Ajo çfarë pritet të dalë në zgjedhjet e ditës së diel në Itali, është vendimtare jo vetëm për Italinë, por mbi të gjitha për vetë Brukselin. Rezultati i tyre nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën se si qytetarët italianë reagojnë ndaj fluksit të pashtershëm të emigrantëve në hapësirat e tyre publike dhe jo vetëm, por as edhe tërmetit politik që ka nisur prej kohësh në vendin fqinj. Çfarë i sjellë ky rezultat Europës, është çka më shumë nga ajo sa shohim ne përqark.
Nëse ndjek Tg1 apo çdo edicion informativ tjetër italian, edhe pse nën një logo të ndryshme, qartazi duket se historitë me ndodhi emigrantësh janë të vazhdueshme e deri mahnitëse për nga emocioni. Njerëz shpinë kërrusur që lëvizin në rrugë të paligjshme të qytetit, të rinj të armatosur që nën presionin e karabinierisë ndihen më të tensionuar se kurrë më parë në vendin fqinj, i cili pat shërbyer për dy dekada e më shumë si toka më mikpritëse në Europë për të huajt që kërkonin të ndërtonin një jetë normale. Ngjarjet janë të tmerrshme, vrasje, zhdukje, fshehje trupi nga masakruesit, shpërndarës droge me leje qëndrim të skaduar, arrestime të shpejta e më pas deri politikanë të krahut të djathtë të përfshirë në këtë skenë tensioni që ofron Italia e trazuar jo aq prej emigrimit klandestin sesa prej menaxhimit të dobët të tyre në rrugët e kufijve europiane.
Më shumë se i zemëruar, javë më parë kreu i “Lega Nord”, Matteo Salvini, në një nga ato përleshjet e tij publike, akuzoi qendrën e majtë se e ka kthyer vendin në një kamp refugjatësh. Silvio Berluskoni, tri herë kryeministër i Italisë, kthehet për çudinë e askujt, sërish në politikë pavarësisht se ishte ‘dëbuar’ nga zyra prej një dënimi për mashtrim tatimor. Shfaqet i sigurt para kamerave sa herë i duhet të përballet me to e madje duke iu referuar sondazheve më të fundit të https://www.termometropolitico.it/elezioni-politiche-2018, deklaron se tashmë Qendra e Djathtë ka fituar, edhe pse jo shumë larg në kohë pat paralajmëruar një ‘bombë sociale’ duke u zotuar se do të deportojë sapo të vijë në pushtet afro 600,000 emigrantë të paligjshëm.
Italia është ‘lodhur prej zgjerimit’?! Megjithëse ministri i Brendshëm italian, Minniti, shkruajnë ekspertë të çështjeve europiane, është përpjekur ta ulë fluksin emigrantëve në më shumë se 30 për qind gjatë vitit që lamë pas, kjo falë marrëveshjeve të diskutueshme me homologët e tij libianë, çfarë duket se prodhojnë deklarata të tilla si ajo e Berluskonit, sigurisht lë shumë për të dëshiruar. Por një gjë është më se e sigurt, premtime të tilla ksenofobiste në një Europë fragile sot, por që punon ende të ruajë vlerat e diversifikimit multikulturor, paralajmëron një rrezik shumë më të madh, atë që urrejtja mund të shkaktojë; pa asnjë mëdyshje një dhunë të re.
Si partia kryesore në koalicionin e tanishëm qeverisës, demokratët po përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes penalizimit që u bëhet nxitjeve të ksenofobisë dhe mbrojtjes së politikave të tyre sociale e juridike për ‘të mbërriturit e rinj’ në tokën e tyre, duke premtuar në vazhdim investime të mëtejshme mbi sigurinë në plan strategjik. Në shoqërinë italiane, ‘frika prej tjetrit’ nuk ekziston si koncept. Në radhë të parë, sepse vetë italianët nuk kanë një qasje ‘armike’ me të huajin dhe së dyti, kjo lloj maniere në sjellje e tyre, është debatuar e tjerrë kaq shumë për dekada të tëra e megjithatë ende politikanët e fqinjit tonë nuk arritën asnjëherë të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme e të shëndetshme mbi problemet që lidhen me migracionin e parregullt dhe integrimin e dobët të tyre.
Asnjëra prej forcave më të mëdha politike në betejat elektorale duket se nuk janë shfaqur si lojtarë të fortë e të besueshëm mbi këtë çështje. Çfarë ka bërë progres, është vetëm një ligj me prirje më liberale për dhënien e kombësisë fëmijëve të lindur aty, si dhe atyre që arsimohen. Ky ligj i jep një zgjidhje më të qartë barazisë së të drejtave që ata duhet të kenë si të gjithë qytetarët e tjerë italianë.
Ky lloj projektligji ka qenë në agjendën zyrtare të qeverive të qendrës së majtë për më shumë se 20 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, klasa politike në përgjithësi ka argumentuar në debate publike dhe jo vetëm se siguria e vërtetë prej të huajve në një vend, mund të arrihet vetëm nëpërmjet njohjes së tyre dhe përfshirjes së plotë në mjedisin që gjejnë. Por muaji mars, do të shënojë një tjetër legjislaturë të humbur pa këtë premtim themelor që duhej mbajtur.
Ndërkaq, këto zgjedhje janë paralajmëruar të jenë shpërthyese, sa i përket debateve televizive, si ajo mes Salvinit dhe Boldrinit apo si ajo që mund të ishte (anulluar më pas) mes Renzit dhe Salvinit. Mbetet gjithmonë e nxehtë, tema e emigracionit si në çdo vend europian kur zgjedhjet janë në prag dhe shërbejnë si ushqim i mirë për kundërshtarët radikalë. Por ka dhe çështje të tjera, jo më pak të nxehta; si punësimi, shkolla dhe pensionet, por sigurisht me më pak argumente për t’u trajtuar. E gjitha kjo ndërsa 4 marsi po afron çdo orë e më shumë dhe kur pikërisht atëherë ndërsa po mendohet për skenarët e mundshëm post elektoral.
Statistikat nuk e mendojnë më një rikonfirmim të kryeministrit Gentiloni megjithëse Giorgio Napolitano insiston mbi këtë hipotezë. Në fund nuk duhet ta heqim nga mendja atë që SHBA-të mendojnë, se kush fiton zgjedhjet nuk mund të qeverisë ndërsa Sergio Mattarella po mendon tashmë për lëvizjet e mundshme në rastet e mungesës së një fituesi të vërtetë. Ndjenja e zhgënjimit dhe e dezorientimit të shkaktuar nga një dekadë e krizës ekonomike megjithëse, ende e prekshme në xhepat e shumicës së italianëve, kanë krijuar një terren pjellor për këtë qasje të re frike ndaj të huajve. Nisur nga kjo, janë pikërisht këta faktorë, të cilët po shtrojnë rrugën e një stuhie frike prej një të djathte të dhunshme dhe radikale.
Leave a Reply