Mekanizmi i përsëritjes së proceseve zgjedhore në përvojën moderne të demokracive përballet me një skepticizëm të fortë. Veçanërisht, përsëritja tërë- sore e një procesi zgjedhor të përgjithshëm, pra, duke bërë nulë atë pararendës, është një shteg vështirë i mendueshëm. Deri më sot, vetëm në katër raste, me vendim gjyqë- sor është shpallur i pavlefshëm një proces zgjedhor si Zgjedhjet Presidenciale. Në rastin e Ukrainës, në vitin 2004, në rastin e Maldiveve, në vitin 2013, (raundi i parë), në rastin e Austrisë, në vitin 2016 dhe së fundmi, në Kenia, në vitin 2017, Gjykatat Kushtetuese respektive kanë shpallur proceset zgjedhore presidenciale si tërësisht të pavlefshëm. Ajo që i bën bashkë sërish këto raste, është se përsëritja e proceseve zgjedhore nuk solli ndryshimin e subjektin garues fitues. Tjetër e përbashkët e vendimmarrjes së Gjykatave Kushtetuese respektive, është kryeargumenti për nulifikimin e proceseve zgjedhore. Në këto raste, gjyqësori në thelb ka shqyrtuar mbarëvajtjen procedurale të proceseve, duke kryer kësisoj analizë kuantitative. Në asnjë rast, analiza nuk është përfshirë në përmbajtjen e procesit zgjedhor, duke u thelluar në meritat e tij, pra, në një analizë kualitative.
NJË SHEMBULL ‘KRITIK’ NGA NJË DEMOKRACI NË ZHVILLIM
Në këtë vazhdë, Zgjedhjet Presidenciale të 8 gushtit 2017, në Kenia shënjuan precedentë të rinj në mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore. Së pari, shkak për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve u bë keqzbatimi i teknologjisë në procesin e votimit. Së dyti, qëndrimi i mbajtur nga Gjykata Kushtetuese përmbysi qëndrimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, që i kishin dhënë visto procesit zgjedhor. Dy precedentë që, më mirë të ilustruar në kontekstin e Kenias, marrin plotësi në standardin që vendosin dhe se si duhet të shërbejë në përvojat globale, por edhe në vende si i yni.
Kenia përbën prej kohësh një pikë reference të fortë ndërkombëtare me vendet e rajonit afrikano-lindorë apo dhe tërë Afrikës. Si një shtet i pavarur që prej vitit 1963 nga Mbretëria e Bashkuar, stabiliteti i brendshëm civil nuk është ruajtur për shkak të përbërjes etnike, e cila ka prodhuar përplasje dhe konflikte të vazhdueshme. Megjithatë, kjo nuk ka penguar që të jetë një vend me histori zhvillimi konstant dhe një partner gjeostrategjik i besueshëm.
Që prej Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 1992, i cili passolli konflikt ndëretnik, progresi demokratik i vendit ndërroi kurs edhe njëherë pas Zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2007. Ndonëse, në atë vit, ndër të tjera, rritja ekonomike e Kenias shënjoi 7% dhe një ulje drastike të borxhit të jashtëm. Me gjithë kontekstin socio-ekonomik, procesi zgjedhor i atij viti, u shoqërua nga një përplasje civile që solli rreth 1500 viktima. U nevojit ndër të tjera, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, që palët t’i riktheheshin shtratit institucional në vitin 2008 dhe të arrinin miratimin e një Kushtetute të re në vitin 2010.
ZBATIMI I TEKNOLOGJISË NË VOTIM
Si një përgjigje e traditës së dhunshme zgjedhore dhe më specifikisht Zgjedhjeve Presidenciale të 2007- ës, pati një angazhim të gjerë institucional për zbatimin e teknologjisë në procesin e votimit. Në Zgjedhjet Presidenciale të 2010-ës, për herë të parë u vendos përdorimi i teknologjisë zgjedhore mbi tri modalitete, si regjistrimi biometrik i zgjedhësve, verifikimi i zgjedhësve sipas sistemit biometrik (të dubluar dhe nga regjistrat manualë) dhe transmetimi i rezultateve paraprake nga Qendrat e Votimit. Kjo sipërmarrje prodhoi një proces zgjedhor pa cenuar rendin, por jo i paqtë për nga kritikat e opozitës dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, ku kryefjala ishte keqzbatimi i teknologjisë. Gjithashtu, edhe Gjykata Kushtetuese e vendit shpalli përsëritjen e procesit zgjedhor në fare pak qendra votimi, precedent që ndonëse nuk preku procesin, shërbeu për atë vijues.
E njëjta dyshe garuese presidenciale u përball edhe për Zgjedhjet e 8 gushtit 2017, ku Uhuru Kenyatta kërkonte mandatin e dytë presidencial dhe Raila Odinga përballej sërish për ta fituar. Të dy këto personazhe, janë bijtë e Presidentit dhe zëvendëspresidentit të Parë të Kenias së Pavarur, të cilët përfaqësojnë gjithashtu dy nga familjet më të kamura të vendit. Ndonëse pas një përvoje të parë zbatuese, mbarëvajtja e procesit zgjedhor herën e dytë mbarti problematika më të thella. Këto problematika nëzbatimin e teknologjisë (i cili i ishte besuar kompanisë franceze Morpho), shoqëruar me akuza për influencim, drejtim apo shitblerjes së votës, u bënë objekt i gjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
PRECEDENTI I VENDOSUR NGA GJYKATA KUSHTETUESE E KENIAS
Gjykata Kushtetuese e Kenias gjykoi padinë e ngritur për shpallje të pavlefshëm të procesit zgjedhor mbi bazën e tri argumenteve kryesorë. Këto argumente ishin keqzbatimi i teknologjisë së përcjelljes së rezultatit, parregullsitë procedurale në proces dhe rastet për influencim, drejtim apo shitblerjes së votës. Të tria këto çështje u trajtuan gjerësisht në arsyetimin e kryer nga Gjykata, e cila vetëm keqzbatimin e teknologjisë së përcjelljes së rezultatit e vlerësoi si arsye të mjaftueshme për shpalljen e procesit zgjedhor të pavlefshëm.
Të tri argumentet e paraqitura nga pala paditëse, Gjykata i vlerësoi në dritën e barrës së provës, se cili subjekt mbarte barrën e provës dhe cili do ishte standardi provues. Përpos analizës tradicionale të jurisprudencës zgjedhore, në raport me pretendimin e palës paditëse për keqzbatimin të teknologjisë së përcjelljes së rezultatit, Gjykata vendosi një precedent të rëndësishëm. Sipas saj, ndryshe nga parimi universal se “aktet e administratës publike prezumohen të rregullta dhe të ligjshme” deri sa paditësi nuk provon të kundërtën, për sa i përket çështjes në fjalë, u konsiderua institucioni publik përgjegjës në barrën për të provuar integritetin e procesit. Për shkak se autoriteti administrues në fjalë, refuzoi kërkesën e Gjykatës për kontroll të log-imeve (kujtesa dinamike) dhe server-it (kujtesa konservuese), kjo e fundit e vlerësoi automatikisht si dështim për të provuar se zbatimi i teknologjisë në proces kishte qenë i rregullt dhe i ligjshëm. Për rrjedhojë, ky fakt u bë argumenti, që e shtyu Gjykatën të shpallte rezultatin zgjedhor nulë.
INSTITUCIONET VENDASE DHE VËZHGUESIT NDËRKOMBËTARË
Përbën truizëm zgjedhor, që objektiviteti vlerësues, standardet dhe kërkesat e vëzhguesve ndërkombëtarë qëndrojnë më lart se ato të institucioneve vendase. Kjo, edhe si një staturë garanti që kanë misionet ndërkombëtare të vëzhgimit në proceset zgjedhore pas Luftës së Dytë Botërore. Staturë kjo, që ka filluar të bjerret, për shkak të disa zhvillimeve në proceset zgjedhore dhe sjelljes së aktorëve vendas institucionalë ose civilë. Në Zgjedhjet Presidenciale të 8 gushtit 2017, misionet e vëzhgimit, ku ndër më kryesorët Carter Centeri drejtuar nga ish-Sekretari i Shtetit Xhon Kerri dhe ai i Bashkimit Europian, midis kritikave i dhanë visto pranimit të rezultatit të procesit zgjedhor. Pranim ky, që u ndesh me zhvillimin institucional dhe qëndrimin e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese vendase. Një kundërvënie kjo jo e para, por e ndryshme, për shembull, nga rasti i fundit i Zgjedhjeve Presidenciale të Haitit në 2015. Në rastin e sipërpërmendur ishin aktorët civilë dhe politikë, që ushtruan presion në përsëritjen e zgjedhjeve në kundërshtim me viston ndërkombëtare, ndryshe nga situata në Kenia, ku institucioni vendas manifestoi standarde më të larta se vëzhguesit ndërkombëtarë.
*Ekspert për çështjet zgjedhore
Leave a Reply