Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga Samiti i G7-s, kur presidenti Donald Trump u shfaq për herë të parë mes liderëve më të pushtetshëm të botës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka vendosur tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare si ajo me Iranin apo ajo për ndryshimet klimatike, e ka çuar botën në prag të luftës tregtare dhe shumë shpejt do të takohet në Singapor me liderin e Koresë së Veriut. Këto zhvillime duket se i kanë përzier kartat në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Lind pyetja: A matet pushteti i liderëve të botës me pozicionin ku ata ndodhen në orbitën e Trump-it? Çfarë duhet pritur në samitin e 44-t të G7-s, që mbahet më 8-9 qeshor në Kebek, Kanada?
Emmanuel Macron – BFF (miku i mirë i përjetshëm)
Macron duket se i ka marrë Britanisë rolin e ndërmjetësit më të afërt perëndimor me Uashingtonin, megjithatë ai dhe Trump duken një dyshe e çuditshme. Të dy ndjekin politika që nuk ngjajnë, kanë 30 vjet diferencë dhe prejardhje intelektuale thellësisht të ndryshme. Asnjë lider tjetër në Europë nuk e ka kritikuar Trumpin aq ashpër për çështje si tregtia, klima dhe Irani. Por Macron nuk e ka fituar vëmendjen e Trump-it për qasjen e tij shumëpalëshe ndaj çështjeve me rëndësi botërore. Macron është pragmatik. Në këtë mënyrë, sugjerimi i Trump se parizienët e armatosur mund të kishin parandaluar sulmet terroriste ishte i bezdisshëm, por në fund të fundit u arrit të shmangej. Ai nuk do t’i ofrojë shumë këshilla për Korenë e Veriut dhe as do t’i predikojë për Rusinë.
Çfarë duhet pritur: Ligjërata, përqafime dhe … diplomaci zbokthi.
Shinzo Abe – shoku i golfit
Kryeministri japonez ishte i pari që u përpoq t’i afrohej Trump-it. Ai u bë lideri i parë i huaj që fluturoi në SHBA menjëherë pasi Trump fitoi zgjedhjet dhe të dy luajtën bashkë golf. Por buzëqeshjet e kortezisë fshehin disa dallime thelbësore, veçanërisht në marrëdhënie me Korenë e Veriut, e cila për Aben mbetet proritet. Japonia vijon të këmbëngulë në presionin maksimal ndaj Koresë dhe me ngurrim po e mbështet takimin e ardhshëm Trump-Kim. Tregtia është gjithashtu një pikë fërkimi, pasi Trump po tërhiqet nga një marrëveshje e iniciuar nga Japonia. Tokio është e pakënaqur me vendimin e Uashingtoni për t’u tërhequr nga marrëveshja e klimës, por ka më pak interes për çështje si Irani, Rusia apo terrorizmi.
Çfarë duhet pritur: Shfaqje të admirimit të ndërsjelltë dhe ndarje e pakëndshme politikash
Justin Trudeau – fqinji i veriut
G-7 vjen në një moment kur bisedimet për marrëveshjen NAFTA nuk duken aspak premtuese. Trudeau është lideri i vendit ku mbahet samiti dhe duket i “ngopur” me Trump-in. Ai e ka vënë disa herë në diskutim sloganin e Trump-it, “Amerika e para”, duke bërë thirrje për aksion në rritjen e diversitetit dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Kanadaja po nxit një task force që ka për qëllim të ndalojë ndërhyrjen e huaj në demokracinë vendase, duke pasur këtu parasysh Rusinë. Trudeau mbështet marrëveshjen me Iranin, ndërsa Koreja e Veriut dhe terrorizmi për të janë më pak prioritet. Nuk duhen pritur fishekzjarre: Kanadaja mbështetet te SHBA-të për një pjesë të madhe të tregtisë dhe kjo e bën Trudeau-n një optimist të linjës së ashpër. Edhe në një luftë tregtare, kanadezët dinë të luajnë mirë.
Çfarë duhet pritur: shtrëngime dhëmbësh, postime me nëntekst në Tuiter dhe thirrje për ndryshim
Theresa May – që nuk është Margaret Thatcher
Një histori e gjatë e “marrëdhënieve të veçanta” mes liderëve britanikë dhe amerikanë sugjeron afërsi mes May-t dhe Trump-it, por nuk është kështu. Kryeministrja britanike sjell me vete Brexit-in, kështu që prioritet i saj është tregtia, sidomos një marrëveshje me ekonominë më të madhe të botës. Për ta arritur këtë, ajo është e gatshme të “kapërdijë” jo pak, përfshirë edhe kritikat e Trump-it në Tuiter për terrorizmin në Britani, sidomos pasi Trump e mbështeti kur ajo dënoi Rusinë për episodin e helmimit të agjentit Skripal në Londër. Nuk është koincidencë fakti se kur Trump njoftoi për vendosjen e tarifave të reja të importit, zëri i May-t ishte më pak kritik se të tjerët. Ajo është e lumtur t’ia lërë BE-së barrën e marrëveshjes së Iranit dhe asaj të klimës dhe nuk ka pasur pothuajse fare peshë në çështjen e Koresë së Veriut.
Çfarë duhet pritur: deklarata që i kemi dëgjuar, pa shumë shtrëngime duarsh
Angela Merkel – veterania
Mund të duket sikur Merkel është eklipsuar nga figura e Macron-it, por Gjermania mban “çelësat” e Europës si eksportuesi më i madh. Kjo e vendos lideren historike në një kurs përplasjeje me Trumpin mbi çështjen e tregtisë. Merkel ka paralajmëruar se aleatët e vjetër nuk janë më dhe aq të besueshëm dhe ajo ende po përballet me axhendën e Trumpit për tërheqjen nga marrëveshja me Iranin dhe nga marrëveshja klimatike. Ndërveprimi është më i ndërlikuar se kaq: Trump e di rëndësinë e Gjermanisë në shpenzimet për NATO-n dhe në mënyrë të hapur e admiron mënyrën sesi Merkeli i mbron interesat e gjermanëve, madje ka kërkuar këshillën e saj në lidhje me atë se si duhet të veprojë me Putinin dhe Rusinë. Merkel ka 12 vjet përvojë në konfrontime me liderë meshkuj pak a shumë moshatarë të saj, por me Trump ka gjetur pak pika të përbashkëta. Sa herë është rasti, ajo ka fjalë mbështetëse për çështje si Koreja e Veriut apo terrorizmi.
Çfarë duhet pritur: Atmosferë miqësore, por edhe e kujdesshme
Giuseppe Conte – I panjohuri
Italia ka një kryeministër të ri, që është i panjohur në politikë: një profesor 53-vjeçar në Universitetin e Firences pa asnjë përvojë në qeverisje. Interesant është fakti se si fytyra e një qeverie populiste, ai ka më shumë të përbashkëta me Trump-in se të gjithë të tjerët, që nga proteksionizmi tragtar, te retorika antiemigracion e deri te skepticizmi për NATO-n. Italia varet nga Rusia për gazin dhe kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me të. Italianët rrallë kanë pasur gjëra të rëndësishme për të thënë në samite si ky, vetëm nëse kësaj here kanë një axhendë të paracaktuar. Ata nuk janë palë e interesuar në çështje si Irani apo Koreja e Veriut, nuk ka shumë gjasa të kërkojnë riaktivizimin e marrëveshjes së klimës dhe as nuk kanë shumë potencial për të kontribuuar në luftën kundër terrorizmit për shkak të ushtrisë së kufizuar.
Çfarë duhet pritur: Fillimisht një shtrëngim duarsh, më pas… ku i dihet /Bloomberg-TemA TV/
Leave a Reply