– Ose një këshillë për të mos u ekzaltuar nga zgjidhja e padrejtësive me një tjetër padrejtësi
Një ndër tiparet e filozofisë së fesë islame është se ajo është ndërtuar mbi parimin e drejtësisë. Ka mjaft ajete nga Kurani, libri i shenjtë dhe një ndër dy referencat kryesore të këtij besimi, që thërrasin dhe urdhërojnë për drejtësi. Parimi i drejtësisë është i njëjtë për të gjithë dhe aplikohet po njëlloj ndaj të gjithëve. “O ju që besuat! Tregohuni të drejtë në gjykim…!” është vetëm një prej shumë e shumë verseteve nga Kurani i shenjtë. Kjo drejtësi nuk kufizohet vetëm ndaj pjesëtarëve të të njëjtit besim, ose ndaj një grupi dhe komuniteti të caktuar. Përkundrazi, parimi i drejtësisë ngrihet dhe gjykohet me të pa kurrfarë preference dhe pa kurrfarë përparësie.
Në fenë islame nuk ekziston parimi i fajësimit kolektiv, ashtu siç nuk ekziston parimi i meritës kolektive. Në bazë të saj është individi. Ai është fajtor kur kryen gabim/mëkat/faj, po ashtu sikurse ai shpërblehet kur bën një të mirë.
Gjithsekush ka një raport dhe marrëdhënie tërësisht personale dhe individuale me veprën që kryen. Ashtu siç nuk ka mëkat të lindur bashkë me njeriun.
Kjo fe nuk e njeh dënimin kolektiv për fajin individual, ashtu siç nuk mund të ketë faje kolektive.
Pagabueshmëria është koncept që i atribuohet vetëm engjëjve. Vetëm ata mund të jenë të pagabueshëm, ndërsa gabueshmëria e njeriut shihet si mirësi e madhe e Zotit për t’i falur atij gabimet dhe mëkatet. Po ashtu, siç nuk njihet koncepti i prijësit të pagabueshëm.
Koha e “Kalifëve të ndershëm” ka përfunduar shumë shekuj më parë. I pesti i tyre, Omer ibën Abdulaziz, nuk mund t’i rikthehet sërish bashkësisë së myslimanëve dhe sot shërben vetëm si reference historike dhe si model. E kundërta është e njohur.
Historia është e mbushur me drejtues zullumqarë, që kanë shtuar zullumet e tyre në dëm të myslimanëve apo njerëzve të ditur. Historitë e tilla janë të pafundme.
Ka një parim në fenë islame që drejtimi/pushteti kur kërkohet, atij që e kërkon nuk i jepet, ngase pushteti shihet si sprovë e madhe, të cilën nuk mund ta mbajë gjithsekush ndër supe.
Lufta dhe dashuria për pushtet është një ndër dëshirat që njeriut i del me vdekjen. Në këtë kuptim, pushteti i shumtë jo vetëm që nuk mund të bëjë më të drejtë dhe më të devotshëm, por e kundërta është më e mundur për të ndodhur.
Kur konfliktuohen dy palë dhe njëra vdes, të dy janë në zjarr, – thotë në një thënie të tij profeti Muhamed. Pse? Sepse edhe vrasësi edhe i vrari kishin të njëjtin synim ndaj njëri-tjetrit, eleminimin fizik. Kështu që bërja palë me palët e një konfiklti të paqartë dhe thellësisht për pushtet politik, nuk është e dobishme dhe e shëndetshme nga aspekti i besimit.
Padrejtësitë nuk mund të zgjidhen me padrejtësi të tjera. Padrejtësia mund të shtojë vetëm padrejtësinë, në një formë ose mënyrë tjetër, por, kurrsesi, ajo nuk mund të jetë dhe të shihet si zgjidhje.
Pushteti është sprovë, si i tillë lufta për pushtet është një prej më të këqiave, më të paqartat dhe një më të padrejtat.
Importimi nga jashtë i çdo konflikti është i dëmshëm për Islamin dhe për myslimanët shqiptarë. Qoftë ky konflikt arab, turk apo e çdo etnie tjetër. Islami synon të jetë universal dhe jo i lidhur me etni dhe nacionalitete të caktuara.
Dëmshmëria lidhet me atë se kjo fe në këtë vend ka një traditë të pasur dhe të vyer, që në zanafillën e shtetformimit të kombit shqiptar e nuk mund të prishet për çfarëdolloj motivi.
Kush shpreson që problemet e brendshme do të zgjidhen nga jashtë në mënyrë mekanike veçse gabon rëndë. Mund të zgjidhet një padrejtësi. Mirëpo, çdo zgjidhje që vjen prej saj është e destinuar veçse ta thellojë të keqen dhe problemin.
Problemet ekzistojnë, kanë ekzistuar më parë dhe do të vijojnë të ekzistojnë edhe në të ardhmen, mirëpo ato, kurrsesi, nuk mund të zgjidhen mbi shinat e padrejtësisë. Përkundrazi, vetëm drejtësia dhe ligjshmëria mund të jetë zgjidhje.
Leave a Reply