Punonjëse sociale, Graz – Austri
Projekti Europa e Bashkuar, po përjeton ngritjen e kufijve të rinj, për shkak të migracionit që nuk e ka ndërmend të ndalet. Këtu-atje, jashtë-brenda, të pasur-të varfër, të pashpresë, të kërcënuar-të sigurt. Dhe midis: KUFIRI. Kufiri ndan, kufiri bashkon. Kufijtë vendosin ndryshimin. Kufiri vendos ku duhet dhe deri ku mund të shkosh. Kufiri ndan atë që normalisht duhet të jetë e përbashkët. Kufiri përcakton, që njerëzit jetojnë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe pranë njëri-tjetrit.
Po flitet përsëri për kufijtë e gjithë vendeve të Unionit Europian. Regjimi i ri i kufirit në Ballkan, telat mes kufirit hungarez dhe atij serb, kontrollet mes vendeve skandinave si dhe vendeve në Jug me Austrinë. Po diskutohet shumë për rivendosjen e kufijve në Ballkan dhe në Europë. Nga njëra anë intelektualët, shoqata të të drejtave të njeriut, humanistë dhe nga ana tjetër, politikanë të djathtë konservatorë dhe ekstremë. Më të shumtit e shohin vendosjen e kufijve si të shëmtuar, janë të zhgënjyer nga politikëbërja populiste europiane. Logjika moderne e sheh dhe e percepton si një projekt “i rënies se kufijve europianë”, avangardët e shohin që me fillimin e shekullit të 20-të si akt jo demokratik vendosjen e kufijve, shtyrjen apo përcaktimin e tyre sipas dëshirave të politikëbërësve.
A do të zgjidhë ‘mbyllja e kufijve’ problemet e emigrimit në BE? Kufijtë definojnë bashkësi politike si dhe sovranitet shtetëror. Kufijtë po ndajnë apo dallojnë njerëzit sipas kulturës, statusit social, fesë, gjuhës dhe kritereve etnike. Kufiri në kuptimin e parë ka funksion mbrojtjeje. Çdo rregull, ligj, tabu, e drejta, ka një kufi. Deri këtu, më tej e tejkalon edhe kuptimin e tij. Kufijtë dhe respektimi i tyre, mbrojta e tyre është akt humanizmi. Zona Shengen e tregoi këtë më së miri. Njerëzit lëviznin të lirë, pa kufizime formale deri në vitin 2015. Lufta në Siri shkaktoi dyndjen më masive gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Vendet si Gjermania, Austria, të cilat përballuan fluksin më të madh të azilkërkuesve janë ndër ato vende, që tani ashtu si Hungaria kanë rifilluar vendosjen e kufijve dhe paralelisht kontrollin kufitar, doganor mes vendeve të Ballkanit.
Menaxhimi i pritjeve të publikut është një pjesë e rëndësishme e zbatimit të çdo politike të re mbi migracionin – veçanërisht ato që thyejnë tabu. Politikanët në Bruksel dhe në kryeqytetet kombëtare kanë demonstruar se nuk ekziston një rregullim i shpejtë për reduktimin e flukseve të migracionit, me përjashtim të rasteve kur europianët janë gati të fillojnë të lejojnë një migrim të ligjshëm ekonomik. Në mungesë të kësaj, Europa mund të punojë vetëm në strategji afatmesme për të reduktuar gradualisht rrjedhat dhe për t’i bërë ato më të menaxhueshme, me ndikime që mund të ndihen pak mbas disa vitesh. Në fund të fundit, udhëheqësit brenda BE-së dhe shteteve anëtare duhet të paraqesin opsione për adresimin e migracionit që kapërcejnë perceptimin popullor se ‘mbyllja e kufijve’ do të zgjidhë problemin. Përkundrazi, politikat e përqendruara në ndalimin e flukseve të emigrantëve thjesht shtyjnë më shumë njerëz drejt mjeteve të paligjshme të hyrjes në Europë, duke krijuar një treg më të madh për kontrabandistët dhe trafikantët e grupeve të refugjatëve. Por, edhe vetë migracioni i parregullt, nga ana tjetër, ushqen dilemat populiste europiane për pasigurinë fizike të lidhur me krimin dhe pasigurinë ekonomike për shkak të konkurrencës për vende pune dhe shërbime publike. Këto ndjenja, nga ana tjetër, kontribuojnë në fatin e partive populiste, anti-imigracionit, të cilat kanë ngritur valën e ankthit që rrjedhin nga lidhja e supozuar midis emigracionit dhe krimit apo terrorizmit.
Alternativa ndaj qasjes së “kufijve të mbyllur” nuk është thjesht hapja e kufijve, por menaxhimi i kufijve. Deklarata e cituar shpesh e kancelares Merkel në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015: “Wir Schaffen Das” (do të përballojmë atë) sugjeron që vendet po arrijnë të jenë të efektshme për t’u marrë me emergjencën e refugjatëve. Por folja gjermane “schaffen” në fakt do të thotë ‘menaxhim’ dhe kjo është me të vërtetë ajo që mund të bëjë BE: të merret me migracionin si një pasojë e pashmangshme e globalizimit, një fakt i jetës që ka ekzistuar qëkur njeriu ka qenë në tokë dhe një çështje që ka nevojë për t’u trajtuar në mënyrë konstruktive dhe realiste.
Por, ndërkohë që politika europiane ende po mendohet, në vende si Austria dhe Gjermania e djathta ekstreme polarizoi aq shumë politikën vendëse sa në të dyja këto vende të djathtët fituan në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në Austri e djathta ekstreme FPÖ është në bashkëqeverisje me Partinë Popullore ( ÖVP) . Asnjë kufi nuk është i përjetshëm, asnjë kufi nuk është i përcaktuar për të gjithë njerëzit dhe për gjitha kohërat. Zgjedhjet dhe sondazhet e opinionit në të gjithë Evropën tregojnë se partitë anti-imigracion kanë arritur të fitojnë një pakicë të qëndrueshme, por është po aq e vërtetë që në shumicën e vendeve anëtare të BE-së ekziston një shumicë e qëndrueshme që pranon një politikë më realiste mbi migracionin.
Leave a Reply