Nga Nertil Jole
Mbështetur në deklaratat e ditëve të fundit të disa “meterologëve” të mediumit politik dhe mediatik, është parashikuar se klima e zgjedhjeve vendore të ditës së diel do të sjellë “të nxehtin afrikan”. Sipas tyre kjo valë e nxehtë do të prekë vendin në datën 30 Qershor, por nuk dihet sesa mund të zgjasë.
Këta parashikues dhe disa të tjerë intelektualë të frymëzuar nga ky parashikim, kanë përqafuar së fundmi një hashtag të quajtur #edheunë, për të përcjellë një mesazh të padëgjuar ndonjëherë më parë, ku në vend të fushatës që nxit njerëzit të shprehin vullnetin e tyre të lirë me votë, bëhet fushatë për të ndjerë vetëkënaqësinë dhe krenarinë e të mosvotuarit. Padyshim që në të dyja rastet akti ngelet demokratik, pasi askush nuk është i detyruar në një demokraci të votojë, apo të mos votojë.
Në këtë optikë, dua të rendis tre arsye kryesore pse personalisht do të votoj, në dallim nga intelekualët e grupit “pa parti” që mbështesin fushatën #edheunë.
Arsyeja e parë lidhet me të drejtën kushtetuese dhe detyrimin qytetar që kam për të shprehur me votë bindjen time. Këtë të drejtë kushtetuese natyrisht që nuk mund të ma heqë asnjë dekret presidencial. Aq më pak një dekret i zhdekretuar nga një President, i cili ka zëvendësuar unitetin kombëtar me unitetin opozitar.
Arsyeja e dytë lidhet me kontekstin politik dhe shoqëror në të cilin ndodhet vendi. Mendoj se detyra qytetare për të votuar në këto zgjedhje, nuk duhet të jetë e lidhur vetëm me shprehjen e vullnetit për të zgjedhur administratorët e rinj të bashkive, por është më së shumti një kontribut atdhetar për të penguar marrjen peng të Kushtetutës dhe Republikës.
Arsyeja e tretë lidhet me gjykimin se pjesëmarrja në këto zgjedhje shtyn përpara ecurinë e pandalshme të zbatimit të reformës në drejtësi, si reformën më të rëndësishme të këtyre tre dekadave pluralizëm.
Disa janë shprehur se këto zgjedhje janë thjesht votime, pasi ngjajnë si zgjedhje “moniste”. Këtë e ka artikuluar edhe lideri dejuro i opozitës joparlamentare, i cili është vetë produkt politik i rezultateve zgjedhore të “ristanizuara” nga KQZ e asaj kohe kur mori pushtetin e drejtimit të bashkisë në tavolinë, por edhe në vijim kur zhvilloi zgjedhje jodemokratike brenda partisë së tij, në një proces të faktuar me filmime, si të manipuluar.
Ndërkohë që, nuk duhet anashkaluar si pjesë e kontekstit të analizës as fakti se në këto zgjedhje marrin pjesë rreth 40 parti, që nënkupton se nuk janë moniste. Megjithatë, me mungesën e opozitës kryesore zyrtare, natyrisht që këto zgjedhje nuk janë zgjedhjet e dëshirueshme.
Përkundrazi, bojkoti dhe tërheqja vullnetare e opozitës nga përfaqësimi institucional, ka cënuar rëndë demokracinë në kuptimin e konkurrencës dhe ballafaqimit real politik mbështetur në alternativa dhe programe mes forcave politike që hynë në “arenën” zgjedhore për të fituar besimin e qytetarëve.
Kësisoj, drejtuesit e opozitës joparlamentare kanë meritën e madhe të tradhtisë së besimit të qytetarëve që i votuan. Për aktin e bojkotit dhe sjelljes së tyre antisistem, argumenti kryesor që përdorin janë disa përgjime të siguruara ilegalisht në shkelje të sekretit hetimor nga një dosje e cila u keqpërdor, njësoj siç u përdor Babalja, për të krijuar alibi politike dhe për t’i hedhur tymnajën e radhës opinionit publik.
Zbardhja e atyre komunikimeve joetike e të kritikueshme, sjell padyshim domosdoshmërinë për të përmirësuar cilësinë e përfaqësimit politik, por edhe të gjithë sjelljes dhe veprimtarisë politike të funksionarëve të partisë në pushtet, në raport me zhvillimin e fushatave elektorale.
Megjithatë, ato përgjime nuk përbëjnë aspak arsye për të prishur qetësinë publike dhe ushtruar dhunë me molotov mbi institucionet shtetërore, policinë e shtetit apo akoma më keq, për të privuar të drejtën e atyre qytetarëve që kanë zgjedhur të votojnë.
Apeli i qartë dhe i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve për të siguruar rendin kushtetues dhe mbarëvajtjen normale të zgjedhjeve, është një këmbanë që fton drejtuesit e opozitës të tregojnë vetëpërmbajtje dhe reflektim gjatë ditës së zgjedhjeve.
Personalisht, nuk kam asnjë ndjeshmëri për fatin e tyre politik, por natyrisht si qytetar që kam zgjedhur të jetoj në vendin tim. Si qytetar i këtij vendi, ndaj shqetësimin për rrugën e të ardhmes së tij dhe ritmit të hapave të Shqipërisë drejt integrimit europian. Për këtë arsye, ditën e diel do të votoj, njësoj si të gjithë ata që duan më shumë Shqipërinë sesa politikanët e frikësuar nga drejtësia./dritare.net
Leave a Reply