Nga Marin Ponde/
Logjika e turmës jo detyrimisht përbën sjelljen tonë kolektive, por është një prej treguesve të sfondit social që na karakterizon si shoqëri. Sigurisht që ajo duhet dëgjuar i duhet dhënë zë dhe zgjidhje kur ajo është në raport të drejtë me problemet, sfidat, vështirësitë dhe padrejtesite që pëson shoqëria ose një pjesë e saj.
Gustav Le Bon i cili u morr kryesisht me logjikën e masave prej fillim shekullit të njëzetë në veprën dhe reflektimin e tij mbi “Psikologjinë e Turmave” vepër e cilia ndikoi jo pak në elitën Evropiane të kohës, mendonte se diferencimi progresiv nga sjelljet kolektive tek veprimet e individëve të nxitur prej vetëdijes së tyre është baza e procesit evolutiv. E parë edhe në këtë kontekst protesta e studentëve sot është legjitime, ajo lindi si një nevojë ulëritëse përballë një sistemi universitar të degraduar, ku e ashtuquajtura autonomi shërben më së shumti për mbajtjen e shpurrës së burokrateve dhe kolltukofagëve universitar, e më së paku për t’i shërbyer nevojave të universitetit dhe studentëve.
Në këto kushte, ndërhyrja e qeverisë është emergjente në ndërmarrjen e masave të menjëhershmë për reformimin rrënjësor të arsimit të lartë duke abroguar përkohësisht autonominë e universiteteve deri në ristrukturimin e tyre. Por për këtë nevojitet dialog, studentët duhet të tërhiqen nga mentaliteti dhe logjika e turmës dhe të udhëhiqen nga logjika e arsyes. Së bashku me pedagogët duhet të gjejnë konsensusin me qeverinë jo vetëm për plotësimin e kërkesave, por së bashku të hartojnë një strategji afatgjatë për Universitetin, të mjaftueshme që brezat e ardhshëm të studentëve të shpëtojnë njëherë e mirë nga nepotizmi që ka marrë peng universitetin.
Studentët duhet të dinë të shfrytëzojnë me mencuri këtë moment historik , në të kundërt hordhia e pseduoakademikëve, intelektualëve, politologëve analologëve e gjithfarësoj përmban kjo tokë, do ta përdorin logjiken e turmës për qëllimet e tyre të mbrapshta që një Zot e di kujt i shërbejnë.
Leave a Reply