Zërat e qeverisë, por edhe disa qëndrime të opozitës kishin ushqyer në Shqipëri pritshmërinë se vizita e Presidentit të BE-së, Zhan Klod Junker dhe e Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, do të na jepte një sihariq, domethënë një njoftim relativisht konkret në lidhje me dhënien së afërmi të rekomandimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Vetë Komisioneri Hahn, nëse nuk ishte cituar gabim nga Tirana, e kishte lënë hapur në prag të vizitës mundësinë e një “dhurate” të tillë. Nuk ishte fjala për një shpallje zyrtare paraprake të “po”-së dhe as për një datë konkrete nga të zotët e punës. Maturia dhe rezervimi le t’i shoqërojë ata në çdo hap. Por gjuha ka shumë mënyra për të përcjellë mesazhe, që sinjalizojnë ndezjen e dritës jeshile në afatin e shpallur. Dhe ne do ta kishim kuptuar se në qershor do të kemi një rekomandim nga Brukseli. Topi pas kësaj do t’u kalojë vendeve anëtarë për t’u përmbyllur gjithçka në vjeshtë.
Por e folura e Presidentit Junker në Tiranë ishte e përgjithshme, si në një vizitë të zakonshme. Shprehjet standarde inkurajuese, të mirëpritura pa dyshim, nuk ta kujtonin se Shqipëria është në vitin e hapjes së negociatave. Ishte një vizitë në të thatë, që lë mjaft pikëpyetje për fatin e negociatave.
Çfarë po ndodh, a ndryshuan mendje rrugës zyrtarët e lartë të Brukselit apo ne i kemi keqkuptuar kur kemi menduar se do të vijnë me një lajm të mirë? A ka ngecur, ku ka ngecur makina jonë e integrimit? Në qoftë se kjo që pamë dje, do të kishte ndodhur para një apo dy muajsh kryeministri Edi Rama do të kishte gati një fjalim copy paste ku do të tregonte me gisht “opozitën e vjetër” që lobon kundër integrimit të vendit për shkak të xhelozisë politike dhe intreresave të dyshimta të krerëve të saj!- një fjalim të tillë e ka mbajtur sa herë ka marrë karton të verdhë nga Brukseli.
Këte fjalim nuk e mban dot sot. Përmes kreut të PD-së, Lulzim Basha, opozita është shprehur disa herë gjatë këtyre javëve dhe u shpreh edhe dje në takimin me Komisionerin Hahn se mbështet plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësim, duke nxitur komisionerin dhe zyrtarët e tjerë të Brukselit të japin një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Më herët, në datë 13 shkurt, opozita dhe shumica parlamentare dolën me një deklaratë të përbashkët në përfundim të mbledhjes dyditore të Komitetit Ndërparlamentar të StabilizimAsociimit BE-Shqipëri, në të cilën kërkohej unanimisht hapja e negociatave dhe caktimi i një date. Një qëndrim i tillë nuk është i zakonshëm për traditën e opozitave shqiptare. Ai përbën një kapërcim të madh mbi pësimet dhe një ngjitje të fortë me interesin publik dhe vizionin perëndimor të një opozite, që ka parë t’i blihen e dhunohen votat me paratë e drogës dhe korrupsionit nga falangat kriminale të qeverisë. Por është një qëndrim i drejtë. Kur është fjala për integrimin të gjitha dilemat e natyrshme të opozitës se mos po përfiton politikisht qeveria, apo mos po u bëhet makijazh problemeve të mëdha të shoqërisë duhet të zgjidhen në favor të integrimit. Integrimi është vështrimi afatshkurtër dhe afatgjatë. (Sikur opozita të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim në procesin e ngritjes së organeve të reja të drejtësisë do të kishte marrë bonuse të mëdha në publik dhe para partnerëve amerikanë e europianë, si dhe do t’i kishte hequr nga dora Edi Ramës flamurin e rremë të mbështetësit numër një të kësaj reforme).
Sjellja konstruktive apo, më shumë se kaq, lobimi i PD-së pranë partive dhe qeverive europiane të qendrës së djathtë kanë vlerë, por nuk mjaftojnë për hapjen e negociatave. Siç e kemi nënvizuar disa herë, procesi i integrimit europian në kohën tonë varet kryekëput nga plotësimi i kritereve dhe kërkesave të BE-së në periudhën e dhënë. Barra dhe përgjegjësia kryesore është e qeverisë. Nëse qeveria i bën mirë detyrat e integrimit, opozita nuk mund të pengojë edhe po të dojë, edhe po të jetë kundër Europës në program. Kjo është e vërteta. Shqipëria nuk është pa bonuse për të synuar hapjen e negociatave këtë vit. Miratimi i Reformës në Drejtësi dhe ngritja doradorës e organeve të drejtësisë së re, të parashikuara në këtë reformë, shkojnë në favor të një note pozitive për ne. Por nuk mjafton. Ligji është zbatimi. Europa ashtu si SHBA po pret rezultatet e Reformës në Drejtësi, në radhë të parë vendosjen e ndëshkueshmërisë në nivele të larta, për të cilën është bërë kjo reformë sui generis. Partnerët tanë e kanë njohur “mjeshtërinë” e aktorëve politikë shqiptarë për të dribluar, kastruar e mbyllur në sirtarë ligje, që janë përdorur për të zbukuruar retorikën, por nuk janë zbatuar. Reforma në Drejtësi është konceptuar në atë mënyrë që nuk mund të mos zbatohet. Jo reforma në vetvete, por produkti i saj do të hapë rrugën e Shqipërisë në familjen europiane dhe do të konsolidojë pozitën e saj me një demokraci të shëndoshë në familjen euroatlantike.
Dhe ja ku vijmë të pengesa kryesore, që mban e mund të mbajë peng akoma ëndrrën europiane nëse nyja gordiane nuk këputet me shpatën e drejtësisë dhe qeverisjes së mirë: Është korrupsioni dhe krimi në sistem. Dy anë të së njëjtës medalje. “Sot, vendet tregojnë elementë të qarta të vendeve të ‘kapura’, përfshirë krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përzierje të fuqishme të interesave publike dhe private”- ky është një paragraf i shkëputur nga dokumenti i strategjisë së zgjerimit të BE-së në Europën Juglindore, që u publikua para disa javësh. Paragrafi i rri shumë mirë Shqipërisë. Madje, nuk do të habitesha po të jetë shkuar vetëm për Shqipërinë në fillim. Këtë përshtypje e përforcojnë deklaratat e djeshme të prokurorit të antimafies italiane, Federiko de Roho, për lidhjet e mafies me politikën në Shqipëri. Duhet naivitet i madh ose një fantazi e shfrenuar të hamendësosh se Shqipëria mund të bëjë përpara në rrugën e integrimit me rekordet e saj të kanabizimit dhe përfshirjes së kupolës së rendit publik në aferat e narkotrafikut gjatë katërvjeçarit të parë të qeverisë së Ramës. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij përpiqen sot e gjithë ditën t’ia adresojnë drejtësisë problematikën e krimit dhe korrupsionit. Nuk ka dyshim se organet e vjetra të drejtësisë kanë përgjegjësi të madhe dhe prandaj po i nënshtrohen një rinovimi pa precedent. Por përgjegjësia e tyre nuk mund të mbulojë pjesën e përgjegjësisë se qeverisë dhe Kryeministrit. Publiku dhe partnerët ndërkombëtarë e shohin qartë se është qeveria, që nuk i kap bosët e drogës dhe ish-oficerët e kupolës së Policisë, të shpallur në kërkim; është qeveria që bën një sy qorr e një vesh shurdh për abuzimet dhe shpërdorimet e jashtëzakonshme të parave të buxhetit të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Rama është kryeministri i parë që nuk ka nënshkruar marrëveshjen standarde me Kontrollin e Lartë të Shtetit ku të obligohet dhe të urdhërojë instancat vartëse të zbatojnë rekomandimet e masave, që propozon KLSH ndaj zyrtarëve, që kapen me shkelje dhe abuzime. Janë mbi njëmijë e treqind rekomandime në rreth pesë vjet, të hedhura në kosh, shumica dërmuese e tyre. Dhe këtu nuk është fjala për denoncime spontane të qytetarëve apo për investigime të rastit nga media të ndryshme, që edhe këto kanë rëndësinë e tyre. Fjala është për kontrolle të ndërmarra dhe të verifikuara nga një institucion ekspertësh. Injorimi i një institucioni të specializuar, që mbahet nga taksapaguesit për këtë punë, e shndërron në hipokrizi retorikën antikorrupsion të Kryeministrit. Më keq: e inkurajon korrupsionin. Të gjitha këto i di, i sheh, i analizon Europa. Në këto kushte, Shqipëria duhet t’ia hedhë asaj për të kaluar klasën. Por kjo është e pamundur. Edhe sikur të thotë njëmijë herë “aman” opozita.
Leave a Reply