Më në fund kriza e provokuar për emërimin e Ministrit të Jashtëm u zgjidh në mënyrë formale. Edi Rama ka mandatin zyrtar për Ministër të Jashtëm, ndërsa Gent Cakaj do të jetë në vend të tij, në krye të ministrisë.
Të gjithë ata që bëjnë sikur çuditen me gjestin e sotëm të Edi Ramës, janë thjeshtë ata që ishin në anën e bllokimit antikushtetues të emërimit prej Presidentit. Dhe këtu nuk ka gjë për të diskutuar.
Tani që rrugët ligjore të krizës që prodhoi ngërçin, u hapën, ja vlen të diskutohet seriozisht për arsyen informale që Presidenti Ilir Meta, Sali Berisha e të tjerë shpikën për emërimin e Gent Cakaj, si një mënyrë për të mos folur hapur rreth problemit që kanë.
Gent Cakaj u përdor simbolikisht për të hapur një debat me maska rreth asaj që duhet të diskutohet në shesh të burrave të shqiptarëve, rreth marrëveshjes mes Serbise e Kosovës dhe lëshimet përkatëse.
Është një Marrëveshje e mbështetur me forcë, por pa shumë detaje nga Shtëpia e Bardhë dhe Brukseli.
Gent Cakaj u bë “kokë turku” në këtë histori, ngaqë Ilir Meta, Sali Berisha e të tjerë, nuk guxojnë të flasin për këtë histori që po zhvillohet para syve të të gjithëve.
Për këtë gjë u shpik se Gent Cakaj është një shtetas I paverifikuar I Kosovës, që mbështet opsionet e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijëve të Kosovës me Serbinë dhe se ka një raport miqësor me Baton Haxhiun, një gazetar përherë afër qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Po ashtu u quajt problem mosha dhe kapacitetet e dyshuara profesionale në këtë detyrë.
Këto dy arsye nuk qëndrojnë të dyja bashkë . Nëse është e para do të thotë që kemi të bëjmë me një njeri të aftë që është në gjendje të zgjidh I vetëm Marrëveshjen mes Serbisë e Kosovës, pa pyetur as Shqipërinë as Kosovën dhe të arrijë një Marrëveshje që po e shtyn përpara adminsitrata e Presidentit Trump dhe Mogherini.
Nëse është e dyta, pra që ky nuk ka kapacitetet e duhura intelektuale, zgjidhja që Rama të jetë ministër I jashtëm dhe ky ushtrues i detyrës, është rruga më e mire, për të provuar se çfarë aftësish ka, pasi në fund të fundit vendimet dhe firmën I vendos Edi Rama.
Por problemi nuk qëndron fare tek Gent Cakaj, por tek një luftë e ftohtë që ndan udhëheqjen e Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me mbështetjen që SHBA dhe Brukseli, I jep projektit të Marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, që synon ta përfundoj në fund të pranverës. Presidenti Thaçi duket se është I përfshirë tërësishtë në axhendën e Shtëpisë së Bardhë dhe e shikon këtë edhe si shans për Kosovën edhe si shans për karrierën e tij.
Nuk jam I sigurt nëse Kryeministri Haradinaj nuk do të bënte të njëjtën gjë nëse do t’ia kërkonin, por me sa duket ai ndjehet I përjashtuar nga procesi dhe po përpiqet ta kundërshtoj po ashtu, edhe në emër të Kosovës dhe për interesa të veta.
Për herë të parë një vendim amerikan për Kosovën e ka ndarë Kosovën në dy pjesë, jo bazuar aq shumë në interesin e Kosovës se sa në interesa politike të ditës.
E njëjta pasqyrë është reflektuar dhe në Tiranë. Kryeministri Edi Rama nuk është shfaqur hapur pro një projekti për korrigjim kufijsh, por nuk ka hequr asnjë sekondë mbështetjen për Presidentin Hashim Thaçi dhe ka deklaruar se do të mbështesë qëndrime të rakorduara të SHBA me Bashkimin Evropian rreth kësaj çështje.
Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë të kundërtën. Ata kanë vënë thuajse nën akuzë Presidentin Thaçi si tradhëtar që po guxon të vazhdoj betejën për Marrëveshjen, por kanë shamngur komentet rreth mbështetjes së SHBA dhe BE rreth projektit.
Ky është thelbi I konfliktit dhe gjithë beteja kundër emrit të Gent Cakës është bërë simbolikisht, për ta shfaqur këtë konflikt në publik. Berisha duke mos guxuar të dal hapur kundër Shtëpisë së Bardhë, sulmon Hashim Thaçin jo si “argatë” të Trumpit apo Mogherinit, por si “argatë” të Serbisë, ndërsa Meta duke mos dashur të acarojë dhe më tej raportet me Uashingtonin shpiku Gent Cakën si njeriun që po bënte Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, duke injoruar dhe Donald Trupin dhe BE dhe Hashim Thaçin.
Pra Gent Cakaj në këtë histori, nuk ka dal si njeri I rëndësishëm, por përkundrazi, si një simbolikë kundër Marrëveshjes, për të treguar që nuk flasim dot kundër faktorëve të rëndësishëm të kësaj historie që po zhvillohet para syve tanë.
Dhe ky është turpi real I politikës shqiptare. Për një çështje me kaq rëndësi kombëtare, palët mund të ndahen në debat, por duhet të përballen me problemin dhe jo të shpikin fajtorë që nuk egzistojnë.
Faktori Gent Cakaj nuk egziston. Egziston faktori Donald Trump, faktori Merkel, faktori Mogherini, dhe dy aktorët e rëndësishëm Vuçic dhe Thaçi, të cilët janë sanduiç mes presionit të Perëndimit dhe presionit të brendëshëm.
Edi Rama, Ilir Meta Sali Berisha në Tiranë dhe Ramush Haradinaj, Isa Mustafa e Albin Kurti në Kosovë, duhet të flasin hapur rreth kësaj çështje. Ata duhet të përballen me këtë debat duke ruajtur aleancën e shqiptarëve me Perëndimin.
Shpikja e taksës apo shpikja e Gent Cakaj për të mos thënë dhe shpikja e Baton Haxhiut, për të mos u përballur direkt me problemin, nuk e ndimojnë Kosovën dhe e bëjnë qesharake këtë dramë që mund ti kushtoj kombit shqiptar.
E rrezikshme ka qenë të pranojë propozimin e kryeminsitrit serb Gjingjiq në vitin 2001 që ju bë Kosovës përmes kryeministrit të asaj kohe të Shqipërisë, si karshillëk ndaj zgjidhjeve të Perëndimit për Kosovën. Dhe atëhere Kosova nuk ra në atë kurth.
Sot askush nuk e ka fuqinë dhe as mandatin të thotë çfarë duhet bërë në këtë marrëveshje, por të gjithë ne shqiptarët, dimë se çfarë nuk duhet bërë. Nuk duhet humbur SHBA dhe Perëndimi në këtë histori.
Dhe SHBA e Perëndimin, nuk na I humbet dot Gent Caka. SHBA dhe Perëndimi zakonisht nuk humbasin . Ato thjesht I fiton njëra palë në konflikt, siç I fitoi Kosova në vitin 1999.
Përpjekja për ti bërë ata me pahir, miqë të Serbisë , duke folur me gjuhën “patriotike” të Milosheviçit më 1999, është rruga më e lehtë. Por kjo pastaj nuk është vetëm konspiracion dhe veprimtari kriminale kundër SHBA dhe Perëndimit, por mbi të gjitha ndaj çështjes shqiptare. Ëndra reale e Serbisë nuk është përballja me shqiptarët. Ëndrra e tyre është rrënimi i aleancës së shqiptarëve me SHBA dhe Perëndimin, kundër saj. Dhe këtu duhen parë argatët real të Serbisë.
Leave a Reply