Ju jeni i majtë apo i djathtë?
Mbaj mend që në vitin 1991 identifikohesha si i djathtë. Regjimi (i majtë) komunist po binte dhe ne që ishim përfshirë në lëvizjen antikomuniste nuk mund të mos ishim veçse të djathtë. Zumë ta quanim veten, në respekt të ndarjes klasike, edhe konservatorë. Ata që ishin përballë nesh zunë të quheshin progresistë. Duket absurde apo jo? Sepse në atë rrethanë, konservatorët e vërtetë ishin komunistët apo ish-komunistët, që po i bënin rezistencë ndryshimit. Ata po bënin çmos të konservonin një Ancien Régime. Ndërsa ne të tjerët që po kërkonim të përmbysnim rendin e gjërave, ishim revolucionarë apo për ta thënë më butë, ishim progresistë. Sepse po kërkonim t’i bashkëngjiteshim Europës dhe Perëndimit, që përfaqësonin progresin. Ne ishim ata që bërtisnim në rrugë e sheshe: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”
Mirëpo, pavarësisht se çfarë thoshte semantika, unë ndihesha konservator, dhe këtë nuk e luante topi. Ca kohë më mbinë në gojë, si referenca kulturore, emrat e Churchill-it, Reagan-it, Thatcher-it. Ndonjëherë fusja në arsyetimet e mia në debat me të tjerët edhe Papa Vojtilën. Sot mund të shihet me shaka kjo majmunërí (“mimikrí” do ta quante Rexhep Qosja, dhe nuk kuptohet pse ka rënë në dashuri me këtë term të anglishtes: mimicry), por atëmot unë e mbroja këtë përkatësi identitare me seriozitetin më të madh. Të tjerët, po ashtu. Ishte një kuturisje e jona për t’i dhënë një kuptim modern ndarjes që ekzistonte mes dy palëve, komunistëve e antikomunistëve, që në thelb kishte të bënte me një arsye shumë praktike: ata që ishin përballë nesh po mbronin një regjim që për pesëdhjetë vjet me radhë ishte mbajtur më këmbë në sajë të dhunës, shtypjes, arbitraritetit, mohimit të lirisë për t’u shprehur, për të lëvizur, për të ushtruar një besim fetar, për t’u organizuar politikisht etj., etj., dhe ne ishim kundër këtij regjimi. Dhe për të qenë kundër, nuk ishte nevoja të ishe churchillian, reaganian a thatcherian. Edhe një marksist gjenuin do të duhej të bënte të njëjtën gjë
Etiketat “i majtë” dhe “i djathtë” u shndërruan menjëherë nga terma të pafajshëm në dy terma që shpjegonin ndarjen e shoqërisë shqiptare në atë kohë. Kjo ndarje ishte e thellë dhe e ashpër, shí siç ka qenë për francezët në kohët e revolucionit të tyre. Nuk mund të ishe indiferent. Nuk të pranonin të ishe indiferent. Do të ta vinin etiketën, edhe sikur të mos doje që të mos e kishe një. Do t’i përkisje njërit krah se s’bën. Dhe unë isha konservator. Isha krenar që isha i tillë. Pa e ditur saktësisht se çfarë kjo donte të thoshte, dhe pa u shqetësuar që nuk e dija.
Kur mësova, pak më vonë, se kjo ndarje zinte fill me revolucionin francez, m’u bë se kisha mësuar diçka të rëndësishme. Por në të njëjtën kohë m’u duk se kjo dikotomi, edhe pse e lidhur me atë ngjarje të madhe në historinë e botës, nuk e meritonte të merrej shumë seriozisht, pasi e gjitha kishte qenë aq randomike. Ishte viti 1789. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare, që zëvendësoi të ashtuquajturën États-Généraux, u mblodhën për të hartuar një kushtetutë, dhe aty e panë veten të ndarë, përveç të tjerash, edhe lidhur me çështjen se ç’rol e ç’kompetenca nga ai moment e tutje do të kishte mbreti Luigji XVI, të cilit nja 3-4 vjet më pas do t’i viheshin kryet në karamanjollë. Më së shumti bëhej fjalë nëse mbretit do të duhej t’i njihej e drejta e vetos dhe nëse kjo veto do të ishte bllokuese apo pezulluese. Revolucionarët antimonarkikë u ulën në të majtë të drejtuesit të Parlamentit, ndërsa mbështetësit e mbretit u ulën në të djathtë. Këta të fundit do të duhej të ishin të privilegjuar në këtë pozicion, ngaqë krahu i djathtë, sipas traditave e kulturave mbizotëruese, quhej krahu i mbarë, ndërsa i majti quhej, në rastin më të mirë, një krah dosido. Në disa kultura, sidomos ato aziatike, përdorimi i dorës së majtë në jetën e përditshme, gjatë punës, në të ngrënë apo në të shkruar, shihej si arsye për ta tallur, poshtëruar e damkosur tjetrin. Myslimanët e kanë të sanksionuar edhe në Kuran “shenjtërinë” e dorës së djathtë. Krahu i djathtë është krahu i parapëlqyer i Allahut. Për të krishterët është e njëjta gjë. Ata flasin për “dorën e djathtë të Zotit”. Jezusi, pasi u ringjall, u kthye në Qiell dhe u ul në krahun e djathtë të Krijuesit. Kjo gjë theksohet në të katër ungjijtë. Edhe ndër ne shqiptarët, ca prej feve e ca prej besëtytnive, dora e djathtë, këmba e djathtë, ana e djathtë në përgjithësi, janë të bekuara a të uruara. Nëse dikush hyn në një shtëpi të re për herë të parë, ai duhet të hyjë se s’bën me këmbën e djathtë, për të mos mbjellë ters Në të vërtetë, si zor të besohet që ndokush në Asamblenë franceze të fundshekullit XVIII ta ketë vënë ujin në zjarr për shoqërime të tilla idesh. Për më tepër, revolucionarët, që ishin “të penalizuar” në këtë mes, jo vetëm që nuk donin t’ia dinin për besëtytni gjithfarësoj (jo më kot ishin revolucionarë), por edhe ishin të përfshirë nga mendimi se po bënin historinë. Kishin të tjera fiksime në kokë. Dhe çfarë ata bënë qëlloi të ishte, në fakt, një ngjarje me ndikim të jashtëzakonshëm në kohët që do të vinin. Çdo episod i asaj ngjarjeje ka marrë një simbolikë të caktuar. Siç mori simbolikën e vet edhe vendqëndrimi i qindra (ishin mbi një mijë) anëtarëve të Asamblesë Kombëtare Kushtetuese.
Kjo ndarje në “të majtë” e në “të djathtë” u kap aty për aty nga gazetat e kohës. Dhe këto cilësime ngjitën si me magji, derisa nga mesi i shekullit tjetër u bënë pjesë e natyrshme e ligjërimit publik e politik, shí siç janë sot, në pothuaj të gjitha vendet demokratike apo gjysmë demokratike, s’ka gjë se këto kohë, ç’është e vërteta, gjërat nuk janë edhe aq të qarta. Sepse, së pari, vetë e majta apo e djathta janë koncepte shumë të gjera e përfshirëse, dhe së dyti, në spektrin politik, në mes e në krah të të majtëve dhe të të djathtëve, rrinë shumë grupe të tjera, anarkistët, ekstremistët e majtë, ata të qendrës së majtë, të qendrës, të qendrës së djathtë, ekstremistët e djathtë, libertarianët, e grupe të tjera që ngucen mes këtyre ndarjeve të fundit. E megjithatë, pavarësisht këtyre ndarjeve që krijojnë idenë e një tollovie, ka disa karakteristika që duket se i bëjnë të dy krahët të pangatërrueshëm. Të majtët duan që ta ndryshojnë rendin e gjërave, qoftë edhe me forma revolucionare, ndërsa të djathtët duan që ta mbrojnë rendin e gjërave ashtu siç është, ose të pajtohen me ndryshime të vogla që e modifikojnë lehtazi statusquonë, por pa e shndërruar atë. Të majtët e kanë zët rendin hierarkik në shoqëri, e konsiderojnë atë një gjendje që e ka burimin ose te një padrejtësi origjinale, ose te një pabarazi e pajustifikueshme. Të djathtët mendojnë se hierarkia e pabarazia janë dy gjëra natyrale, që duhen pranuar, qoftë edhe si garanci e rendit dhe e rregullit në shoqëri. Të majtët janë me idenë se qeveria duhet të kujdeset për njerëzit, në mënyrë që të mos i lërë pa mbrojtje nevojtarët e të dobëtit. Ndërsa të djathtët janë me idenë se qeveria, sa herë që fut hundët në punët e njerëzve, i katranos gjërat, lëre pastaj që, sipas tyre, nuk ka pikën e kuptimit t’u marrësh disave që u bie bretku në punë nga mëngjesi deri në mbrëmje për t’ua dhënë ca të tjerëve që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër në këtë botë, veçse të flenë gjumë e të rrinë duarkryq. Të majtët janë kolektivistë, të djathtët janë individualistë. Të majtët janë për barazinë, të djathtët janë për lirinë, ndonëse, siç thashë më sipër, në fillimet e kësaj ndarjeje, kanë qenë revolucionarët e majtë që ishin për lirinë (me lirinë fillonte slogani i tyre i famshëm: liberté, égalité, fraternité); të djathtët atëmot ishin për autoritetin, rendin, ligjin, disiplinën, hierarkinë. Të djathtët janë shumë të dhënë pas disa vlerave tradicionale, siç janë identiteti kombëtar, interesi kombëtar, shteti, rendi, rregulli, ligji, familja, nderi, morali, tradita, besimi në Zot etj., ndërsa të majtët janë më pak të dhënë pas këtyre vlerave.
Gjëra të tilla unë i mësova më vonë, sigurisht. Dhe duke mësuar, unë kuptova në një moment të caktuar se po anoja drejt krahut tjetër. Disa lexime, tok me disa kontakte të miat, tok me një përvojën time në Itali, tok me një frymë kulturore të majtë që dominonte jetën publike e politike europiane në vitet ‘990 e që mua filloi të më përfshinte, m’u duk sikur më hapën sytë e më ndriçuan mendjen. U bëra i majtë. Por në këtë mes një rol të rëndësishëm kanë luajtur ngjarjet e zhvillimet shqiptare në periudhën 1992 ‒ 1997. Berishianët që “uzurpuan” të djathtën, dhe që ‒ kjo është më e rëndësishmja ‒ adaptuan praktika fashiste në drejtimin e vendit (shtinë në dorë çdo strukturë shtetërore, median, gjykatat, prokurorinë, arrestuan e dënuan me burg kreun e opozitës, ndaluan opozitën të protestonte në shesh, vunë dorë mbi procesin zgjedhor etj.), bënë që unë “të konvertohesha”. Dhe kjo i ndodhi edhe një pjese të mirë të intelligentsias shqiptare.
Efekti më i parë i konvertimit ishte që diversitetin nuk e shihja si një problem. Përkundrazi, zura të besoja në të. E shihja si një pasuri, si një thesar, si një element që e bënte më të fortë një bashkësi njerëzish. Nuk besoja se kishte kultura të gabuara, kultura inferiore, vizione të rrezikshme dhe ideologji të mbrapshta. Besoja thjesht që kishte ide të ndryshme, që kishin të njëjtën të drejtë për të ekzistuar, e të njëjtat kredenciale për të mëtuar besueshmëri e vlefshmëri publike. Shkurt, përqafova idenë apo pozicionin filozofik të relativizmit moral. Kjo gjë nuk më ndodhi menjëherë, të kuptohemi. Ishte një proces i tërë që zgjati me vite.
Por idetë e majta, asëll-asëll, nuk hodhën rrënjë te mua. Sepse në përgjithësi unë nuk i lë idetë të hedhin rrënjë brenda meje, nuk i lë të më bëhen mish e gjak. Nuk jam njeri i bindjeve të thella e të forta. Aq më pak kam qenë i tillë në atë kohë, kur ishte edhe vetëdija mbi njohuritë e dijet e limituara që më bënte ta shihja me dyshim rreshtimin politik timin pas rënies së komunizmit. E kam parë këtë rreshtim (fillimisht të djathtë, e pastaj të majtë) si një trill rrethanash apo një gjendje aksidentale, që do të më duhej herë pas here ta testoja. Sepse e dija që nuk ishte një zgjedhje e imja, e bazuar mbi formimin e leximet e mia. Mendoja se leximet e mëpastajme mund t’ma konfirmonin këtë zgjedhje, por po njësoj mendoja që mund të ma nxirrnin si një zgjedhje, që nuk më rrinte mire Pak më sipër, unë fola mbi disa karakteristika që e bëjnë të qartë ndarjen mes të djathtëve e të majtëve, por theksova gjithashtu se ka edhe një lloj konfuzioni në identitetet politike. Konfuzioni rritet kur ne duam ta zgjerojmë gjeografinë e këtyre termave, me fjalë të tjera kur, mbi këtë bazë, duam të përkufizojmë veten, apo të tjerët në llojlloj fushash, në politikën e jashtme, në art, në filozofi, në qëndrime tonat lidhur me dukuri e ngjarje të ndryshme, deri edhe në sport, shtrat apo kuzhinë. Personalisht nuk kam më as pasion, as interes të ndjek apo të bëj një diskutim të tillë. Sepse, në të vërtetë, nuk jam më i majtë. As i djathtë. Thënë ndryshe, që në thelb është e njëjta gjë, jam edhe i majtë, edhe i djathtë. Unë i kuptoj ata që merren me politikë, e që për këtë arsye nguten t’i vënë vetes një etiketë, përndryshe, nuk do të gjenin dot një vend në arenë, por të tjerët, intelektualët që përkufizohen rigorozisht si të majtë apo të djathtë, si konservatorë apo liberalë/progresistë, unë nuk kam fuqi t’i kuptoj. Një pyetje po bëj: Pse dikush nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe në krahun e hebrenjve në konfliktin izraelito-palestinez (i djathtë), edhe në favor të abortit (i majtë)? Ose për ta thënë ndryshe, çfarë bëka që të mos rrinë bashkë brenda të njëjtit amerikan edhe mirëkuptimi për palestinezët (i majtë), edhe mbrojtja me pasion e amendamentit të dytë që njeh të drejtën e tij për të mbajtur armë (i djathtë)? Janë të shumta pyetje të tilla që mund të ngrihen e që e bëjnë absurde zellin fanatik në mbrojtje të një identiteti të fortë e të qartë politik, që na përfaqësuaka në mënyrë besnike një këndvështrim të ngrirë, koherent e të paracaktuar që ne e paskemi mbi botën përreth. Identiteti politik pra është diçka e lëvizshme, sepse është dhe vetë njeriu që lëviz, që ndryshon. Si është në një periudhë të jetës, nuk është në një tjetër. Me që ra fjala, nëse do më duhej se s’bën ta përkufizoja veten politikisht në këtë fazë të jetës, e në këtë botë ku po jetojmë, do të thosha se ndihem më shumë konservator.
Leave a Reply