Kohët e fundit, të gjithë jemi dëshmitarë të trajtimit të problemit të sigurisë kombëtare lidhur jo vetëm me besueshmërinë e personazheve që do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar në delimitimin e detit Jon me palën greke, por edhe në debatin lidhur me kapjen e sasisë rekord të kokainës. Problemet duken vërtet të mprehta dhe i natyrshëm diskutimi për to. Larg debateve të zakonshme, ku në tërësi kërkohet të gjendet përgjegjësia në një palë dhe të shkarkohet nga pala tjetër, do të ishte mirë që të kryhej një lloj skanimi i funksionimit të shtetit shqiptar, bazuar mbi disa nocione apo përkufizime sociologësh, për disa aspekte të funksionimit të tij e për të nxjerrë defektet e mundshme. Në total, ajo që ndodh sot në Shqipëri tregon se në vendin tonë, shteti është ende shumë larg të qenurit modern. Më shumë i dominuar nga karakteristika të para mbretërisë zogiste sesa komuniste.
Pushteti i sotëm, me më shumë profil urban dhe me plot individë trendy e dandi, duket më primitiv sesa ata paraardhës, të majtë dhe të djathtë, me profil më rural, por me tipare më të pranueshme. Sipas filozofëve perëndimorë, në një shtet modern marrëdhëniet ndërmjet klasës politike dhe antagonizmave të dhunshme të saj, kanë përfunduar. U ka ikur koha. Po në Shqipëri? Ajo që duket dhe bie në sy nga mbarë opinioni publik shqiptar është çarja e madhe e krijuar ndërmjet klasave kryesore politike, që po ndiqet nga një përplasje sociale me të njëjtat përmasa.
Në funksionimin e shtetit, ndryshe nga shtetet moderne, tek ne nuk është parimi i lirisë dhe përgjegjësisë individuale ai që motivon vlerat sociale, politikën, administratën dhe sidomos organet e sigurisë, por është ai i bindjes ndaj eprorit. Madje, përgjegjësia individuale jo se nuk ekziston fare, por ajo njihet si e tillë vetëm karshi eprorit. Eprori na depersonalizon për aktet që kryejmë, ndaj dhe na mbron kur nuk i dalim ndesh.
Dhe kjo gjë duket më së pari në hierarkinë politike të vendit për t’u transmetuar pastaj më gjerë në shoqëri, por sidomos në administratë. Rasti për t’u ilustruar është DSIK-ja. Kur në pushtet ishte një forcë politike, kolonelit, subjekt i debatit, iu hoq certifikata e sigurisë, pasi ai u përjashtua për motive të sigurisë kombëtare. Kur në fuqi erdhi krahu tjetër, ai nuk pati pengesë për ta marrë. Kush e cenon sigurinë kombëtare në këtë rast? Vetëm koloneli? Motivacioni i largimit të tij lidhet direkt me sigurinë kombëtare. Dikush, dhe me të drejtë, thotë se në fund të fundit koloneli e fitoi në rrugë gjyqësore të drejtën e tij. Por këtu nuk bëhet fjalë për atë personalisht. Bëhet fjalë për mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit dhe sidomos kur bëhet fjalë për ato të sigurisë kombëtare.
Sa persona të tjerë, punonjës të Policisë apo Ushtrisë kanë fituar me gjyq të drejtën e tyre? Dhe që nuk janë përjashtuar për probleme të lidhura me sigurinë kombëtare. Pa numër. Përse nuk i merr përsëri në punë Policia apo Ushtria? Sepse institucionet e shtetit nuk janë ndërtuar mbi vlera përgjegjësish individuale, mbi të drejtën, por mbi bindjen ndaj eprorit. Dhe nga vendimet e Gjykatës do të zbatojmë vendime vetëm për individë, që i shërbejnë pushtetit dhe jo shtetit. Në botën tonë politike, pushteti është i përqendruar në pak duar të cilët përveçse emërojnë parlamentarët, shpërndajnë poste drejtimi në të gjitha nyjet e institucioneve, sipas kriterit të besnikërisë dhe të bindjes që thamë më lartë. Bindja pa kundërshtim garanton jetëgjatësi dhe shkëlqim në karrierë.
A mund të mendojë dikush se në vendin tonë një ministër në detyrë, do t’i delte para Kryeministrit për ta kundërshtuar lidhur me diçka që nuk është në interes të publikut? Pavarësisht aspektit më riosh të qeverisë, teknologjisë së sofistikuar mediatike, ajo mbetet me tipare primitive. Në këtë kontekst, nuk ka as shansin më të vogël që DSIK të mos i bindet vullnetit nga lart. Ndryshe, je i flakur jashtë dhe i braktisur nga të gjithë. Në një shtet modern, shkallët sociale janë të stabilizuara dhe këto shkallë quhen si të tilla kur prej kohësh kanë mundur të ndërtojnë një rrjet vlerash që e ndajnë gjerësisht njëra me tjetrën. Konsensusi i gjerë për vlerat, automatikisht çon në njohjen e vendimit të institucioneve dhe, për rrjedhim, qëndrueshmërinë e tyre. Kur vlerat sociale apo historike nuk kanë konsensus të gjerë në shoqëri, por ato imponohen sapo njëri krah vjen në pushtet dhe ky i fundit, si krijues i vlerave zyrtare, nuk kujdeset për t’i kthyer atë në mbarëpopullore, shoqëria ngelet e përçarë. Institucionet banalizohen. Po Shqipëria? Vendi ynë është tipik i rastit të dytë të përshkruar më sipër. Shoqëria shqiptare nuk po gjen dot paqe për të pasur një konsensus si për Luftën Nacionalçlirimtare ashtu edhe për trashëgiminë komuniste (mungesa e një Nurembergu duket qartë).
Rastet janë me mijëra, por mjafton të kujtojmë atë që shkëlqen: vazhdojmë të jemi ende të ndarë për çështje si festat e 28 dhe 29 Nëntorit. Edhe figurën e Skënderbeut, për të cilën ka një konsensus të gjerë popullor, duket se nuk po e lenë rehat. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Përderisa kemi dy festime për të njëjtën gjë, ç’problem ka për ta ndarë detin dy herë me grekët dhe me dy metodologji të ndryshme? Në ndarjen e parë, gjysma e vendit iu hodh në fyt gjysmës tjetër duke pasur për kryefjalë “tradhtinë kombëtare”. Por, në fakt, kemi edhe vendimin e Kushtetueses e cila, ndër të tjera, flet për gabim në metodologjinë e delimitimit të ujërave. Pra, një metodologji që i bëri shqiptarët tradhtarë dhe grekët atdhetarë.
Por, megjithatë, duket se këtë radhe në bisedime, metodologjia do të ndryshojë dhe atë do ta paraqesë një kolonel, të cilit një herë ia heqin dhe herën tjetër ia japin certifikatën e sigurisë. Përderisa problemi qenka çështje metodologjie, kjo e reja duket se shqiptarët do t’i kthejë në patriotë dhe grekët në tradhtarë. Po si shpjegohet që grekët, bazuar në të dy rastet me metodologji të ndryshme, kanë rënë dakord me të dyja? Sepse grekët kanë një metodologji, atë të Greqisë.
Kurse ne kemi një metodologji, të cilën po e quajmë metodologjia 28 Nëntori, kemi edhe të dytën, atë të 29 Nëntorit. Ky është serioziteti i institucioneve tona, përfshi Gjykatën Kushtetuese, për sigurinë apo pasurinë kombëtare?
Këto metoda ndarje ujërash duken dramatike, por që nuk të kujtojnë vetë Shekspirin, por thënien e një humoristi francez për të: “Veprat e Shekspirit nuk i ka shkruar Shekspiri, por një person tjetër me emrin Shekspir”. Në një shtet me tipare primitive, si ky i yni, siguria kombëtare, për fat të keq, garantohet nga ekuilibri i interesave të shteteve moderne e të fuqishme në rajon dhe aspak nga eficenca e organeve të vendit tonë. Një konstatim i tillë, nuk të jep aspak kënaqësi.
Leave a Reply