Një recepsionist idiot, i një hoteli në Durrës, ka shkaktuar një tërmet në opinionin publik në Shqipëri dhe Kosovë, lidhur me atë që quhet rracizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës. Reagimi ndaj tij, edhe pse dispropocional, është I dobishëm, pasi u jep një leksion gjithë atyre që kanë gati klishet rraciste e krahinore, për të justifikuar keqfunksionimin e raporteve profesionale në punë. Është një leksion I mirë për pronarët e hoteleve dhe kulturën e shërbimeve, po ashtu e cila nuk mund të justifikohet duke sharë klientin, por duke ndryshuar vetveten.
Dhe deri këtu ja vlen të tejkalohet paksa edhe masa e agresivitetit ndaj tij, për këtë sjellje.
Por në këtë debat nuk duhet folur si spektatorë, por si pushues. Në Shqipëri vijnë çdo vit qindra mijëra pushues nga Kosova , dhe ata nuk kanë ndeshur në këtë fenomen. Turistët nga Kosova janë të parët në listën e turistëve në bregdetin shqiptar dhe mbresat e tyre, nuk I përfaqëson kjo ngjarje.
Ndaj në këtë histori nuk duhet folur si për diçka që ka ndodhur në një shtet tjetër, por si diçka që ndodh përditë mes nesh. Dhe përditë mes nesh kjo ngjarje është aq e rrallë, sa shakkton tërmet kur ndodh.
Nga ana tjetër ky djalë duket se është bërë ylli I agjensive të marketingut për pushime jashtë Shqipërisë në mediat e Kosovës dhe Shqipërisë dhe kjo është po kaq e pandershme dhe malinje, sa fjalia idjote që ka shkruar ai adoleshent.
Në Shqipëri ka plot klishe negative për shqiptarët e Kosovës, ashtu si në Kosovë ka plot paragjykime për shqiptarët e Shqipërisë . Pushimet janë një nga mekanizmat perfekt, që I kanë shkatërruar dhe thuajse sheshuar këto paragjykime, më shumë se sa i kanë acaruar. Ky është një episod periferik I qindra shembujve të tjerë, ku njerëzit gjejnë mikëpritje dhe mirëkuptim mes tyre. Po raste negative ka plot jo me shqiptarë të Kosovës por dhe me polakë, hungarezë, ukrahinas etj.
Shqipëria është një vend I varfër, I prapambetur dhe I pa edukuar ende për të qenë një vend turistik, por është një vend që ecën dhe ndryshon shpejt. Vende të prapambetura si Shqipëria, rracizmi dhe krahinarizmi janë vese njerëzish primitiv, që edhe pse nuk kanë bukë në shtëpi, tallin Francën se ka lojtarë me ngjyrë, apo prodhojnë mite urbane të krahinave kundër njëra tjetrës. Njësoj ndodh dhe me shqiptarët e Kosovës.
Por turizmi po e ndryshon vendin. Legjenda urbane për tropojanët e egër, apo malsorët e frikshëm, është shkrirë si kripa në ujë, nëse shkon në Valbonë, Theth, apo Lëpush, pasi ti shikon se si ai malsori I “egër”, është një mikpritës turistësh I përkushtuar dhe i përulur.
Ti mund të kesh dëgjuar për romuzet e lebërve dhe fudullëkun e tyre, për tu tallur me mysafirët, por po të shkosh në Nivicë apo Zagorie dhe të shikosh se sa të sjellshëm janë me turistët që vizitojnë malet e tyre, ndryshon mendje.
Ti mund të kesh dëgjuar që në Himarë ka plot shqiptarë pro grek që kanë qejf të bëjnë edhe sherre cdo gusht kur vijnë nga Greqia, por e shikon se janë gati të vënë gjithë ditën si muzikë nj ëkëngë për Adem Jasharin po panë ndonjë “Kosovar” që i afrohet restorantit.
Turizmi është mekanzimi I vetëm që kemi për të njohur dhe pranuar më mirë njëri tjetrin dhe pamvarësisht rasteve të mira për marketing kundër turizmit shqiptar, siç ishte ky rast I shkëlqyer, shumica e rasteve të tjera, e mbyt këtë. Shqipëria është një vend ku pushohet lirë, ku ka ende varfëri që ka ruajtur natyrën e egër dhe interesante për turizëm dhe ku mbi të gjitha ka më pak pengesa dhe kokçarje për një turist të Kosovës apo Maqedonisë se sa në çdo vend tjetër në rajon. Është një vend që përditë e më shumë po e zgjedhin dhe ata që nuk janë shqiptar. Pra nuk është një vend që ka vetëm turizëm patriotik, ashtu sic nuk është një vend që ksenofob apo “antipatriot”, sic identifikohet me recepsionistin e një hoteli. Është një vend që turizmi po e zbut dhe po e bën më të mirë. Ai djali I recepsionit prej dje është pa punë. Kaq mjafton për të kuptuar se kush ka fituar në këtë betejë.
Leave a Reply