Maqedonia dhe Shqipëria presin më 28 qershor një dritë jeshile për hapjen e negociatave. Këshilli Europian mund t’i rekomandojë Komisionit hapjen e negociatave, pa caktuar datë, ose mund ta shmangë vendimin, duke e shtyrë në kohë për shkak të problemit kryesisht francez, i cili nuk lidhet me arsye shqiptare apo maqedonase, por me arsye franceze, për shkak të politikës së re të presidentit Macron për mos-zgjerimin e Europës.
Por ndërsa të dy vendet presin një fat të përbashkët më 28 qershor, Shqipëria në fakt ka diktuar dhe fatin europian të Maqedonisë. Kjo e fundit ka kaluar një proces thuajse poshtërues për të hapur negociatat. Ajo ndërroi që nga emrin e shtetit, deri tek emrin e autostradës, e aeroportit, dhe e mbylli në fund me arrestimin e ish- kryeministrit. Por i gjithë ky proces rrënjësisht në favor të hapjes së negociatave, në fakt nisi nga Shqipëria. Maqedonia nuk do t’ia kishte dalë, nëse Tirana nuk do të unifikonte faktorin shqiptar në rastin e krizës pas zgjedhjeve, kur Gruevski doli parti e parë, por shqiptarët i dhanë shans rrugës europiane të Maqedonisë, duke hyrë në koalicion me forcat pro-europiane të Maqedonisë.
Ajo që quhet “Marrëveshja e Tiranës” është në zanafillën e transformimit të Maqedonisë drejt hapjes së negociatave. Në rast se Shqipëria nuk do të kishte rolin e saj në këtë histori, sot Maqedonia nuk do ishte në listë pritje për negociatat, por në një spirale të rrezikshme anti-europiane, që kishte nisur prej disa vitesh. Shqipëria në një farë mënyre u bë garante e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe i dha shans hapjes së negociatave me BE.
Ky ka qenë momenti kur të dy vendet kanë bashkuar fatin e tyre europian në rajon. Më tej të dy vendet bënë progres historik në raportet me Greqinë, Shqipëria duke zgjidhur kontekstin e ligjit të luftës dhe “Marrëveshjen për Detin”, dhe Maqedonia duke marrë vendime historike, që lidhen me emrin dhe retorikën nacionaliste të Gruevskit.
Momenti tjetër kur të dy vendet po ndajnë të njëjtin fat është vetë zhurma për hapjen, ose mos hapjen e negociatave. Vendi i cili është ende i palëkundur për të mos lejuar zgjerimin e Europës, po mbetet Franca, dhe ajo nuk ka arsye dypalëshe me Shqipërinë, ose Maqedoninë, por ka arsyet e veta lidhur me politikën e mos zgjerimit.
Pra, të dy vendet, edhe nëse i hapin negociatat, edhe nëse nuk i hapin për shkak të Francës, nuk kanë të bëjnë më me detyrimet e tyre, por me mënyrën si e shikon të ardhmen e Europës një vend race i Europës, siç është Franca. Dhe këtu të dy vendet janë të pafuqishme të ndikojnë, por e kundërta nuk është e vërtetë. Një “Jo” e Francës në këtë drejtim do t’i çojë shumë mbrapa proceset europiane në Ballkan, do të ndëshkojë politikanët që zhbënë historinë anti-perëndimore të Maqedonise dhe do të kthejë në zhgënjim platformën pro-perëndimore të Tiranës për shqiptarët e Maqedonisë, duke inkurajuar ato forca që realisht nuk e duan Ballkanin në BE. Një “Jo” e Francës për negociatat për arsyet e veta, është shumë më ndikuese për Ballkanin se çdo përpjekje për ta ndarë atë nga Europa, nga vetë ballkanasit.
Dhe së fundmi, të dy vendet po përballen me një histeri të brendshme të forcave anti-perëndimore, të cilat po gjejnë kauza populiste për të minuar një vendim të mundshëm pozitiv.
Në Maqedoni, nacionalistët anti-perëndimorë po përpiqen ta paraqesin një sukses të mundshëm të negociatave, si një fitore të shqiptarëve që do të bëjnë ligjin në Maqedoni, dhe duan të thonë se nëse hapen negociatat, kjo do të ndodhë se Maqedonia u poshtërua para shqiptarëve dhe grekëve.
Në Shqipëri, një kor racist ka kaluar në skizofreni kolektive, duke e lidhur hapjen e negociatave me ardhjen e 600 mijë sirianëve në Shqipëri. Kjo e fundit, edhe pse nuk është e vërtetë, në fakt po i dëshmon Europës fytyrën më anti-europiane të Shqipërisë, racizmin provincial dhe populist, për të relativizuar suksesin e mundshëm të hapjes së negociatave.
Është e pashembullt që në një vend të ketë kaq shumë histeri ndaj një fatkeqësie njerëzore, siç janë refugjatët e luftës, dhe për më tepër kur e lidhin refuzimin e tyre me origjinën e atyre refugjatëve.
Dhe çfarë është interesante në gjithë këtë debat, ka të bëjë me paralelizmat që bëjnë me refugjatët e luftës së Kosovës më 1999, duke e quajtur dhe atë mikëpritje. Nëse më gjeni ndonjë nga këta populistët e shpifur kundër refugjatëve, të ketë marrë një familje kosovare më 1999, ma thoni, por jam i sigurtë se dhe atëhere flisnin po me kaq vrer kundër tyre, por nuk kishin Facebook.
Shqipëria nuk është as vend kufitar me Sirinë dhe as ka ndonjë iniciativë për të qenë vendi pritës i tyre, por qasja raciste kundër refugjatëve të luftës nga një komb refugjatësh, që ka 7 milionë nëpër botë e 4 milionë në Shqipëri e Kosovë, është shenjë e fytyrës anti-europiane të shoqërisë shqiptare, të cilën dikush duhet ta mbajë shënim.
Shqipëria nuk ka nevojë të marrë refugjatë sirianë për t’iu hapur negociatat, por ky vend ka nevojë të jetë i hapur ndaj çdo emigranti që do të jetojë këtu, jo në kampe, por si pjesë e shoqërisë sonë. Dhe mbi të gjitha, kemi nevojë të shfaqemi si europianë ndaj kësaj sfide që mund të prekë shumë vende të rajonit. Gjëja më anti-perëndimore e Shqipërisë është pikërisht kjo histeri, e cila më shumë se sa nga frika e sirianëve, ka shpërthyer nga frika se mos hapen negociatat, dhe të kemi gati baltën dhe për to.
Leave a Reply