Nga Pandeli Bardhi
…Dhe kur them për Bashën, kam parasysh jo vetëm ata me ngjyrën e Bashës, por edhe ata “Idrizë” me ngjyra të ndryshme në të njëjtin koalicion që “e qeshura” u vjen nga Basha! “Nëqoftëse keni ardhur për t’u tallur me mua, unë ngrihem dhe iki”, u shpreh Basha andej nga fundi i emisionit përballë gazetarëve Lubonja dhe Bushati. Shumë vonë e kuptoi Basha në një kohë që të dy gazetarët, qysh në fillim e deri në fund përveçse të talleshin me Bashën, nuk kishin ç’të bënin tjetër. Sipas logjikës së këtij qesharaku, fajin ja kanë të tjerët që qeshin dhe jo ky që është “burimi” që të tjerët qeshin.
As më shumë e as më pak, Basha, i ngjan atij të “mençurit” që i theu të gjitha pasqyrat si “fajtore” që e nxirrnin të shëmtuar! Sikur të ishte një antar i thjeshtë çfarëdo, nuk do t’ja vlente që të merremi, por kur ky është kryetar i opozitës dhe të kesh në krye një kryetar të tillë, kjo nuk është vetëm për të qeshur, por edhe për të vënë duart në kokë e aq më tepër që ky pretendon që nesër të bëhet kryeministër.
Anglezi nuk e ka keq kur thotë që e qeshura të zgjat jetën. Sipas anglezit, mirë do të ishte që Basha të vinte kryeministër, sepse në këtë kohë kur Shqipërisë po i pakësohen banorët, kur shqiptarëve po i shkurtohet jeta nga streset e nga ushqimet e kontaminuara, kur po u shtohen sëmundjet kronike nga ndotja e absolute e këtij ambienti, nga ilaçet e skaduara e lloje-lloje burime infeksioni e nga një mijë e një hallet e tjera, e vetmja mënyrë për të qeshur pak, do të ishte Basha kryeministër.
Teleshikuesit e shumtë, nuk e ndoqën Bashën se ky do të thoshte ndonjë gjë të madhe por që të hiqnin sadopak stresin që i ka mbërthyer.
E si të mos qeshësh, kur Basha u drejtohet gazetarëve: “Ju, nuk i mbështetët shqetësimet që ngrija unë, e që mbeta i vetëm për njëqind e tetëdhjetë ditë, por merreshit me zërin tim që më ngeci në fyt”!
Po pse, çfarë kujton Basha, nuk e dinë qytetarët se çfarë do të nxjerri nga goja?
E kush nuk e di që Basha, ky prototip i një njeriu “debil”, asnjëherë nuk e kthen “koburen” nga vetja por di vetëm të akuzojë kryeministrin aktual, që edhe ky nga ana e tij ka më shumë se një “qerre barrë e kashtë” dhe shumë pak “bereqet”! Tha e ç’nuk tha “seriozi” qesharak: “Për tre muaj më latë vetëm në çadër që unë të përballoja edhe mazhorancën e këtë kryeministër, edhe presionin ndërkombëtar edhe juve që talleshit me zërin tim”! Më pas, shumë shpejt e harron lajthitjen e radhës dhe vrapon nëpër “ugar”!
“Unë, thotë, mund të mbledh nesër edhe pesëdhjetë mijë njerëz, edhe njëqind mijë dhe kur këta, t’i thonë Ramës, “pa delni pak nga zyra” dhe ai është i detyruar të dali, por e keqja është se Trump dhe Merkel, Europa dhe Amerika, do të më akuzojnë për grusht shteti dhe unë nuk mund ta bëj këtë!
Edhe këtë deklaratë e harron Basha dhe kthehet përsëri për të mbledhur “mizat” që i kishin ikur! Kur gazetarët e pyesin për qytetarët që nuk i shkojnë në protesta dhe nuk e ndjekin nga pas për të “rrëzuar” Ramën, Basha hakërrehet: “Nuk vijnë sepse nuk vini të më ndiqni juve të parët, dhe mos flisni kot, sepse jeni ju të parët që nuk më ndiqni, sepse po të mblidhen pesëdhjetë mijë apo më shumë, edhe Rama merr fund!
Të jetë e vërtetë që Basha të mos i ketë dëgjuar deklaratat e “Idhullit” të tij, të currufjasur kur jo njëherë, por disa herë, që kur Basha ka ngritur disa simpatizantë të tij në bulevard apo ata që sjell nga qytetet e largëta ka thënë: “Uragani i zemërimit popullor sot, arriti kulmin gjysmë milioni shqiptarë i kanë thënë “qërohu” nga karrigia e kryeministrit, ti kriminel e trafikant sepse këtej e tutje nuk do të të zënë këmbët dhe”.
Dhe më tej akoma: “Një milion shqiptarë, sot i kanë thënë ndal kësaj “fundërrine” (Kryeministri) dhe e kanë hedhur atë në “koshin e plehrave” të historisë”! Do të duhen shumë dosje të mbushen me “salizma” të tilla, sikur të shkruheshin por duke ditur që këtyre lajthitjeve nuk ua vë veshin kush dhe i merr era, nuk ja vlen. Ajo ç’ka vlen të thuhet është: Me këto “xinxife”, jo vetëm qytetarët por edhe vetë Rama qesh. Ai qesh sepse shërbim më të madh që po i bën opozita, nuk ja bëjnë as të vetët që edhe ata që i ka në krah, i hedhin “vickla”!
Me opozitarë të tillë, Rama do të qëndrojë në pushtet sa të ketë jetë. Këtë, e them me bindje dhe kam shumë të drejtë ta them. E them, sepse kjo opozitë e këta opozitarë, jo vetëm që janë “vetëvrarë” me kohë, por e keqja është se po “vetëvriten” çdo ditë e çdo orë dhe nga kush? Po “vetëvriten” nga një “kobure” plasteline, nga një “manekin”, nga një “lodër” që i zoti i ka dhënë kurdisjet qysh para shumë viteve dhe ai, atje ka mbetur, në “arat me jonxhë”! Por në fund të fundit, kjo “pisqollë” kështu u “montua” dhe askush nuk pret të ndryshojë.
Më e keqja është që edhe ata që mban rreth e rrotull e shohin se çfarë “malli” është, por i shkojnë nga pas se mos kush e di Zoti, mund të bëjë ndonjë çudi!
Të gjithë, qysh nga Paloka e Noka, Alibej e Ndoka, Murrizi e Idrizi, Vokshi e Jorida, të gjithë pa përjashtim të vetmen të keqe e shohin tek Rama, “tek ky Kryeministër i inkriminuar që po shtyp e po vjedh qytetarët që ka kanalizuar vendin, që nuk mund të shkohet në zgjedhje me të” etj., etj. Nuk mund të pretendoj që këto akuza nuk kanë të vërteta brenda, por këto duke u thënë e stërthënë dhjetra e qindra herë në ditë, bëhen më shumë se neveri aq sa këtë “refren” violine e kanë mësuar përmendësh edhe “kaposhët” si kënga që këndojnë. Po çfarë alternativash të tjera kanë këta opozitarë që i bien “tamtamit” në të njëjtën vrimë?
A mund t’i besojnë qytetarët një opozite që më shumë se çdo gjë tjetër i gëzohen vetëm skandaleve që çdo ditë e çdo orë lindin njëri pas tjetrit? A mundet t’i besojnë qytetarët një opozite që çdo ditë “gërmojnë” në “kazanët e plehrave” të këtij sistemi dhe kërkojnë të “mbijetojnë” apo të vijnë në pushtet me “mbeturina” të tilla, “pjella” të këtij sistemi ku pleksen të majtë e të djathtë bashkë? Skandalet ndjekin njëri tjetrin dhe janë aq shumë sa që nuk mbahen mënd se sa të tillë ndodhin në ditë. Nga Babalja tek gjashtëqind kilogramët e Kokainës, nga tre mijë e kusur euro në Toyotën Yaris, tek Edmond Bego, nga Capjet tek Bajrajt, nga Xhisiela tek Rrahmani, nga polici Nuhu tek polici Zagani, e kështu “mulliri” opozitë bluan pa pushim, por bluan atë që helmon, që mpin trurin e qytetarëve dhe nuk bluan atë që kërkon oreksi i qytetarëve.
Orë e çast dalin në foltoren partiake “Luluzimët” e opozitës dhe i “qajnë” hallin Xhisielës aq shumë, sa që mburren sikur të kenë zbuluar ndonjë Planet tjetër, që duhet të merren me Xhisielën apo Çiljetën, kjo nuk është e parëndësishme, sepse në fund të fundit edhe ajo është njeri dhe duhet të ngrenë zërin të gjithë, kur ajo dhunohet e torturohet, por problemi i Xhisielës, nuk është më i rëndësishëm se sa ato dhjetra e qindra gra që dhunohen, nuk është më e rëndësishme nga ato qindra e mijëra familje që vuajnë për bukën e gojës e shumë e shumë halle të tjera.
Por, djallëzia e “kukullave” të opozitës, nuk është Xhisiela si njeri, por Xhisiela si “armë” për të qëlluar mbi mazhorancën. Më parë se djalin e deputetit, përdorin emrin e të atit, ky është objektivi. Shou dhe vetëm shou, dhe në fund: Ku ishe, hiçgjëkundi! Ja, kështu bëjnë opozitë dhe mazhorancë, njëri sulmon me “armë të ndryshkura” e tjetri mbrohet nga mbrapa mburojës me gjethe!?
Njëri sulmon e kundërshtari mbrohet më pas mbrojtësi kalon në sulm e kundërshtari në mbrojtje. Më shumë se tre javë u morën me Edmond Begon dhe shpejt u harrua sepse dalin të tjerë “Bego” që i pjell sistemi.
Ja, kështu kanë kaluar njëzet e tetë vjet dhe kështu do të vazhdojë sa të jetë ky sistem që do “kthyer fleta, megjithëse është vonë”! Cili është ai qytetar që do t’i besojë kësaj opozite me këta opozitarë që ditë e natë me një fjalor rrugaçësh ordinerë të gjithë të keqen e shohin tek Rama dhe jo tek sistemi që kanë “gatuar” të majtë e të djathtë bashkë?
Midis dy të këqijave, qytetarët jo se e duan mazhorancën e sotme por e duan atë si e keqja më e vogël përpara ordinerëve të opozitës. Kujt duan t’i mbushin mendjen këta opozitarë sikur gjoja nuk e kanë ndier erën e gjakut të krimeve që janë bërë të përditshme, erën dhe shijen e drogës, “ëmbëlsinë” dhe shijen e korrupsionit e të vjedhjes?
Bile për këto, më të zellshëm kanë qenë ata që sot janë në opozitë dhe si të tillë ata, nuk kanë të drejtën morale për të bërë moral.
Jo vetëm Alibeaj që ja ka ndier lezetin pushtetit, por edhe një Gazmend Bardhi, që kur ishte Drejtor i mbetën vetëm tre thasë me oriz, u “ëmbëlsua” shumë megjithëse një kohë të shkurtër qëndroi ministër, prandaj edhe është i pandalshëm në “shashkat tymuese” që lëshon!
U zotuan opozitarët me në krye “koburen” me ujë Bashën, që në muajin Shtator do të “rrëzojmë” kryeministrin dhe qeverinë e “narkotrafikut” por muaji Shtator kaloi si muaji më i qetë i vitit nga “gërr vërret” e opozitës.
Monika, nga ana tjetër, ja shtoi Ramës “mandatin” edhe dhjetë muaj të tjera deri në Qershorin, kur Rama sipas saj nuk do të jetë kryeministër. Ajo nuk e ka hallin ta shohi Ramën sa më gjatë në pushtet, por hallin e ka që të rriten edhe pak “luftëtarët” e saj e të bëhen të aftë për të përdorur armë e të shkojnë pas Gjyshit Sali!
Leave a Reply