Nga Mero Baze
Partitë aleate të opozitës janë të shqetësuara seriozisht për reformën zgjedhore dhe kanë propozimet e tyre.
Dashamir Shehi ka bërë disa propozime racionale, për atë që ai mendon se mund ta bëjë sistemin më të sigurtë. Dhe aleatët e tjerë kanë propozimet e tyre.
Por ata janë duke pritur Lulzim Bashën t’u bashkohet propozimeve të tyre, ose t’i kundërshtojë ato.
Lulzim Basha u shfaq sot publikisht për të hequr sikletin, që nuk merret dot me reformën zgjedhore dhe nuk ka asnjë propozim.
I vetmi propozim që prekte sistemin, në ato që tha, është parlamenti me dy dhoma, me shpresë që t’i gjejë Berishës një vend për pension, por dhe për atë duket që nuk e kishte seriozisht.
Problemi real që ka Lulzim Basha me zgjedhjet në fakt nuk është reforma. Ai është i interesuar për këtë sistem që është, pasi ky i siguron pushtet dhe vendimmarrje brenda PD.
Pa këtë mekanizëm, Lulzim Basha është njeriu më i parëndësishëm në PD, ndoshta dhe më i pavotuari nga njerëzit.
Ai është shumë larg popullaritetit të një lideri dhe krejt i pabesueshëm dhe për bashkëpunëtorët e vet, të cilët e akuzojnë rëndom si mashtrues. Ndaj ai nuk ka ndërmend të flasë për reformën zgjedhore.
Ndërsa të gjithë presin që ai t’i bashkohet ndonjë propozimi, ai në fakt është duke pritur Edi Ramën.
Me një fushatë banale gjobëvënie ndaj qeverisë, duke prodhuar filma në kompanitë e marketingut të kunatit të vet, ai shpreson të ulet në tavolinë me Edi Ramën ta zgjidhë çështjen e pushtetit.
Ajo që tha sot Edi Rama lidhur me takimin e tyre në vitin 2017, në fakt është thelbi i asaj që Lulzim Basha mendon për reformën zgjedhore.
Ai do një pazar nga Edi Rama. Në mos jo në atë formën e rëndomtë “një herë unë, një herë ti”, në një formë tjetër, që t’i garantojë atij një lloj ndarje pushteti dhe duke qenë në opozitë.
Dhe për këtë, atij i duhet të mos dorëzojë pushtetin brenda PD-së, që ja garanton vetëm ky sistem zgjedhor.
Nëse Lulzim Basha heq dorë nga sistemi zgjedhor, ai praktikisht duhet të heqë dorë nga PD, pasi ata që kandidojnë mund të jenë shumë më të sigurtë se ai, që do të marrin mandatin.
Mbi të gjitha, atij do t’i duhet të kandidojë figura popullore të PD-së, njerëz që mbledhin vota dhe që kanë një personalitet të pavarur në opinionin publik.
Ndryshimi i këtij sistemi zgjedhor atë e lë pa ekipin qesharak që ka grumbulluar rreth vetes dhe natyrisht, e lë pa pushtet brenda PD.
Ndaj është e kotë që të presësh prej tij të flasë për një sistem të ri zgjedhor.
Prioriteti i tij tashmë është të prodhojë zhurmë dhe baltë për qeverinë, jo si opozitar, por si shantazhues personal i Edi Ramës, me shpresë se ai do t’i thotë “eja të ulemi të merremi vesh çfarë do”.
Dhe ajo që ai do është të ndajë pushtetin, pavarësisht zgjedhjeve.
Kjo u provua më së miri në vitin 2017, kur ai ndërmori aksionin më të shtrenjtë dhe më të kushtueshëm edhe politikisht për PD-në, duke përdorur radikalizimin përmes çadrës, si një mënyrë për të spastruar PD-në nga emrat e njohur dhe për të formuar një ekip që i siguronte atij qetësinë, dhe duke e justifikuar këtë me marrjen e disa posteve ministrash dhe drejtorësh për të krijuar idenë se ja doli të bënte një pazar.
Atë është duke kërkuar përsëri. Ti kërkosh atij sot të flasë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, është një torturë e madhe.
Aleatët e sotëm të Bashës ishin mekanizmi që ai përdori më 2017 për të eleminuar kundërshtarët brenda PD, duke i detyruar dhe joshur për të pranuar pazarin e tij me Ramën.
Tani është radha ta pësojnë ata, pasi janë pengesa e fundit që ai ta gëzojë pushtetin si opozitar i vetëm. Ndaj Ata presin presin më kot. Ndërsa aleatët presin atë, ai është duke pritur Edi Ramën, të cilin në vend që ta trembë, është duke e zbavitur me filmin serial “Babalja” që transmeton çdo ditë.
Leave a Reply