Mira Kazhani
Kur Toto Cotugno këndonte në kapërcyell të viteve ’90 këtë këngë, unë kam qenë fëmijë. Por mbaj mend që njëherë, në një dasmë, kapa mikrofonin (se sapo kishin nisur dasmat pak me muzike italiane, rock and roll dhe Lambadën e famshme) dhe e këndova totalisht e paintonuar, por dasmorët qeshën e gëzuan dhe kjo më bënte të ndihesha mirë, se fundja s’dija të këndoja por dija një këngë italisht.
Ndonjëherë u përktheja prindërve filma nga italiani dhe atyre iu dukej gjë e madhe. Kështu, sepse italishtja ishte shenjë e Europës. Edhe thirrjet ishin me Europën, edhe moda ishte me veshjet që na sillnin emigrantët e parë, emrat e fëmijëve që lindën, punët e shtëpisë që i bënim me stacionet italiane në sfond, MTV, këngëtarë dhe refrene që ia këputnim dhe kot në anglisht por ishim aq të gëzuar sa mendonim se vitin tjetër do ishim si ata. Sigurisht që ka kaluar më shumë se tre dekada nga kënga e Toto-s por edhe nga pritja naive dhe e gëzueshme: vitin tjetër. Shqipëria sot mori një lajm të bukur, pavarësisht delikatesës me të cilën u rrethua gjatë këtyre ditëve dhe javëve, pavarësisht rrezikut edhe për të mos u trajtuar hiç fare nga fuqitë e Europës – që të përfshirë në telashet e refugjatëve por edhe probleme të tjera të brendshme – mund të ishin treguar kategorikë. Por jo! Europa, siç e kam thënë, s’mund të jetë e mirë vetëm për Lulzim Bashën. Europa na do edhe ne të tjerëve që e kemi pritur gjithmonë me shpresën se do kemi një ditë fatin e qytetarëve të saj, të dinjitetshëm!
Lajmi, sigurisht, është i hidhur për zotin Basha dhe ndoshta edhe për të tjerë që Shqipërinë e kanë komode sa më larg Europës dhe sa më pranë interesave personale e individuale. Normal që do ketë të pakënaqur, se Europa nuk është e mirë për të gjithë, për kë gabon ajo është e ashpër, me rregulla e ligje të cilat s’të lënë të bësh çap. Europa është afër për ne që s’e kemi frikë, që e kemi dashur nga këngët dhe vazhdojmë ta shohim si një këngë dhe jo si një kujë e fantazmë netësh me ankthe. Për të mërziturit, lajmi do të jetë i hidhur! Për të gëzuarit nis puna, e cila për një vit do kërkojë të kalojë në sitë çdo gjë. Kështu, të gëzuarit t’i futen punës se me llafe ka kush merret! Janë disa korba portalesh e Facebook-u, që shajnë sot që t’i emërojë Basha mot. Tregtarë flamujsh e partish e figurash politike, që enden sa andej këtej, ngaqë me Europën nuk i lidh asgjë. Ajo nuk është më çështje kostumesh e çantash, por një mënyrë për të jetuar sot sikur të jetë e ardhmja. Dalëngadalë do ambientohemi të gjithë. Deri në qershor 2019, kemi kohë për të gjitha.
/Tiranapost.al
Leave a Reply