Votimi i Republikës së Shqipërisë në OKB, lidhur me rezolutën që kundërshtonte vendimin e SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, me të drejtë është kthyer në një temë debati mjaft të nxehtë, edhe në vendin tonë. Për askënd nuk është e tepërt të japë mendimin e tij. Problemi është madhor. Ka të bëjë me aleancat strategjike të vendit e për rrjedhim edhe çdo qytetar i thjeshtë ndihet i interesuar.
Problemi nuk duhet të jetë monopol vetëm i të mëdhenjve të Shqipërisë. Të mëdhenj në të gjitha fushat. Duke mos hyrë në debatin nëse votimi i Shqipërisë është kundër apo pro SHBA-ve, pasi gjërat duken qartë, problemi duhet parë mirë edhe nëse votimi është marrë në përputhje me institucionet e Bashkimit Europian apo jo. Pra, problemi duhet parë në përputhje me vendimmarrjen e institucioneve që formojnë Bashkimin Europian.
Që në fillim duhet saktësuar se emërtimi “Bashkimi Europian” në vendin tonë përdoret shpesh pa vend,jo vetëm në media, por dhe, për më keq, në politikë e diplomaci. Rrallëkush përqendrohet të kuptojë konceptin “Bashkimi Europian”. Dhe rëndom, pak rëndësi i kushtohet faktit se çfarë nocionesh fshihen pas emërtimit “Bashkimi Europian”.
Cilat janë institucionet përbërëse të tij dhe si funksionojnë proceset e vendimmarrjes në të. Qartësimi i tyre ka rëndë- si për t’u kuptuar nga opinioni i gjerë publik, nisur edhe nga fakti që po flitet aq shumë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Edhe administrata duhet, po ashtu, t’i njohë institucionet në fjalë. Situata duket ende larg.
Edhe për diplomacinë shqiptare që duhet të jetë në pararojë. Për rastin konkret, deklarimi publik i Ministrisë së Jashtme se “Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jerusalemin… dhe i është bashkuar shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BEsë, duke qëndruar koherent qëndrimit të saj të linjëzuar me Bashkimin Europian”,(Lapsi, 22.12.2017) minimalisht dëshmon mungesë profesionalizmi.
Ajo ose fsheh një realitet, ose nuk njeh procesin e vendimmarrjes në Bashkimin Europian. Në të dy rastet është keq për vendin. Tri janë shtyllat doktrinore mbi të cilat mbështetet Bashkimi Europian: Shtylla e parë është Komuniteti Europian sipas metodës së integrimit komunitar. Shprehur në terma të tjerë, kjo shtyllë ka të bëjë me disa aspekte për të cilat vendet anëtare të Bashkimit Europian, me vullnetin e tyre të lirë, kanë hequr dorë plotësisht nga sovraniteti i tyre, duke e transferuar atë në një autoritet mbikombëtar të përbashkët. Si, për shembull, kufijtë. Shtylla e dytë është Politika e Jashtme dhe e Sigurisë së përbashkët, sipas metodës se bashkëpunimit ndërqeveritar.
Pra, në doktrinë, vendet në fjalë, koordinojnë qëndrimet e tyre deri në unifikim, por vazhdojnë të ruajnë sovranitetin apo pavarësinë. Jo më kot disa vende të Bashkimit Europian për rastin e rezolutës në OKB, vepruan pro rezolutës dhe disa jo. Pra, për rastin konkret, nuk ka një linjë unike të BEsë e për rrjedhim deklarimi i Ministrisë së Jashtme për “koherencë të linjëzuar me Bashkimin Europian” është gënjeshtër, ose pasaktësi.
Me fjalë të tjera, edhe sikur Shqipëria të ishte pjesë e Bashkimit Europian, për këtë çështje, do të kishte pavarësi në vendimin e saj. Shtylla e tretë, ajo e bashkëpunimit policor dhe gjyqësor në çështjet penale, në koncept është e njëjtë me shtyllën e dytë. Gjithsesi, Bashkimi Europian nuk është vetëm një koncept doktrinar. Ai është një ndërtim konkret me institucione konkrete, të cilat kanë fuqi vendimmarrëse.
Në rast se do të shihnim procesin e vendimmarrjes së institucioneve përbërëse të Bashkimit Europian, gabimi i Ministrisë së Jashtme bëhet me therës. Bëhet faj. Tre janë organet më të larta vendimmarrëse të Bashkimit Europian: Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Këshilli Europian. Të tre këto institucione formojnë konceptin “Bashkimi Europian”. Pra, që një vendim të quhet i Bashkimit Europian dhe si i tillë të jetë i detyrueshëm për gjithë vendet e tij anëtare, duhet që vendimi të jetë marrë nga të tre institucionet. Me shumicë ose me unanimitet sipas rasteve, të bazuara në tri shtyllat doktrinore të ndërtimit europian.
Rasti i politikës së jashtme dhe të sigurisë janë specifike. Rregulli i vendimmarrjes është qartësisht ndërqeveritar( pra jo komunitar) dhe vota duhet të jetë unanime. Jemi në kolonën doktrinore ku sovraniteti nuk është i transferuar plotësisht te Komisioni Europian (njëlloj si në rastin e procesit të hapjes së negociatave të vendit tonë me BE-në). Fakti që disa vende të Bashkimit Europian nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Komisionin Europian, tregon se institucioni i Këshillit Europian nuk është shprehur për çështjen e Jerusalemit, pasi ndryshe do të kishim pasur paraprakisht një qëndrim unanim të të gjithë vendeve të BE-së.
Ndërkohë kemi edhe vende kundër. Pra nuk kemi të bëjmë me një qëndrim të Bashkimit Europian, por të Komisionit Europian. Qëndrimi do të quhej i Bashkimit Europian nëse vendimi i Komisionit Europian do të mbështetej në mënyrë unanime nga Këshilli Europian. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Ministria e Jashtme është në të njëjtën linjë me Komisionin Europian, jo me Bashkimin Europian siç shprehet. Ky qëndrim ose është ndonjë joshje servile për Komisionin për hapjen e negociatave, ose merhaba.
Leave a Reply