Pamjet në këto foto nuk kanë nevojë për koment. Janë bërë këtë fundjavë në një fshat të Elbasanit. Bashkia ka dërguar kazanët e mbetjeve, dhe ja çfarë ka ndodhur.
Për tu bërë një shoqëri normale, ka dy mundësi: Edukim dhe ndëshkim. Unë jam partizan i edukimit, por kjo metodë është me efekt të ngadaltë veprimi, do kohë të sjellë frute. Deri atëherë, mendoj se duhet të veprojë më shumë ndëshkimi. Gjoba, pa mëshirë, për të tilla sjellje.
Ne e drejtojmë gishtin e përgjegjësisë nga bashkitë, por ato nuk kanë kompetenca. Ato vënë një gjobë, por nuk e vjelin dot sepse gjoba nuk është titull ekzekutiv. Duhet të bredhin nëpër gjykata edhe për një gjobë 3 mijë lekëshe.
Ne kemi marrë një vendim: Do ti kërkojmë një grupi deputetësh mbështetje për ta bërë gjobën për mjedisin titull ekzekutiv, njësoj si fatura e energjisë.
Nëse jo, do t’i drejtohemi qytetarëve që u dhembin sytë nga këto pamje që të mbledhim firma për një nismë të tillë.
Duhen gjoba për qytetarët, gjoba për tregtarët, gjoba për bizneset…. Do të jetë e vetmja gjobë, për të cilën nuk do të ndjej asnjë lloj mëshire për “viktimën”.
Leave a Reply