehab bej Serdar, djalë i gjeneralit të famshëm Abdul Kerim Pasha dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas shpalljes së pavarësisë, pasi kishte kaluar fëmijërinë në Stamboll, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri. Sara u martua e re me ushtarakun Selahedin Blloshmi, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit. Martesa u dha një vajzë, Verën (1923-1998), e cila më vonë do njihej për artin e bukur të saj, pikturën. Për një kohë të gjatë Sara jetoi në Bukuresht, ku Selahedin ishte ambasador i Shqipërisë, e më pas u kthyen në Tiranë. Sara, pas vdekjes së Selahedin Blloshmit, u njoh me ushtarakun anglez Vandeleur Robinson, i cili ishte atashe shtypi në Misionin britanik në Shqipëri, me të cilin u martua më 1945-n.
Peza u tregoi të rinjve mbi kohën që kishte shkruar këtë roman, dhe u foli mbi rëndësinë e leximit të librave të mirë. Drejtoresha e Gjimnazit Luiza Mustafaj tha se takime të tilla ndihmojnë jo vetëm në njohjen e nxënësve me shkrimtarët e sotëm bashkëkohorë, por dhe në thellimin e njohurive mbi libra e autor të caktuar.
Leave a Reply