• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
Mos ua rrisni “vlerat” kot!
Home
Blog

Mos ua rrisni “vlerat” kot!

April 28th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Artan Xh. Duka/

Hapja e negociatave e bën të pakthyeshëm integrimin në BE dhe si e tillë është një ngjarje e atyre përmasave historike që në parim nuk mundet të “monopolizohet” aq kollaj nga asnjë parti politike apo individ i vecantë. Si arritje për të gjithë, presupozon kontributin e të gjithëve.

“Kontrapedal” opozitar!

Por ndërsa qeveria po bën detyrën e saj dhe në fakt po e bën mirë, për opozitën ndërkohë, ndonse ekziston precedenti i sjelljes opozitare në prag të pranimit në NATO, pritet më shumë përgjegjshmëri dhe përkushtim pa ekuivok për interesin kombëtar që lidhet ngushtë me hapjen e negociatave me BE.

Por ndërsa syresh në lidershipin opozitar është në të drejtën e tij të mos jetë pjesë e zgjidhjes, nuk ka pse të identifikohet si pjesë e problemit! Nga hapja e negociatave fitojnë të gjithë. Opozita po ashtu, bile avantazhohet në raport me qeverinë sepse rritja e pritshmërisë dhe e trysnisë së BE ndaj qeverisjes veç e lehtëson më tej aksionin e saj opozitar.

Ndaj është vërtet paradoks “kontrapedali” absurd i dikujt në lidershipin opozitar apo dhe një takëmi që gëlon në botën mediatike që haptazi dhe pa ndroje janë kundër hapjes së negociatave me BE. Se sikur të mos mjaftonin plot bëma që shkaktuan ca prej tyre në tranzicion, sot as fjalën e mirë sa për sy e faqe nuk ua nxë goja ta thonë, përkundrazi, ethshëm angazhohen në lobim gjoja antiqeveritar ndërkohë që në lojë nuk është rivaliteti partiak por vetë interesi kombëtar, bëjnë “fletërrufera” Brukselit për tolerimin e qeverisë(!) etj.

Se me kë janë, ata e dinë por ngulmimi pasionant i tyre për të nëpërkëmbur e shtyrë sa më gjatë hapjen e negociatave duke i bërë karshillëk kësisoj interesit kombëtar është thjesht një donkishotizëm politik vet-diskretitues sa kohë “fleta e provimit” tonë tashmë është në BE dhe gjërat kanë dalë prej dorës tonë.

Nuk ua var kush

Vëndet e BE do gjykojnë sipas interesit të tyre dhe nëse ka“figura”, rryma apo interesa personale antishqiptare në BE që trumbetojnë se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave, ato kanë qënë dhe ndoshta do të mbeten gjithnjë atje dhe qëndrimi tyre, për arsye gjeopolitike, historike, fetare, lidhjeve me botën sllave që i bën me rregull treshi antishqiptar etj, nuk është se varet shumë nga lobimi i aktorëve shqiptarë, qoftë ky për mirë apo për keq.

Në këtë kuptim, mos t’ja rritim kot “vlerat” cave në opozitë që kuturisen të lobojnë në BE për gjithshka tjetër përveçse interesit të vëndit. Nuk i përfill njeri. Këta dhe në Shqipëri nuk bindin më kënd, pale më në BE ku e ndajnë mëndjen vetë. Edhe për syresh në BE që nuk duan ta shohin Shqipërinë në të dhe që po dalin haptazi tashmë, opinionet dhe retorikat e stisura të lobimit opozitar më e shumta mund të përdoren thjesht si sebepe për të na mbajtur mbyllur derën sa më gjatë dhe ky në fakt është dëmi real që ca në opozitë po i bëjnë proçesit të hapjes së negociatave dhe interesit kombëtar të lidhur ngushtë me të.

Në fund të fundit, përtej retorikës së Brukselit për standarte demokratike, gjithshka është gjeopolitikë dhe mpleksje interesash afatgjata në rajon dhe aplikimi i dy standarteve nga BE nuk përbën ndonjë lajm (rasti i Europës Lindore e së fundi dhe rajoni ynë).

Ndaj dhe ndodh që ndërsa Sërbisë e Malit të Zi për të mos u humbur më kohë(!) u janë hapur prej vitesh negociatat duke ua lënë për më pas përmbushjen e atyre standarteve që neve na vihen si kushte për vetë hapjen e negociatave! (sa për “koka turku” dhe pushtetarë problematikë që nuk i pranoka BE, Mali Zi dhe Sërbia duhet të ishin akoma me Turqinë në rrugëtimin europian).

Apo që, ndërsa neve na rritet “steka” e standarteve parreshtur, vënde tashmë në BE (Hungaria, Polonia etj) po demostrojnë standarte shqetësuese demokratike për vetë Brukselin zyrtar (ndërkohë që BE ka “vija të kuqe” për pranim, nuk ka të tilla për përjashtim).

Apo, kur për të njëjtat probleme si ndarja e kufirit, minoritetet etj ndërsa BE nuk kushtëzon aspak integrimin e Malit të Zi, Sërbisë etj, përdoret si “karrotë e shkop” për Kosovën (thjesht për liberalizimin e vizave që sërisht mbetet i kushtëzuar me sebepe të tjera), i vihet si kusht Tiranës por nuk është i tillë për një shtet problematik në BE si Greqia etj.

Nëse dikush në BE nuk dëshiron që ne të hyjmë në BE apo të hyjmë para Serbisë sepse priret nga interesat sllave në rajon, nëse dikush ende beson tek argumenti i mjerë se përkatësia fetare mbetet deçiziv dhe identifikues edhe në shekullin e 21 etj, ata janë në të drejtën e lirinë e tyre të jenë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Por të paktën jo dhe me një “dorë” prej cave prej nesh në opozitë.

Atdhe të dytë nuk kemi

Apriori, lidershipi opozitar nuk ka pse të përflitet politikisht për faktin se ca prej miqve e partnerëve të saj në BE me të cilët janë mburrur deri më sot, tanimë po dalin haptazi duke i mëshuar fort retorikës së moshapjes së negociatave për Shqipërinë; ata nuk kanë mbetur të marrin mëndët e cave sot në opozitë!

Ajo që pritet minimalisht nga opozita është në mos distancimi prej tyre, ballafaqimi publik me ta. Miqësia miqësi por jo në kurriz të interesit kombëtar. Ai është mbi të gjitha dhe opozita është opozitë politike dhe jo opozitë ndaj interesit kombëtar.

Në “orën” e saj dikur në pushtet kanë ndodhur shumë ngjarje të bujshme – piramidat, Gërdeci, 21 janari, dhënia e detit Greqisë, qëndrimi kontradiktor ndaj luftës në Kosovë etj. Të mos mbahen mënd edhe për moshapjen e negociatave në qershor me BE. Jo se fati i negociatave varet prej cave në opozitë por se ata po i dalin sot “zot” më kot qoftë me retorikën e përditshme antireformë në fushën e drejtësisë ashtu dhe me “shoqninë” e flirtimet e habitshme politike me protagonistët e skepticizmit antishqiptar në BE.

Në BE nuk hyhet me zor dhe nuk kemi pse trokasim pafundësisht se nuk janë “shurdh”. Boll ta dinë që kemi interes. Ndërkohë, partneri ynë historik është dhe duhet të mbetet SHBA që na është gjëndur gjithnjë pas 1913. Së fundi edhe me pranimin në NATO ndonse fill pas Gërdecit kur faktikisht opozita e kohës dëshmoi përgjegjshmëri duke mos e shpërdoruar atë ngjarje politikisht për interesa të ditës dhe tani me reformimin e shtetit ligjor me krye-reformën në drejtësi.

E sa për BE, është në dinjitetin e palëve që proçesi të jetë reciprok. Sa kohë vëndi angazhohet në reforma reale që krijojnë realitetin e “BE” në vënd, vetë proçesi i integrimit në BE shndërrohet në një proçes me përfitim reciprok për të dyja palët në proçes. Sepse sa kohë natyra e pozicionoi rajonin në mes të Europës dhe Shqipërinë në zëmër të tij, BE e di mirë që është e paplotë pa ne.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Për lobistët dhe pyetjen: Po Sali Berishën kur?
Previous article Me qetësi e dashuri, thoshte Meta. Me këpucë e histeri, thotë Mona

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k