Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka ndërmarrë ditët e fundit takime me disa figura të vjetra të kësaj partie, të cilët janë në politikë prej rreth tre dekadash. Ata janë gjithsej rreth një dyzinë njerëzish, aq sa ç’ kishte anëtarë Byroja Politike e dikurshme e Partisë së Punës, anëtarët e së cilës gjithashtu rrinin në postin e tyre me dekada të tëra. Pyetja është se përse i duhet PD-së që të krijojë imazhin e një Byroje Politike qoftë edhe informale të kësaj partie, të mbledhur rreth kryetarit të saj të ri? PD-ja nuk ka asnjë përfitim politik nga kjo gjë. Më duket sikur po kalohet nga veprimi i paarsyeshëm i heqjes së disa prej figurave të vjetra që nuk ishin përfolur kurrë dhe kishin punuar politikisht dhe profesionalisht mire në detyrat e tyre dhe që me siguri që kishin ende për të dhënë, tek gabimi i rikthimit përsëri të disa gërxhove që e konsumuan partinë deri sa e shpunë në humbje. Çuditërisht, gërxho nga ata të përfolurit dhe të diskretituarit, kryetari aktual i partisë mbajti ose riktheu në mënyrë të pa kuptueshme edhe në këtë mandate.
Të vjetrit që takoi Basha(sigurisht ka diferenca mes tyre) janë njerëz të cilët kanë pasur shumë poste në PD dhe që ashtu si politbyroistët e vjetër do të donin që karriera e tyre politike të vazhdonte sa të ishin gjallë. Ata janë njerëz që kanë shteruar sa iu përket ideve politike, energjive dhe që janë të aftë vetëm të marrin privilegjet eventuale që vijnë nga postet politike që synojnë të marrin, duke nisur së paku që nga posti i deputetit.
Nëse kjo dyzinë njerëzish do të riciklohet edhe një herë, duke hyrë në listën e kandidatëve për deputetë të partisë në zgjedhjet e vitit 2021 apo në strukturat e larta të partisë, atëherë ata do të hyjnë kështu në dekadën e katërt të karrierës së tyre politike . Me këtë do të barazoheshin për jetëgjatësi politike me politbyroistët me karrierë më të gjatë.
Riciklimi i këtyre të vjetërve është e kundërta e procesit të hapjes së partisë, është madje sabotim i gjallë i këtij procesi. Nuk duhet harruar se PD-ja gjendet në një situatë shumë delikate, pasi ka humbur rëndë dy zgjedhje parlamentare rresht dhe ka dal realisht si mos më keq me zgjedhjet e pushtetit lokal dhe pas tre vjetësh përballet me sfidën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ndërkohë, pas një viti, domethënë dy vjet para zgjedhjeve parlamentare të radhës, do të përballet përsëri me zgjedhjet vendore, të cilat gjithashtu i ka humbur herën e fundit. Arsyeja e shëndoshë të thotë se është e rrezikshme që tani të ndërmerret eksperimenti i riciklimit të të vjetërve. Riciklimi i tyre do t’i demotivojë anëtarët e partisë, sidomos atë elektoratë që u distancua nga PD –ja në zgjedhjet e fundit, sepse më parë kjo parti e braktisi atë elektorat me gabimet e saj, i cili në këtë mënyrë do të humbë shpresën për fitore dhe do të mendojë se po punohet vetëm që të ruhen privilegjet e një kaste .
Riciklimi i këtyre të vjetërve, nëse do të ndodhë vërtet, mund të jetë nga ato gabime që kanë për partinë pasoja të pa përballueshme elektorale, duke bërë që PD-ja të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare jo më si një parti e madhe, çfarë është deri më sot, por si një parti e vogël.
Anëtarësia dhe elektorati i PD-së presin nga lidershipi i saj të tjera lëvizje të guximshme, të matura dhe novatore, që do ta çonin partinë në fitore, jo riciklimin e të vjetërve. Askush në PD nuk e mirëpret riciklimin e këtyre figurave.
Leave a Reply