• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
MIRA KAZHANI/ Askush nuk i do gazetarët!
Home
Blog

MIRA KAZHANI/ Askush nuk i do gazetarët!

August 30th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nga Mira Kazhani/

Ky është shkrimi i parë që e nis nga një titull dhe ishte mendimi i parë që më erdh kur pashë titrat për Klodin (Klodiana Lalën), gazetaren investigative, që i shpuan muret e shtëpisë së prindërve, aty ku qëndrojnë edhe fëmijët e saj, pra të gjithë familjen! Tronditëse, sidomos për racën e gazetarëve. Prej Klodit sot më erdhën disa mendime që më rrotullohen prej kohësh, por evitoj t’i shkruaj, se mendoj se halleve shqiptare nuk duhet t’ua zënë radhën ato profesionale (e kam fjalën për ujërat ku po notojmë të gjithë ne gazetarët sot).
Kam disa argumente, prej të cilëve mendoj se sot gazetarëve mund t’u bësh çfarë të duash, madje edhe t’i vrasësh. Edhe t’u çosh plumba kallashnikovi prindërve të tyre, fëmijëve, gjyshërve dhe komshinjve. Sot një vrasës vret edhe më lehtë dhe të gjithë duan dhe po i vrasin gazetarët në mënyra të ndryshme, madje edhe gazetarët mes vedi po e bëjnë.
Ja çfarë ndodhi sot:
Të dy kampet politike reaguan për ngjarjen e rëndë. Lul Basha priti Edi Ramën pastaj doli, po çështje oraresh, që s’kanë vend në këtë shkrim, as kohë. Siç parashikohet në këto raste, kryeministri do kërkonte autorët para drejtësisë, ndërsa kundërshtari i tij do ta përdorte për të sulmuar qeverinë, akuzuar atë për lidhjet me krimin dhe duke i veshur kësaj të fundit vetë autorësinë e sulmit mafioz me armë.
Kjo është një histori që para të gjithëve do ta zbulojë vetë Klodiana Lala, e cila sot është në dhimbje, merak e përgjegjësi për familjarët e saj, që s’ia kanë borxh as mamit, as gruas, as fëmijës t’u çojë plumbat nga të katër anët e mureve të shtëpisë prej punës që bën. Por Klodiana gazetare do ta zbulojë shpejt të vërtetën dhe shpresoj që autoritetet të gjejnë e kapin autorin dhe ndëshkimi të jetë i ashpër. Por ka dhe shumë gropa të tjera që duhen mbushur, në mënyrë që gazetarët të jenë më të sigurt. Është e vjetër sa bota që ky profesion nuk është si ai që mund të bjerë më shumë në sy shqiptarëve -me dalë në darkë e me i bë pyetje një kryeministri a një ministri. Shkon shumë më tej, me vajza si Klodiana, me investigime në terren; sidomos kur prek fije interesash të mëdha që të vënë në rrezik edhe kokën. E dinë të gjithë gazetarët që kanë luajtur me zjarrin dhe kanë vënë zemrën në këtë punë. Nga Saviano në Itali, që jeton i kërcënuar çdo ditë -por të paktën (ende) s’e kanë vrarë- tek 53-vjeçarja, gazetarja e “Panama Papers”, Daphne Caruana Galizia, që u dogj në makinën e saj nga një bombë e vendosur; një gazetar meksikan i famshëm për investigimet e tij në trafikun e drogës u qëllua për vdekje në rrugë pranë ambienteve të redaksisë, vitin që shkoi, në maj 2017, apo rasti i famshëm i ruses Anna Politkovskaya, në 2006-ën… e shumë raste të tjerë. Kemi edhe në Shqipëri gazetarë të burgosur, të rrahur, të torturuar deri në atë pikë sa nuk erdhën kurrë më në normalitet, si gazetari i “Koha Jonë”, Zamir Dule, që tani jeton në fshatin Miras të Korçës, ku ka gjetur paqen me delet e tij.
Po pse sot është edhe më keq?
Një killer, trafikant, mafioz, çfarëdo emri pastë sot, nuk e ka për gjë të heqë qafe një gazetar/e! Sepse tanimë për gazetarët nuk ka më fortesë, për lajmësin nuk ka më respekt në përgjithësi. Vihet re ngado. Edhe një parazit në Facebook, që s’di shqip, të vret e kritikon, sepse është bërë modë të poshtërosh gazetarët dhe gazetarinë. Takon njerëz në rrugë e të thonë: “Llafe keni ju, më shumë rrena se të vërteta”, e pafund kështu. Disa për disa edhe qëndrojnë! Por ka një fenomen që e ka përhapur si pandemi urrejtjen për gazetarët. Po, po, ka urrejtje, bezdi dhe mungesë respekti.
Këtu kanë dhënë të gjithë kontribut, që nga Sali Berisha, që është treguar mizor me ta, e deri tek Edi Rama, që nuk vret e nuk burgos, ka qenë një prej nesh dikur, dhe sot më parë e shoh t’ia japë intervistën një ‘kazani’ sesa një gazetari. Besoj si njeri i publicistikës mund dhe di të bëjë e do duhej bënte pak më shumë. S’e bën! Me apo pa dashje ka kontribuar në mendësinë e shoqërisë shqiptare se gazetarin po të duash e trajton si lolo, e shan, i bën edhe moral e kritikë pa filtër, pa e mat gjuhën, sikur jemi palço cirku. Pale faqet anonime, që janë promotorë të kritikës së sëmurë dhe që më dhimbset vetja kur dëgjoj rreth tyre. Po ato sikur po i braktisin pak njerëzit, sepse sot kulti i individit është bërë më i fortë dhe të gjithë kanë mendimin e tyre. Janë bërë kritikë, të japin mend e të marrim erzin sa herë të duan. Të gjithë, si vrasës falas online, po ndërtojnë kohën më të keqe (besoj kështu do kujtohemi) për gazetarët dhe gazetarinë. Sepse Lulzim Basha, sot që fliste për Klodianën, nuk ka përmendur asnjëherë investigimet e saj, por ka bërë simbol të gazetarisë Jetmirin, atë djalin anonim, që intervistoi Babalen, pra, sajoi një intervistë për PD-në dhe për këtë u investua e gjithë PD-ja. Kryeministri ka dalë nëpër Shqipëri e bën reporterin, si për të thënë se ne s’e bëjmë mirë këtë punë. Asnjë palë në Shqipëri nuk është e interesuar të ketë gazetari. Askush nuk i do gazetarët dhe të gjithë e kanë një plumb në dorë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BRIZIDA GJIKONDI/ Sot jam kundër turmës: Ja pse nuk m’u përlotën sytë për gazetaren Lala
Previous article SKËNDER MINXHOZI/ Na duhen kriminelët e vërtetë, jo ata që i duhen politikanëve hipokritë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k