Situata ku ndodhet sot Shqipëria, i përngjet një prej pasazheve qe Homeri përshkruan në udhëtimin e Odisesë, të cilit i duhet të zgjidhte nga njëra anë mes Shilës, një përbindëshi të madh me 6 koka, i cili i gllabëronte udhëtarët, dhe Karibdës, një vorbulle gjigante që përpinte në të anijet.
A nuk i përngjan qeverisja e Edi Ramës sot Shilës së frikshme? Korrupsioni i përmasave gjigante është duke gllabëruar përditë miliona euro nga paratë e shqiptarëve e bashkë me to duke varfëruar vendin, duke i çuar qytetarët shqiptarë drejt dëshpërimit e pamundësisë ekonomike, duke vrarë shpresën e duke stimuluar emigrimin masiv. Vetëm njëra nga kokat e këtij përbindëshi korrupsioni, afera e incineratorëve, ia ka dalë që brenda një kohe shumë të shkurtër të gllabërojë rreth 430 milionë euro të taksave të shqiptarëve dhe kjo është vetëm ajo çfarë ne kemi mundur të mësojmë falë denoncimeve publike dhe punës së SPAK.
Jam e sigurt se ende ka shumë “bëma”, të cilat presin të bëhen publike lidhur me këtë çështje. Raportet ndërkombëtare për korrupsionin prej vitesh tashmë e rendisin vendin në krye të tabelave të korrupsionit në rajon dhe në kontinent e këto tabela shkojnë paralelisht me shifrat e azilkërkuesve dhe nivelin e varfërisë, i cili po ashtu mbetet më i larti. Kur pyetet për rastet flagrante të korrupsionit, Edi Rama bën të paditurin duke cilësuar se përgjegjësia është vetëm e atyre që janë kapur me presh në duar dhe jo e tij. Po si mundet të jetë i paditur një njeri, i cili kryesisht e ka drejtuar qeverinë nëpërmjet faqes së tij në fb?!
A ka shqiptar ta besojë se njeriu, i cili ka vendosur për pamjet e shesheve nga Vermoshi në Konispol, duke anashkaluar kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë e duke i vizatuar ato në fletë bakalli, nuk di se ku e si janë shpenzuar 430 milionë eurot e incineratorëve që për më tepër as nuk ekzistojnë?! A ka shqiptar të besojë se njeriu, i cili kujdeset edhe për një koment negativ në fb, duke qesëndisur ata që e mendojnë ndryshe nga ai, nuk e di se ministrat e tij janë duke vjedhur me lopatat e plehrave në duar?! A ka shqiptar të besojë se përbindëshi i korrupsionit që është instaluar në vend, është pa kokë?!
Edhe pse Edi Rama mundohet përditë t’ua hedhë hirin në sy shqiptarëve duke luajtur rolin e të paditurit, të pafajshmit, naivit etj., unë nuk besoj se shqiptarët e besojnë këtë gjë. Nëse sot do t’i pyesnim shqiptarët lidhur me përgjegjësitë që ka Kryeministri në aferën e incineratorëve apo të tjera afera që dalin përditë apo pritet të dalin, jam e bindur se ata do ta vishnin me përgjegjësi direkte e do të kërkonin largimin e tij.
Sepse edhe nëse bëhemi naivë dhe pranojmë se ai nuk ka gisht në korrupsion, atëherë i bie se qeverisemi nga një leshko, i cili nuk sheh se çfarë bëjnë bashkëpunëtorët e tij dhe për rrjedhojë është po njësoj fajtor. Me të drejtë dikush do të thoshte, dakord Rudina, por si shpjegohet gjithë kjo mbështetje që i vjen me votë këtij përbindëshi sa herë që shqiptarët thirren të votojnë. Këtu vijmë të problemi i dytë që kemi: Karibda e shqiptarëve është opozita.
Opozita fatkeqësisht për shumë vite tashmë ka luajtur rolin e një vorbulle, brenda së cilës kanë humbur me radhë të gjitha anijet e kauzave opozitare. Lulzim Basha nuk e kuptoi kurrë përgjegjësinë e të qenit në krye jo të një institucioni zyrtar, por në krye të një misioni për të risjellë shpresën dhe drejtësinë në vend, rezultoi të ishte vorbulla perfekte e aksionit opozitar. Pothuajse të gjitha kauzat e drejta që qytetarët ngritën në vitet e drejtimit të opozitës nga Basha, u përpinë nga vorbulla e PD-së, duke lënë mbrapa dyshimin e arsyeshëm se ato tregtoheshin apo shkëmbeheshin për favore ekonomike.
Kulmi i vorbullës së krijuar nga Basha arriti kur fusha iu la e lirë Edi Ramës, si nëpërmjet djegies së mandateve, ashtu edhe kur iu lanë të gjitha bashkitë në tavolinë e duke i dhuruar praktikisht gjithë pushtetin ekzekutiv në vend. E sot vorbulla që Basha ka lënë pas vazhdon të përpijë vëmendjen e shqiptarëve, duke e orientuar debatin jo drejt gllabërimit të fondeve publike nga përbindëshi i korrupsionit që na qeveris, por drejt gic mivece të opozitës, e cila ende nuk po rehatohet.
Kjo paqartësi e krijuar në kampin opozitar i ka bërë shumë shqiptarë të qëndrojnë në shtëpi gjatë periudhave zgjedhore dhe shifrat e pjesëmarrjes së ulët në votime e konfirmojnë këtë. Shqiptarët kanë zgjedhur të kalojnë nga Shila, të humbasin miliona euro të taksave të tyre, për të mos humbur në vorbullën opozitare. Si zgjidhet?! Ndryshe nga historia e Homerit, ku të dhënat ishin të pandryshueshme e ku Shila mbetej Shilë e Karibda po ashtu, ne e kemi sot mundësinë të ndryshojmë të paktën njërën prej tyre.
Kemi në dorë të ndryshojmë rolin e opozitës në Shqipëri, duke e shndërruar atë nga një vorbull që përpin kauzat e drejta në një dallgë, e cila ta çojë anijen e Shqipërisë në bregun e zhvillimit dhe integrimit, duke përmbytur kështu përbindëshin e korrupsionit. Kjo kërkon shumë punë dhe angazhim, kërkon bashkim dhe koordinim të të gjithë atyre, të cilët besojnë se Shqipëria është një vend i bekuar dhe se Edi Rama nuk mund të jetë Kryeministri i saj.
Unë besoj se ky proces ka nisur brenda Partisë Demokratike dhe sigurisht do të dojë kohën e vet, por fundi do të jetë i mbarë. Shqiptarët shumë shpejt nuk do detyrohen më të zgjedhin mes dy të këqijave, por do të lundrojnë të qetë në rrugëtimin e tyre drejt mirëqenies dhe shtetit të së drejtës.
Leave a Reply