Nga Mero Baze
Presidenti Ilir Meta është nën presionin formal të opozitës për të mos u bërë palë me qeverinë, në dekretimin e ligjit të posaçëm për ndërtimin e Teatrit të ri në Tiranë. Presioni nuk vlen aq për të shpëtuar Teatrin nga ligji i ri, se sa për të shpëtuar opozitën nga konflikti i huazuar i Teatrit.
Ligji, edhe nëse refuzohet të dekretohet nga presidenti, kalon sërisht nga Kuvendi, dhe nuk përbën problem, përveç vonesës në kohë. Por qëndrimi i Ilir Metës ka rëndësi politike për opozitën, pasi ai ka në dorë ta mbajë të bashkuar opozitën, ose jo.
Ilir Meta është në një farë mënyre nën presion të mos e dekretojë ligjin, pasi ky është i vetmi vendim që e mban opozitën e bashkuar. Një firmë e tij mbi ligjin, edhe pse nuk ka rëndësi proceduriale për qeverinë, është në fakt një firmë për shpërbërjen e opozitës dhe futjen e saj në një krizë qëndrimesh.
Edhe pse ne jemi mësuar që ai të kritikohet ashpër dhe nga zonja Kryemadhi, përsëri nuk jemi mësuar ta marrim seriozisht këtë sherr familjar në emër të opozitës. E vërteta është se ai ka në dorë më shumë se sa të ardhmen e Teatrit, të ardhmen e opozitës, dhe duhet të veprojë si njeri politik. Ndaj shumica duhet të përgatitet për një votë kundër, jo se ka ndonjë hall me Teatrin, apo me Fushën, por me malin e problemeve që i hapen opozitës nga një votë pro ligjit.
Nga ana tjetër, opozita nuk duhet ta marrë me shumë entuziasëm një votë pro tyre nga presidenti, por duhet t’i jetë mirënjohës vendimit të tij, për të mos i bërë qesharakë në pikë të vapës.
Debati për Teatrin u bë në orët e fundit kauzë e opozitës, pasi ajo hoqi dorë nga axhenda e madhe që kishte disa muaj më parë, axhendë që kishte të bënte me Komisionin “Tahiri”, e pastaj me çështjen “Xhafaj- Babale”. Të dyja çështjet tani janë të harruara dhe opozita jonë si zakonisht ushqehet me copat e mishit që i hedhin, dhe jo me ato që kërkon vetë.
Në këtë rast, ajo u mori kauzën aktorëve kur ata e lëshuan. Aktorët nisën një aksion bazuar tek përpjekja e tyre për të vendosur një raport të pranueshëm mes të kaluarës historike të Teatrit dhe të ardhmes fizike të tij, betejë e cila në fund anoi nga vendimi për ndërtimin e një Teatri të ri, i cili kundërshtohet vetëm nga një pjesë e seksionit të PD-së brenda Teatrit.
Duke e marrë këtë kauzë PD, ka lehtësuar ndjeshëm raportin e shumicës me aktorët dhe me opinionin publik, pasi tani mbetet vetëm beteja politike. Aftësia e Ramës në këtë pike, ishte se shmangu përballjen me komunitetin e artistëve dhe nxori në skenë PD-në. Është mënyra klasike e tij, se si e tërheq kundërshtarin në fushën e vet, dhe pastaj bën ç’të dojë me të.
Kështu që tani nuk kemi më një opozitë që mbron Teatrin, por një kauzë Teatri, e cila ka rëndësi për mbrojtjen e opozitës së bashkuar. Tani çështja nuk është më a do ta mbrojë opozita Teatrin, por a do ta shpëtojë Teatri çarjen e opozitës. Dhe mendoj se do ta shpëtojë. Ilir Meta do jetë me ta.
Leave a Reply