Nga Mero Baze
Për të kuptuar çfarë i dhemb realisht Shkëlzen Berishës, sihikoni reagimin e tij, pas botimit të vendimit të Gjykatës së Floridas, që i heq atij çdo alibi, rrreth përpjekjes për t’i quajtur shpifje ato që janë shkruar rreth tij. Gjëja e parë që nxitoi të thoshte, por që askush nuk ja kishte thënë, ishte se në Florida nuk u gjykua ajo që ndodhi në Gërdec, por padia e tij për shpifje.
Në fakt, askush nuk tha që në Florida u gjykua krimi i Gërdecit, pasi krimi i Gërdecit ka ndodhur në Shqipëri, ku janë dhe autorët, dhe viktimat, dhe do të gjykohet këtu. Një nga dy çështjet e Gërdecit, ajo e trafikut të armëve, është gjykuar dhe në SHBA, se ka pasur aktorë amerikanë, dhe ata janë dënuar me burg. Shkëlzen Berisha, që është autor në të dy aferat me të njëjtin grup njerëzish, nuk është gjykuar ende në Tiranë. Por siç e ka zakon rëndom babai i tij, kur ti e akuzon për një gjë konkrete, ai të përgjigjet për një gjë tjetër.
Ajo që ka gjykuar Gjykata e Floridas, janë pretendimet e Shkëlzen Berishës, se është i pafajshëm në historitë e Gërdecit dhe se kërkon një dëmshpërblim 60 milionë dollarë. Dhe ky pretendim është hedhur poshtë. Pra, gjykata është bindur, që ai nuk mund ta mbrojë reputacionin e tij në SHBA, pasi me ato fakte që ka gjykata në SHBA, ai konsiderohet që i ka bërë ato që thuhen.
Por për të mbrojtur reputacionin, ai duhet të gjykohet nga një gjykatë shqiptare. Nëse Shkëlzen Berisha është i përfshirë dhe është përgjegjës apo i korruptuar në historinë e Gërdecit, këtë nuk e ndajnë dot gjykatat e huaja, por një gjykatë shqiptare.
Prokuroria e Shqipërisë duhet të hapë çështjen, qoftë dhe “kryesisht”, pas vendimit të kësaj gjykate amerikane, ku ai nuk mbrojti dot veten nga akuzat e faktuara që i ka bërë shtypi ndërkombëtar, dhe duhet të kryejë një hetim të thellë, ashtu si ka bërë Gjykata e Floridas.
Ajo ka rreshtuar në vendimin e saj gjithë hetimet që ka bërë shtypi ndërkombëtar për këtë çështje, gjithë dëshmitë jo publike të bëra nga personazhe që kanë qenë të përfshirë në këtë histori, gjithë dokumentacionin zyrtar ku implikohet emri i tij, dhe ta çojë akuzën në gjykatë.
E njëjta gjë vlen edhe për rastin e CEZ dhe për çdo akuzë tjeter për llogari të Shkëlzen Berishës.
Ajo që po bëjnë Berishët, pasi kanë ndaluar Prokurorinë dhe gjykatat të merren me ta, është të ngrejnë padi ndaj gazetarëve që kanë shkruar për ta, për t’i frikësuar apo bërë pazar për mbyllje goje.
Një krim i pandëshkuar, një vrasje masive e 26 vetëve nga një histori korrupsioni, një akt mafioz siç është ai i trafikut të armëve, deri tek vrasja e Trebickës, pasi janë ndaluar të gjykohen politikisht, po tentohen të përdoren si burim akuzash për denoncuesit, ndërkohë që autori ende nuk është gjykuar.
E njëjta gjë dhe me historinë e CEZ. Gjykata dënon Romeo Karajn si shpifës, që është dëshmitar në historinë e pisët të privatizimit të OSSH, ndërkohë që nuk e ka hetuar këtë çështje dhe nuk ka asnjë hetim për të. Pra, gjykata kërkon që Romeo Karaj, të bëhet prokuror, gjykatës, që pastaj gjykata të marrë faktet e ta falë atë.
Ndryshe nga gjykata shqiptare, Gjykata e Floridas, e ka shqyrtuar vetë përfshirjen e të birit Sali Berishës në Gërdec dhe është bindur se ai nuk mund të shfajësohet për të. Gjyqtarët tanë i bien shkurt dhe mbrojnë kriminelin, pa gjykuar krimin, por duke gjykuar denoncuesin. Njësoj si për rastin e Grida Dumes. Një TV afër Berishës shfaq pamje ku Salianji shkëmben mesazhe erotike me të, nën inicialet G.D., pastaj në mbrëmje G.D. në mesenxher, bëhet Grida Dume, pastaj Grida telefonon çdo gazetë e TV ta heqin, dhe ata që nuk e heqin, i çon në gjyq dhe u thotë ma provoni që Salianji e kishte me mua. D.m.th për një gjë që e ka besuar dhe burri, që i ka kërkuar divorcin, nuk mund te bëjë gjykata sikur nuk e beson pa bërë më parë hetim për këtë, pasi si në atë anektodën e famshme, “fakti është brenda”.
Për të gjithë ata që janë prekur nga kjo që i ka ndodhur Shkëlzen Berishës, duhet ta dinë se për sa kohë Shkëlzen Berisha nuk i është nënshtruar kurrë asnjë procesi penal për akuzat për korrupsion në Shqipëri, për sa kohë nuk është thirrur të shpjegojë tabulatet me Delijorgjin, ditën e masakrës dhe më parë, për sa kohë nuk jep shpjegime si ka lënë takim me CEO-n e CEZ-it, me babain e tij kryeministër për të rritur çmimin e energjisë, dhe pas takimit ai është ulur me ta, për sa kohë nuk shpjegon si ka nxjerrë miku i tij Nue Kalaj 7 milionë euro cash, pasi Shkëlzeni ja ka mbaruar porosinë, për sa kohë nuk shpjegon pse Ismail Mulleti, mbartësi i koncesionit të ngjyrosjes së naftës i derdh atij në llogari 200 mijë dollarë, për sa kohë nuk shpjegon dot pse Aldua i raportonte me faks, kopjen e vendimit që kaloi për Gërdecin, e dhjetëra gjurmë të tjera në vendin e krimit, ai është një i akuzuar që nuk mund të mbrohet dot dhe të shantazhojë shtypin.
Tek vendimi gjyqësor i Gjykatës së Floridas permenden tre histori mafioze per Shkëlzenin, dhe tek të treja arsyetimi është i njëjtë, pasi nuk mund të ketë mbrojtje selektive të reputacionit duke shantazhuar gazetarë të veçantë, pasi interesi publik prevalon mbi jetën private.
Babai i tij e ka pasur të lehtë kur kontrollonte dhe vazhdon ta kontrollojë drejtësinë, “ta pastronte” të birin. Por mentaliteti i Berishëve është ndryshe. Ata quajnë fyerje përballjen me drejtësinë. Ata e quajnë drejtësinë, një kamzhik për kundërshtarët, por jo një gjë që duhet të përballen, pasi e quajnë ulje të autoritetit të tyre. Për të mos çuar të birin para drejtësisë, Sali Berisha i vuri flakën shtetit shqiptar.
Është ky mentalitet që tashmë e ka lënë djalin e tij rrugëve, pa mbrojtje, dhe me një vendim gjykate që e damkos atë, si njeri të pambrojtshëm nga akuzat që i janë bërë.
Babai i tij që preferoi për egon e tij, ta mbante larg drejtësisë, në fakt e damkosi publikisht fajtor dhe të lidhur me mafian. Nuk u damkos nga etiketimet e Lawson. U damkos nga vesi i babait të vet, që e quan fyerje që drejtësia të merret me familjen e tij.
Halli i vërtetë i Shkëlzen Berishës, nuk është se një gazetar amerikan e njeh dhe e përshkruan si mafioz dhe të korruptuar. Halli i tij real, është se perceptimi i shqiptarëve për të është kështu. Shqiptarët pranojnë se Shkëlzeni nuk është në burg se ka pasur babain kryeministër, por janë të qartë që ai është pjesë e dy historive mafioze të Gërdecit, e asaj që vrau 26 vetë, dhe asaj që futi në burg dy biznesmenë amerikanë, që Shkëlzeni ju imponua si sekser, duke hedhur në rrugë dhe pastaj të vrarë në kanal, Kosta Trebickën.
Shqiptarët janë të bindur për rolin e tij në CEZ, për Nue Kalaj, për Rrahmanin, për tokat në Ksamil, për ryshfetet për çdo koncesion e tender ku ai hynte si sekser në emër të pushtetit të babait, e deri dëshmi private që mund të bëhen ndaj tij.
Gjykatat për këto vendosin pasi dëgjojnë dëshmitarë, pasi mbledhin prova, pasi hetojnë gjithçka me seriozitet, siç ka bërë Gjykata e Floridas.
Sot më shumë se kurrë, është e qartë se Berisha kontrollon gjykatat, por dhe shtypin që kërkon të bëjë revolucion në Shqipëri. I kontrollon në mënyrë aq poshtëruese, sa ata japin vetëm shfajësimet e Shkëlzenit për Gërdecin, por jo dhe akuzat për të. Dhe kjo të bind më shumë që revolucioni po thirret më shumë për të shpëtuar tipa si Shkëlzen Berisha, që e kanë vendin në burg, se sa për të bërë qoftë dhe Lulin një ditë kryeministër, siç e ëndërron kunati i vet.
Por më shumë se revolucioni, mendoj se Shkëlzenin e shpëton gjykata. Një gjykim i thellë i tij dhe historisë korruptive të familjes së tij në pushtet, do ta bënte dhe atë më të lirë, dhe PD më të lirë, por dhe botuesit e shtypit shqiptar më të lirë prej tij.
Dhe në fund, kur kërkon 60 milionë dollarë gjobë në SHBA, natyrisht që e paguan një 6 milionë për avokatët dhe garancinë e procesit. Nuk di kush ja ka paguar Shkëlzen Berishës këto para, jo se nuk ka, pasi ka më shumë se aq, por i ka pa letra si Luli, që detyrohet t’i paguajë në emër të dy rusëve. Shpresoj mos të thotë që ja ka paguar ndonjë pronar hoteli nga ata ku pozon blogerja. Se vetëm babai i tij, bën sikur beson që milionat e djalit janë nga Instagrami.
Leave a Reply