• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 9th, 2026
  • HOME
MERO BAZE/ Të “papërkulur” kundër mjekëve, të përulur para kriminelëve!
Home
Blog

MERO BAZE/ Të “papërkulur” kundër mjekëve, të përulur para kriminelëve!

September 21st, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nga Mero Baze/

Doktor Luan Dragusha, një mjek i pranuar si i aftë dhe i përkushtuar ndaj pacientëve dhe disa pjestarë të ekipit të tij në Shkodër, janë arrestuar dhe janë çuar në burg, pas një denoncimi rutinë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për furnzimim jashtë standardeve me unaza për stendat që përdoren në ndërhyrjet kardiokirurgjikale.

Nuk e njoh nga afër Dr. Dragushën, por nuk kam dëgjuar askënd të thotë që nuk është mjek i aftë dhe që mbi të gjitha ka lënë SHBA për t’u kthyer në Shqipëri dhe për shkuar për të shërbyer në Shkodër.

Hapja e një reparti të suksesëshëm në Shkodër për vendosjen e stendave, dhe grumbullimi atje i pacientëve nga Veriu i Shqipërisë, ka qenë një sukses i shëndetësisë së paku tre vitet e fundit. Mjeku i ka kursyer shtetit transportin drejt Tiranës të qindra pacientëve dhe me aftësinë e tij për një ndërhyrje më të specializuar, ka shkurtuar dhe kohën e qëndrimit të pacientëve në spital.

Ajo që i konsiderohet abuzim, është një çështje administrative dhe ka të bëjë me përjpjekjen për të pasur sa më shumë lëndë të parë rezervë në kushtet e një shëndetësie që shpesh ta lë operacionin përgjysëm dhe për një stendë.

Por nuk e mohoj që mund të jetë shkelje administrative apo e protokollit të furnizimit, pasi nuk dua të bëj ekspertin e dosjes për të parë, nëse ka kaluar kjo gjë në vepër penale të korrupsionit apo jo.

Në të gjitha rastet, prokuroria duhet të ketë një politikë penale, kur heton një dëm administrativ që vjen nga përpjekja për të pasur në funksion të sigurtë një klinikë të specializuar shtetërore si ajo e Doktor Dragushës. Në çdo rast nis hetimi penal, njoftohet i pandehuri dhe gjërat duhet të zhvillohen në seancë gjyqësore. Nuk kemi të bëjmë me një kriminel që ka vrarë dhe mund të ikë, por me një mjek që shpëton jetë njerëzish, dhe as ka ndërmend të ikë në arrati, se nga arratia vjen.

Në një qytet ku bandat kriminale janë sheshit, dhe prokurorët i marrin dy herë në ditë telefon t’u kërkojnë ndjesë se mos u kanë rënë më qafë, të bëhesh trim me një mjek e t’i hedhësh prangat duke mbyllur spitalin, do të thotë të mos jesh prokuror, por një burracak që mbush brekët nga kriminelët dhe bëhesh kriminel me një mjek që shpëton jetë njerëzish.

Dhe këtu nuk është fjala vetëm për Doktor Dragushën se nuk e njoh as për fytyrë, por për çdo zyrtar të administratës së shtetit, të cilit i hapet padi penale nga raportet rutinë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një institucion sovjetik që vazhdon të mbijetojë në një vend si Shqipëria.

Zyrtarët që vihen nën terrorin e kontrolleve të tilla, kryesisht për gjoba, mund të hetohen të gjithë lirshëm në gjendje të lirë dhe nuk ka pse rrasen në burgje bashkë me kriminelët, pa mbaruar procesi gjqyësor. Pasi siç ndodh rëndom pastaj dalin të pafajshëm dhe duhet t’u paguash dhe dëmet. Mbyllja drejt e në burg e një zyrtari pa u gjykuar është një masë ekstreme, dhe jashtë çdo logjike, në një vend ku kriminelët e drogës nxirren nga burgu se i ka marr malli për fëmijët, apo ku vrasësit terrorizojnë prokurorët dhe ata shkojnë rrihen me kryeprokuroren, se nuk duan të marrin dosjen e tij.

Ky standard, kur për një mjek profesionist përdoren prangat dhe për kriminelët aplikohet përulësia, është standardi i një shoqërie të dorëzuar para krimit dhe të trimëruar para nëpunësve dhe intelektualëve që dhe nëse shkelin ligjet nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë, por thjeshtë duhet të gjykohen.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARBEN LLALLA/ Shpëtim Idrizi dhe PDIU hala në sy të Greqisë
Previous article ARTAN FUGA/ Unë e pranoj sfidën. Rrebelohem sepse kam të drejtë! 

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k