Enver Robelli/
Javën e kaluar në Samitin e Sofjes prijësit e Bashkimit Europian u thanë shteteve ballkanike të mos shpresojnë se do të anëtarësohen në BE. Mesazhi brutal u mbulua me premtime boshe se të gjitha vendet e Ballkanit kanë «perspektivë europiane», se «i përkasin Europës», se «Europa nuk do të jetë e bashkuar pa e integruar Ballkanin». Menjëherë pas përfundimit të Samitit në kryeqytetin bullgar, në Sarajevë erdhi Rexhep Taip Erdoani. Autoritetet boshnjake thanë se udhëheqësi turk erdhi të dielën në një «vizitë pune» në Sarajevë.
Në të vërtetë Erdoan erdhi për të bërë fushatë elektorale në Bosnjë-Hercegovinë. Vende si Holanda, Austria dhe Gjermania ia kanë bërë të qartë kryetarit turk se nuk mund të bëjë fushatë elektorale para diasporës turke për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi, të cilat do të mbahen më 24 qershor. Këto nuk janë zgjedhje të thjeshta. Më 24 qershor zgjedhësit dhe zgjedhëset turke do të vendosin nëse Turqia do të ketë një sistem presidencial, pa kryeministër faktik dhe me një president të gjithëfuqishëm. Kandidat për këtë post është Rexhep Taip Erdoani.
Meqë rruga drejt Europës iu bllokua, Erdoan e zgjodhi Sarajevën. Në sallën e famshme «Zetra», të hapur më 1984 për Lojërat Olimpike, Erdoan foli para mijëra turqve, kryesisht të ardhur nga Gjermania, Austria dhe shtete të tjera europiane. Në fjalimin e tij Erdoan i quajti vendet e Europës perëndimore jodemokratike për shkak se nuk e lejuan që fushatën elektorale ta zhvendosë nga Anadolli në Amsterdam. Bosnja, sipas Erdoanit, u dëshmua si shtet më demokratik se, për shembull, Holanda apo Gjermania. Natyrisht kjo nuk është e vërtetë.
Erdoan u mirëprit në Sarajevë nga lideri i boshnjakëve (myslimanëve) Bakir Izebegoviq, i cili ka marrë rolin e vasalit turk. Fjalimi i tij servil para autokratit turk Rexhep Taip Erdoan tregoi se deri ku mund të shkojnë popullistët e korruptuar ballkanikë për të ruajtur pushtetin. Izetbegoviq u tha ithtarëve të Erdoanit se «ju keni para vetes një njeri, të cilin ua ka dërguar zoti dhe emri i tij është Rexhep Taip Erdoan dhe nëse zoti ua dërgon një njeri të tillë, atëherë ju jeni të obliguar ta ndihmoni». Domethënë: të votoni për të më 24 qershor. Sipas Bakir Izetbegoviq zoti çdo 100 vjet dërgon një njeri, i cili popullit ia kthen besimin. Në këtë fjalim të Izetbegoviqit përfshihen nënshtrimi, vasaliteti dhe keqpërdorimi i fesë. Ngjashëm si Erdoan edhe Izetbegoviq e idealizoi sundimin osman në Ballkan, duke thënë se «kemi jetuar mirë kur ishim bashkë».
Ekonomisti i njohur Branko Millanoviq, i cili ka punuar për Bankën Botërore, thekson se «viset që kanë qenë tre apo katër shekuj nën kontrollin e Perandorisë Osmane kanë të hyra më të ulëta, të arritura më të ulëta arsimore, nivele më të ulëta të besimit në institucione etj., nga viset që kanë qenë pjesë e Perandorisë së Habsburgut».
Bakir Izetbegoviq, i cili është anëtar i kryesisë treanëtarëshe të Bosnjë-Hercegovinës, injoron këto fakte historike, sepse strategjia e tij është afatshkurtër: në vjeshtë në Bosnjë do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe do të zgjidhen anëtarët e kryesisë së vendit, andaj retorika neoosmane e Izetbegoviqit synon të mobilizojë myslimanët e Bosnjës, duke ua prezantuar atyre Erdoanin si padron. Regjisori boshnjak Dino Mustafiq në një reagim pas vizitës së Erdoanit në Sarajevë shkruan: «Izetbegoviq sinqerisht e do Erdoanin, sepse ai paraqet atë tipar të popullizmit i cili është veçanërisht i rrezikshëm, sepse favorizon udhëheqësit që do të donin të ishin edhe liderë, edhe mësues. Domethënë pushteti politik dhe intelektual i koncentruar te një person, gjë që pamundëson jetën normale, intelektuale dhe debatin publik»



Leave a Reply