Artur Ajazi/
Prej disa muajsh vazhdon beteja institucionale por fatkeqësisht edhe politike, për prishjen apo mosprishjen e Teatrit Kombëtar (ish- Popullor). Duke patur respektin dhe konsideratën e padiskutueshme për atë simbol të artit skenik shqiptar, duke patur respektin e padiskutueshëm për gjithë armatën e aktorëve dhe artistëve tanë të mrekullueshëm që kanë debutuar atje prej afro 70 vitesh, mendoj se edhe debati që po zhvillohet, mbetet thelbësor për të ardhmen e tij. Teatri Kombëtar (ish Popullor) mbetet sot debati kryesor që ka përfshirë jo vetëm rrethet e aktorëve dhe artistëve të vjetër dhe të rinj, (apo dhe sindikatat ? ) por ai ka përfshirë edhe qarqet politike, ku më të ethshme mbetet ato “të djathta”.
Partia Demokratike, mbetet forca e vetme politike, e cila ka nxituar të marrë në “mbrojtje” artistët dhe Teatrin Kombëtar, duke qenë pararoja e debateve, sherreve dhe skenave vërtetë teatrale që kanë ndodhur dhe kanë ndarë sot aktorët në “të majtë dhe të djathtë”. PD po e shfrytëzon deri tani, mrekullisht shansin që i është dhënë, duke futur në linjën e saj të keqpërdorimit, edhe një pjesë të aktorëve, për përfitimet e saj politike apo dhe elektorale. Marrja në “mbrojtje” e aktorëve, marrja në “mbrojtje” e godinës së Teatrit Kombëtar, marrja në “mbrojtje” e asaj që PD e quan “vlerë kombëtare”, të bën për të qeshur.
Një parti që sa ishte në pushtet nuk la vend muzeal, që nuk la kala, që nuk la godinë teatri në rrethe pa gjymtuar, pa privatizuar dhe pa shitur, tashmë del në mbrojtje të aktorëve, dhe godinës së vjetëruar të Teatrit Kombëtar. Një parti që nuk ka ngurruar të shembë kinema dhe salla teatrale në rrethe dhe Tiranë, për të ngritur pallate dhe objekte të tjera private, del sot në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, duke derdhur lotin e krokodilit për artistët. Debatet vazhdojnën prej disa muajsh, diku nxehet dhe diku ftohet ky debat, ndërkohë që kushtet brënda godinës së Teatrit Kombëtar vazhdojnë të agravohen.
Nga ana tjetër qeveria, ministria e linjës dhe kryeministri Rama, vazhdojnë të dëgjojnë me kujdes, debatojnë dhe ofertojnë lidhur me ndërtimin e një godine moderne, e cila do të ishte multifunksionale për artistët, por edhe e përshtatshme nga ana arkitekturore. Konkluzionet dhe diskutimet e artistëve çuditërisht ndryshojnë sipas “stinës” politike, dhe kjo duket tek reagimet që PD bën ditë pas dite kur aktorët dalin në protesta, apo kur ata lexojnë edhe ndonjë letër-protestë të lexuar më parë nga shefi selisë blu. Të përdorësh aktorët, të kënaqesh me hallin e tyre, të qeshësh fshehtas me kërkesat e tyre për shembjen apo moshembjen e godinës së vjetëruar të Teatrit Kombëtar, do të thotë të biesh në pozitat e një opozite hipokrite, dashakeqëse, dhe qëllimzezë. Aktorët janë njerëz të pavarur, ata nuk mund të jenë dhe nuk mund të bëjnë art as të majtë dhe as të djathtë, ata përçojnë tek qytetarët gjuhën e të vërtetës, ndaj ata kurrë nuk duhet të përdoren nga politika. Ndarja e aktorëve dhe artistëve në “të PD dhe të PD”, mbetet shfaqja më e turpshme e një partie e cila pasi nuk po arrin të bëjë opozitën e duhur, e cila pasi nuk po arrin të kapë kuotat e duhura të një force politike në elektorat, po tenton të përdorë edhe njerëzit e artit. Prishja ose mosprishja e Teatrit Kombëtar, është dhe do të mbetet ekskluzivitet i një llogjike të ftohtë dhe i një mirëkuptimi mes armatës së aktorëve dhe qeverisë. Kjo e fundit deri tani, ka treguar se ka gatishmërinë dhe angazhimin e duhur, për të investuar në ngritjen e një godine të re dhe dinjitoze teatrale, përballë trajtimit monstruoz të një partie në opozitë, e cila po i trajton edhe aktorët si Babalen.
Ti besosh milionerëve të PD, lotëve të krokodilit për gjoja “Teatrin Kombëtar”, ashtu siç bënë dhe siç dështuan me parkun e liqenit, apo me investimet e tjera aq të nevojshme për qytetarët, do të thotë të biesh në rrjetën e mashtrimit, keqpërdorimit, në pozitat e babaleve, të atyre që veç interesit të rikthimit në pushtet dhe pasurimit të tyre, nuk kanë asnjë synim tjetër politik e social.
Leave a Reply