Protesta si kjo e studentëve, për nga masiviteti, dinamika dhe simbolika, duhet të ishte shndërruar në një uragan të pandalshëm, me një rrezatim në çdo hallkë qelizore të shoqërisë shqiptare, mirëpo, siç duken bathët, një gjë e tillë nuk po ndodh dhe nuk ka për të ndodhur. E nisur si protestë e studentëve, ajo nuk duhet të ishte vetëm e tyre, ngase, përpara se të ishte e studentëve, ajo duhet të ishte e prindërve të tyre; përpara se të ishte për disa pika që kanë të bëjnë me përmirësimin e ligjit të arsimit të lartë dhe e kushteve të jetesës së studentëve në konvikte dhe auditore, ajo duhet të ishte një protestë kundër gjithçkaje që ka shkuar keq në Shqipëri, dhe jo vetëm në arsimin e lartë. Ajo duhet të ishte një protestë e pedagogëve, e kërkuesve shkencorë, e shoqërisë civile, e medias, e gazetarëve, duke u përhapur me tej si një ortek me mësuesit, të cilët kanë më shumë arsye për të protestuar se sa nxënësit e gjimnazeve, mirëpo nuk po ndodh e nuk ka për të ndodhur. Duhet të ishte një protestë e mjekëve, e punonjësve shëndetësorë, e infermierëve, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria dhe të vetmen shpresë që kanë është të ikin në Gjermani një sahat e më parë. Pavarësisht se po përpiqet të jetë një protestë që po mban larg aktorët dhe faktorët politikë, mbi të gjitha, ajo duhej të shndërrohej në një protestë thellësisht politike, e cila do të duhej të merrte përpara dhe të rrëzonte të gjithë sistemin aktual politikë në vend, duke u shndërruar në një alternativë të besueshme dhe shpresëdhënëse për qytetarët. Por sigurisht edhe kjo nuk ndodhi dhe nuk ka për të ndodhur, ngase gjithçka në këtë vend nis dhe vijon e orkestruar dhe, pavarësisht, masivitetit në dukje, nëse ajo nuk përfshin edhe qeliza të tjera të shoqërisë, është e destinuar të venitet. Shoqëria shqiptare duket se është në vdekje klinike, duke e humbur shpresën se diçka mund të ndryshojë për mirë, dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e kësaj shoqërie, gjë që, në mënyrë të tërthortë, i jep oksigjen dhe mban në jetë pikërisht një klasë politike të korruptuar dhe që nuk ofron kurrfarë zgjidhjeje për qytetarët e vetë.
Leave a Reply