Adrian Thano/
Portali ResPublica, qëndrimi editorial i të cilit mëton të djathtën reale dhe është kritik me Ramën, ka botuar dje një analizë mbi lajmet që qarkullojnë për lëvizjen e emisionit të B.Fevziut (Fevzos siç i thonë miqtë e të njohurit)nga Tv Klan në TCH.
Analiza përmend dhe rrogën e re të mundshme të drejtuesit të emisionit Opinion, i cili njihet edhe më herët për pagesat e larta dhe përdorimin e statusit mediatik për mbylljen në favor të çështjeve të dyshimta pronësore.
ResPublica shpreh indinjatë për faktin që rroga e një drejtuesi emisioni përflitet se do arrijë në 45 milionë lekë (të vjetra), ndërkohë që reporterët, pra gazetarët e të njëtit kanal, apo gazetarët e lajmeve në përgjithësi, marrin paga sa 1 e 100 e kësaj shifre apo dicka poshtë apo sipër kësaj.
Për të gjithë ata që janë të revoltuar me pagën e re të Fevziut që edhe në mos qoftë kaq do jetë diku afër, duhet thënë që problemi nuk është se ajo ka goxha diferencë me gazetarët e lajmeve.
Po të jetë për diferencën mes yjeve televizivë si Fevzo dhe mjeranëve që mbajnë mikrofonat me dorë dyerve të politikës, Fevzua me atë nivel vaniteti që ka, do të gjente shumë më shpejt se unë shembuj krahasues vërtet përndritës nga bota.
Dhe në fakt, pagesa e Fevzos nuk varet nga sa e kanë pagën gazetarët që punojnë apo që do punojnë në të njëjtën media me të. Nuk varet as nga miqësia me Benin e as po ndodh kjo që po ndodh sepse Beni dhe Fevzua, po ia hedhin Vjollcës.
Fevzua dhe çdo gjë që ka të bëjë me të varet qartësisht nga audienca. Askush nuk do kishte nevojë për Fevzon, nëse emisionin e tij nuk do ta shihnin. Çdo trajtim i tillë ekskluziv ndikohet së pari nga perceptimi i suksesit që kanë për Fevzon ata që janë gati t’ia marrin në konsideratë shifrën.
Kësisoj, kush nuk është dakord me pagën e re të Fevzos, me vilën e tij të re në mal që e reklamoi së fundmi, me vilën e vjetër në det që nuk e kemi parë ende, me vilën e ardhshme kudo që do jetë ajo, apo me udhëtimet, kostumet e shtrenjta, orët e luksit, tullën shkëlqyese të Fevzos, etj, pra kujt nuk i pëlqejnë këto, nuk ka as pse fyen Fevzon, e as pse shfryn në rrjete sociale, apo në hapësirat për lexuesit në gazetat dhe portalet online.
Mjafton të bëjë vetëm një gjë: Të mos e shoh më emisionin që drejton Fevzua. Po të mos e shoh realisht ama, jo të bëj sikur nuk e sheh.
E njëjta gjë mund të thuhet për politikanët që dikur denonconin ushqyerjen e Klanit (e rrjedhimisht luksin e Fevzos) me fonde të buxhetit të shtetit dhe më pas nga denoncues aq të ashpër e mizorë, na u kthyen në vizitorë të rregullt propagandues të studios së Fevzos.
Këta të fundit, madje, veç pultit të TV, kanë në dorë më shumë se qytetari i indinjuar apo reporteri i nëpërkëmbur. Kanë në dorë bojkotimin publik të Fevzos dhe vendimmarrje të tjera që kanë të bëjnë me hetimet që premtuan kundër ish-regjimit dhe apologjetëve të tij.
Që të mos e zgjasim, kjo është historia, fare e thjeshtë: Shikuesit që nuk e duan, mjaft mos ta shikojnë. Vendimarrësit që e frekuentojnë, duhet ta bojkotojnë.
Nëse as shikuesit, as përfaqësuesit e tyre politikë, nuk munden ta bëjnë këtë, do të thotë që Fevzua e meriton plotësisht rrogën që ka dhe atë që po kërkon, mjafton të jetë në rregull me zyrën e taksave.
Punë të mbarë, Fevzo. Për mendimin tim, jo 45, po 90 të kishe kërkuar. Këto kohë janë të arta për ata si ty. Dhe të pamundura, tjetërkund, kështu që gëzoju sa më shumë dhe sa më shpejt mrekullive të papërsëritshme të katundit tonë të mrekullueshëm. (DITA)
Leave a Reply