Që në fillim duhet thënë se titull i shkrimit është pak provokativ. Por gjërat që po ndodhin aktualisht me lëvizjen e liberalizuar të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen duhen parë me seriozitet për të mos thënë me alarm. Nuk shtrohet aspak pyetja që bëjnë shpesh gazetarët: A do t’u kthejë Europa vizat shqiptarëve? Po ashtu nuk është e saktë përgjigja: Unë jam ministër i Brendshëm dhe deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk ka kthim vizash. Çështja e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor u konceptua dhe u vu në jetë nga ana e Komisionit Europian në formën e një dialogu përgjegjësish ndërmjet vendeve përfituese dhe Komisionit Europian e në vazhdim me vetë vendet e hapësirës Shengen.
Në kushtet e sotme, problemi mund të përmblidhet i tëri në dhënien përgjigje pyetjes: Çfarë po bën vendi ynë dhe çfarë po bën Europa që lëvizja e liberalizuar, ky standard i shqiptarëve dhe i Europës, të mbahet brenda normave normale? Për Komisionin dhe institucionet e sigurisë se vendeve të Bashkimit Europian ishte më se e ditur se çuarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt një lëvizje të liberalizuar brenda një hapësire masive të lirë evropiane, do të kishte edhe vështirësitë, devijimet apo edhe abuzimet e veta. Ndaj, edhe paraprakisht kjo lëvizje u parapri nga rregullime legjislative të vendeve përfituese që mbyllnin çdo shteg për azil, marrëveshje për rikthimin e atyre që do të kërkonin abuzivisht azil apo do të qëndronin në mënyrë ilegale tej kohës së lejuar. Sigurisht, edhe Komisioni Europian kishte tashmë të ngritur dy instrumentet e tij kryesorë të kontrollit, Sistemin Informativ Shengen dhe FRONTEX-in.
Vendeve përfituese iu besuan shumë detyra, ndërmjet të cilave edhe njohja e publikut me rregullat e hyrjes dhe qëndrimit ne hapësirën Shengen dhe sidomos marrja e masave konkrete për integrimin e të kthyerve. Pra, abuzimet që ndoqën më pas liberalizimin e vizave si nga vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe nga shqiptarët nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Madje, një ditë para se të vinte data e hyrjes në fuqi e lëvizjes së liberalizuar të Shqipërisë, në takimet me Policinë Kufitare italiane na u tha se në disa aeroporte të Italisë ishin bërë gati krevate. Druhej eksod.
Nga frika e dyndjes, Policia greke po ashtu na njoftoi se në pikat e kalimit do të sillnin forca speciale për të përballur vërshimet e mundshme të shqiptarëve. Këtë gjë bëri edhe Policia belge në Bruksel. E filluar në mënyrë shembullore nga shqiptarët, sot për fat të keq, rezultojmë më problematikët e rajonit në këtë fushë. Nëse themi se Bashkimi Europian në themel të ndërtimit të tij ka solidaritetin faktik dhe pozitivitetin, heqja e vizave për shtetasit e Ballkanit Perëndimor, i paraprirë nga kushtet e mësipërme politiko-teknike, në doktrinë u konsiderua jo vetëm si një standard i këtyre vendeve, por edhe i vetë Europës me fqinjët e saj më të afërt.
Pra, në filozofinë europiane kthimi i vizave do të thotë kthim pas i një standardi dhe ndërtimi europian nuk e njeh kthimin pas nga standardet te të cilat beson. Por kjo nuk do të thotë që qoftë Komisioni dhe qoftë vendet e BE-së në mënyrë bilaterale, të mos gjejnë rrugët dhe mjetet e duhura ligjore për ta ruajtur standardin në fjalë. Qasja e tyre për eliminimin e problemeve të dala nga lëvizja e liberalizuar e shtetasve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë është ajo e dialogut me vendet e burimit të problemit, duke shtuar instrumentet ligjorë të bashkëpunimit me forcat e sigurisë në këto vende, duke u siguruar atyre edhe trajnime si dhe financimin në përfshirje për operacione të përbashkëta me to. Partneritet.
Ndaj dhe deklaratat politike për bashkëpunim të shkëlqyer të Policisë shqiptare me kolegët ndërkombëtarë kanë dalë nga koha. Nuk ka rrugë tjetër. E vetmja filozofi është bashkëpunimi. Rëndësi ka që kur Komisioni Europian bën atë që ka marrë përsipër, vendet e BE-së gjithashtu, edhe Shqipëria të mbajë përgjegjësitë e veta e të marrë masat e duhura. Vendet europiane në tërësi kanë rritur drastikisht numrin e refuzimit të hyrjes së shtetasve shqiptarë në hapësirën Shengen dhe njëkohësisht dëbimin e atyre, që kanë thyer rregullat e qëndrimit.
Aktualisht, ato po marrin masa shtesë. Çfarë masash shtesë po marrin disa vende të Bashkimit Europian të prekura nga problemet? Nisur nga shqetësimet për azilin, Franca, i kërkoi Shqipërisë të dërgojë në këtë vend edhe katër oficerë shqiptarë që do të paguhen prej saj për një periudhë dyvjeçare. Bashkëpunimi sigurisht që do të jetë i shkëlqyer, por kohë më parë kur filloi liberalizimi i vizave, Franca i përballonte problemet vetëm me një oficer ndërlidhës në Paris. Pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e lëvizjes së liberalizuar për shqiptarët, kur filloi liberalizimi i vizave, ajo kishte në Shqipëri vetëm tre punonjës policie.
Bashkëpunimi me ta mbetet i shkëlqyer, por aktualisht janë bërë tetë. Gjashtë të policisë dhe dy për doganat. Çfarë masash shtesë po merr Komisioni Europian? Kur në vitin 2009, u nënshkrua marrëveshja e Policisë së Shtetit me FRONTEXin, në vendin tonë erdhi Drejtori Ekzekutiv i saj. Dhe marrëveshja ishte thjesht teknike. Sot bashkëpunimi me të është i shkëlqyer, por për marrëveshjen e re erdhi Avramopulos, politikan. Pse? Sepse, sipas asaj që pamë në media, në raste emergjencash masive të migracionit të paligjshëm, forcat policore nën siglën FRONTEX, të cilat operojnë vetëm në ujërat detare e tokësore të Bashkimit Europian, do të dalin jashtë këtij territori dhe do të hyjnë dhe në Shqipëri.
Po ashtu, forca policore europiane nën siglën e FRONTEX-it kanë rritur ndjeshëm numrin dhe kohën e monitorimit të pikave të kalimit në Shqipëri. Rinasi është monitoruar nga shtatori në dhjetor dhe në të kanë marrë pjesë 16 oficerë europianë. Media raporton se e njëjta gjë do të bëhet edhe në Durrës. Po partneri përfitues në këtë dialog të lëvizjes së liberalizuar, Shqipëria, çfarë ka bërë? Ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm. Ka shtrënguar ca kufirin dhe asnjë masë për integrimin e të kthyerve. Problemet lindin në territor dhe nuk zgjidhen në kufi.
Rezultati? Sipas www.frontex.europa.eu, gjatë vitit 2017 i është refuzuar hyrja në Shengen 32 071 shqiptarëve dhe 25 811 prej tyre që kanë mundur të hyjnë, janë kthyer me forcë për tejkalim të afateve të qëndrimit. Shifrat negative janë në rritje nga vit në vit. Në 2018, 57 882 shqiptarë më pak për të përfituar nga lëvizja e liberalizuar. Pra, vizat po i kthejmë vetë. Duhen sirena alarmi para se të jetë vonë dhe të vihet në jetë masa më e rëndë, ajo e pezullimit të përkohshëm që do të ishte një turp kombëtar.
Leave a Reply